Përgatiti: Etrit Rexhepi
Dje, më 12 tetor, në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet lokale. Menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit, tre televizione publikuan rezultatet e sondazheve të daljes nga qendrat e votimit (exit poll), të cilat parashikonin fituesit në disa komuna të vendit. Matjet e exit poll-it u realizuan nga UBO Consulting, PIPOS dhe Albanian Post, të publikuara në televizionet RTV Dukagjini, “Klan Kosova” dhe “T7”.
Në të gjitha këto parashikime u tha se në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka arritur të marrë shumicën e votave për të marrë mandatin e kryetarit të kësaj komune qysh në raund të parë (shih këtu, këtu dhe këtu). Megjithatë, pas numërimit të votave në këtë komunë, sipas publikimit në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezultatet treguan diferencë prej 28 votash ndërmjet Tahirit (47.89%) dhe Faton Pecit (47.80%) të Lëvizjes Vetëvendosje. Ky rezultat i deritashëm nënkupton se do të ketë balotazh (raund të dytë) mes këtyre dy kandidatëve për kryetar të Mitrovicës së Jugut.
Rezultatet nga këto zgjedhje treguan se parashikimet për Mitrovicën e Jugut dolën të pasakta. Por, çka janë exit poll-et dhe cili mund të jetë ndikimi i tyre në opinionin publik?
Sipas kapitullit të parë të librit “Exit Polls – Surveying the American Electorate, 1972-2010” (shqip, “Exit Polls – Sondazhet e Elektoratit Amerikan, 1972–2010”), përmbledhur nga dy autorë dhe studiues të Shkencave Politike në Shtetet e Bashuara të Amerikës (ShBA), Samuel J. Best dhe Brian S. Krueger, thuhet se exit poll-et janë sondazhe që bëhen me votuesit, menjëherë pasi ata dalin nga qendrat e votimit.
Ato përdoren nga mediat për të parashikuar fituesin para se të përfundojë numërimi i votave, për të analizuar se si votuan grupet e ndryshme shoqërore, për të kuptuar cilat çështje ndikuan në vendimmarrjen e votuesve dhe për të interpretuar rezultatet politike pas zgjedhjeve.
Megjithatë, rezultatet e këtyre sondazheve shpesh shfaqen për një kohë të shkurtër në media dhe më pas zhduken nga qasja publike, duke mbetur të arkivuara në universitete.
Si funksionojnë exit poll-et
Libri thotë se procesi kërkon deri në dy vjet përgatitje, duke përfshirë përzgjedhjen e qendrave të votimit, përfaqësim për të gjithë vendin, intervistimin e votuesve që dalin nga qendra, varësisht prej përcaktimit, sondazhet telefonike për votuesit e hershëm ose me postë, dizajnin e pyetësorit, me 25–40 pyetje mbi demografinë, orientimin politik, ekonominë dhe analizën e peshimin statistik për të korrigjuar mospërgjigjet dhe gabimet nga përzgjedhje e mostrës.
Historiku
Në libër tregohet se exit pollet lindën në vitet 1960–70 në CBS News nga Warren Mitofsky dhe Murray Edelman, për të përmirësuar parashikimet e zgjedhjeve.
Gjatë viteve të ’80-ta, të gjitha rrjetet televizive të mëdha (CBS, ABC, NBC, LA Times) zhvilluan sondazhet e tyre. Ato filluan të përdoren për projeksione të hershme, gjë që shkaktoi polemika, pasi shpesh transmetoheshin para mbylljes së qendrave të votimit.
Pas 1988-tës, për shkak të kostove të larta, rrjetet u bashkuan në një konsorcium të përbashkët – Voter Research and Surveys (VRS), që më vonë u bë Voter News Service (VNS).
Rastet e gabimeve
Libri është shkruar nga autorë amerikanë, andaj edhe shembujt janë marrë nga zgjedhjet në ShBA. Në vitet 1990–1992, VRS pati probleme teknike dhe gabime në peshimet statistikore. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1992, rezultatet paraprake të exit poll-eve mbivlerësuan votën për Bill Clinton dhe nënvlerësuan atë për George H. W. Bush, duke krijuar perceptim të rremë për një fitore të madhe të demokratëve.
Publikimi i hershëm i këtyre të dhënave ndikoi opinionin publik dhe raportimin mediatik, duke çuar në festime të parakohshme dhe reagime politike.
Ai që cilësohet si rasti më famëkeq në libër, janë zgjedhjet Bush–Gore. Rrjetet televizive, duke u bazuar edhe në të dhëna nga VNS, shpallën gabimisht Al Gore fitues në Florida, pastaj e tërhoqën deklaratën, dhe më pas shpallën Bushin fitues, për ta tërhequr përsëri më vonë.
Kjo ngjarje shkaktoi kaos publik, humbje besimi në media dhe ndjenjë manipulimi në opinionin amerikan.
Përparësitë
Në exit polle-e maten votues realë menjëherë pas votimit. Në ShBA ato lejojnë vetë-administrimin e të përzgjedhurve duke ruajtur anonimitetin e tyre, gjë që e redukton presionin shoqëror. Ato gjithashtu përfshijnë mostra shumë të mëdha (Në libër përmenden shifrat 10–18 mijë persona), që mundësojnë analiza të detajuara sipas grupmoshave, racës, fesë etj.
Kufizimet dhe ndikimi publik i gabimeve të mundshme
Edhe pse më të avancuara, në exit poll-e hasen katër burime tipike gabimesh. Ato janë: gabime nga përzgjedhja e mostrës (sampling error), gabime në mbulim (mospërfshirje e disa votuesve, sidomos atyre me votim të hershëm), mospërgjigja (votues që refuzojnë pjesëmarrjen), gabime në matje (keqkuptim i pyetjeve ose ndjeshmëri politike).
Këto gabime, edhe kur janë të vogla, kanë peshë të madhe në opinionin publik sepse mund të krijojnë perceptime të rreme për fituesin, mund të ndikojnë në sjelljen e votuesve të tjerë, kur publikohen herët, minojnë besimin në media dhe në procesin zgjedhor dhe shpesh përdoren politikisht për të ushqyer teori manipulimi apo për të delegjitimuar rezultatin.
Zgjedhjet lokale 2025 në Kosovë
Rasti i fundit në Kosovë, nxiti debate për besueshmërinë e këtyre matjeve. Madje, kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot (13 tetor) ka kërkuar hetim për raportimet e exit poll-eve të publikuara më 12 tetor për Mitrovicën e Jugut, duke i cilësuar ato si “ndërhyrje flagrante” dhe jo thjesht si “huqje”. Në një konferencë për media, ai tha se parashikimet e publikuara nga disa organizata dhe televizione, që tregonin fitore të kandidatit të PDK-së para mbylljes së vendvotimeve dhe me diferencë prej 16 pikë përqindjeje nga rezultatet reale, përbëjnë “inxhiniering të paramenduar” dhe “cenim të demokracisë dhe integritetit të shtetit”. Kurti ftoi organet e sigurisë dhe të drejtësisë të hetojnë rastin, duke theksuar se për Mitrovicën ishte zhvilluar propagandë që nga orët e para të ditës së zgjedhjeve (shih këtu).
Ndërsa Baton Haxhiu autor i njërit nga exit poll-et, tha se gabimi në këto matje në Mitrovicën e Jugut ishte njerëzor, por theksoi se reagimi i kryeministrit në detyrë Albin Kurti më pas, e shndërroi atë në betejë politike. Ai tha se problemi nuk qëndron te sondazhi, por te “klima e frikës që ka krijuar pushteti, ku votuesit ndihen të vëzhguar e të pasigurt për të shprehur lirshëm mendimin”. Sipas tij, në Mitrovicë nuk u mat vullneti i lirë i qytetarëve, por frika e tyre. Haxhiu si përfundim tha se Kurti e përdori këtë gabim për ta kthyer në fitore morale (shih këtu).
Pra, audienca duhet ta mbajë në mend se exit poll-et janë sondazhe që realizohen menjëherë pas votimit për të parashikuar fituesit, analizuar preferencat e grupimeve shoqërore dhe kuptuar çështjet që ndikojnë në vendimmarrjen e votuesve. Megjithatë, ato nuk janë të pagabueshme. Gabimet mund të lindin nga përzgjedhja e mostrës, mbulimi i kufizuar, mospërgjigja e votuesve ose keqmatjet në pyetësorë. Exit Poll-et e publikuara (sidomos ato që publikohen herët) mund të ndikojnë në opinionin publik, të krijojnë perceptime të rreme dhe të minojnë besimin në procesin zgjedhor. Rasti i fundit në Kosovë, ku exit poll-et për Mitrovicën e Jugut nuk përputheshin me rezultatet reale, tregon rëndësinë e përdorimit të kujdesshëm të këtyre matjeve.