[email protected]
Demantohet pretendimi i Vuçiqit për përfshirjen e çeçenëve dhe çerkezëve në veri
shape
shape
shape

Pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për përfshirjen grupeve të caktuara çeçene dhe çerkeze në zhvillimet në veri të Kosovës rezultuan të jenë të pavërteta.

Kjo për faktin se, figurat opozitare çeçene, Akhmed Zakaev, dhe Dzhambulat Suleimanov, emra që u lakuan në pretendimet e Vuciqit, kanë mohuar përfshirjen në aksione në Kosovë të grupeve “të caktuara çeçene dhe çerkeze”, siç pretendoi më 21 gusht presidenti serb Vuçiq.

Vuçiq tha më 21 gusht në Beograd se Serbia ka informacione se para përshkallëzimit të tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës më 31 korrik, një grup çeçenësh dhe çerkezësh, të cilët janë kundërshtarë të regjimit të liderit çeçen Ramzan Kadyrov, kanë mbetur në Kosovë, dhe se detyra e tyre ishte të monitoronin situatën në veri të Kosovës dhe të rekrutonin ushtarë të mundshëm për të luftuar në Ukrainë. (shih këtu)

Pretendimet e Vuciqit zunë hapësirë të caktuar në portalet informative dhe ballinat e gazetave të afërta me pushtetin, të cilat hibrid.info i ka trajtuar. (shih këtu)

Pretendimet për përfshirjen e grupeve çeçene dhe çerkeze në zhvillimet në veri nga ana e presidentit serb Vuçiq, përkundër faktit që ishin burime të inteligjencës serbe, siç thuhet nga ai, gjatë konferencës nuk u ofruar ndonjë fakt relevant plotësues (fotografi, dokument etj.) që do ta vërtetonte pretendimin.

Nga ana tjetër, një ditë pas pretendimeve të deklaruara të presidentit serb, ato u demantuan edhe nga vet emrat e apostrofuar në konferencën e së dielës në Beograd.

Akhmed Zakayev, kryeministër në mërgim i Republikës çeçene të Içkerisë, pavarësia e së cilës nuk njihet, i tha Shërbimit të Kaukazit Verior të Radios Evropa e Lirë se “nuk e kam idenë se për çfarë bëhet fjalë”. Dzhambulat Suleimanov, që udhëheq Komitetin çeçen të Fondacionit Shtetëror “Tolam”, me seli në Evropë, tha të njëjtën gjë: “Mendoj se ky është një provokim nga ana e Serbisë, aleates së Rusisë”. (shih këtu)

Pretendimet e Vuçiqit u demantuan edhe nga Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i cili në një postim në Twitter shkroi se, “asnjë çeçen dhe çerkez nuk ka komplomentuar për të vrarë serbët në Kosovë” dhe  “asnjë shtetas i Kosovës nuk i është bashkuar luftës në Ukrainë.” (shih këtu)


Analiza:

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, gjatë adresimit të djeshëm (21 gusht) pas takimit me disa nga përfaqësuesit politikë serbë në Kosovë, ka deklaruar se më 31 korrik në Kosovë kishin qëndruar një grup çeçenesh dhe çerkezësh – kundërshtarë të liderit çeçen – Ramazan Kadyrov. Sipas tij, duke u thirrur në informacione të shërbimit sekret serb, detyra e këtyre grupeve ishte eliminimi i serbëve të armatosur në veri të Kosovës, dhe rekrutimi i ushtarëve potencialë për të luftuar në Ukrainë. Pretendimi i Vuçiqit, zuri vend të gjerë në mediat serbe, kryesisht të afërta me pushtetin.

Emrat e përmendur nga Vuçiq, që, sipas tij ishin të lidhur grupet çeçene dhe çerkeze në veri, i demantuan ato duke deklaruar se nuk e din për çka po bëhet fjalë dhe se kjo është një provokim i Serbisë.

Po ashtu, shefi i kabinetit të presidences së Kosovës, Blerim Vela, demantoi faktin duke deklaruar se asnjë shtetas i Kosovës nuk i është bashkuar luftës në Ukrainë, si dhe asnjë çeçen dhe çerkez nuk ka komplomentuar për të vrarë serbët në Kosovë.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others