Të fundit | Rifat Jashari nuk e ka bërë deklaratën e pretenduar ndaj Edi Ramës Të fundit | Titulli e paraqet lirimin e Thaçit si të konfirmuar Të fundit | Rama s’ka thënë se mbështetësit e protestave nga Kosova e Maqedonia e Veriu… Të fundit | Nuk ka dëshmi se Engel ka deklaruar se lirimi i Thaçit do të ndikonte në sk… Të fundit | Pretendim i rremë se Hillary Clinton ka bërë një deklaratë për qeverisjen e… Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin korrik 2026 Të fundit | Format e manipulimit të imazheve për qëllime keqinformimi Të fundit | Hamza nuk refuzoi krijimin e institucioneve dhe nuk kërkoi zgjedhje të reja Të fundit | Videoja e vitit 2021 me aeroplanë luftarakë serbë mbi Jarinjë ripublikohet… Të fundit | Pretendime pa fakte se familja Berisha e dogji shtëpinë në Zveçan për t’i a…
[ ARTIKULLI ]

Deklarata e Abdixhikut për Ramën u paraqit pa kontekstin e plotë

ETRIT REXHEPI

VERDIKTI YNË

MANIPULIM I FAKTEVE

Në të dy këta tituj, deklarata e Abdixhikut, të cilës i referohen, nuk është paraqitur e plotë.

Janë publikuar përmbajtje me tituj në të cilët është paraqitur një deklaratë e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikut, lidhur me kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, ku pretendohet se ai ka deklaruar se Rama “ka gabuar rëndë”.

Artikuj me këtë pretendim janë publikuar të enjten (30 korrik) në uebfaqet e mediave si “Reporteri.net” dhe “Lajmi.net”.

Këto tekste janë publikuar si postime edhe në faqet në Facebook të të dy mediave (shih këtu dhe këtu).

Çka nuk shkon me përmbajtje?

Në të dy këta tituj, deklarata e Abdixhikut, të cilës i referohen, nuk është paraqitur e plotë.

Hibrid.info kontrolloi përmbajtjet në tërësi të këtyre dy artikujve dhe gjeti deklarimin e zgjeruar të kreut të LDK-së.

Në të dy artikujt raportohet se ai ka paralajmëruar përgjegjësi nëse gjatë procesit të iniciuar për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit të LDK-së janë përdorur mekanizma shtetërorë apo forma të tjera për të ndikuar në zhvillimet brenda subjektit që i e drejton. Abdixhiku është shprehur se të gjithë ata që janë përfshirë në këtë drejtim kanë gabuar rëndë, ndërsa për kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, ka thënë se nëse ai është përfshirë në këtë proces, atëherë ka gabuar rëndë, duke shtuar se anëtarësia e LDK-së nuk do ta falte një veprim të tillë.

Në të dy këta artikuj është cituar kjo deklaratë: “Kanë gabuar rëndë gjithë ata që janë përfshirë në këtë drejtim. Nëse z. Rama është përfshirë në këtë drejtim, ai ka gabuar rëndë. E anëtarësia e LDK-së nuk e fal këtë gjë”.


Për të konfirmuar vërtetësinë e kësaj deklaratës së paraqitur, hibrid.info hulumtoi dhe kontrolloi raportimet e mediave tjera në gjuhën shqipe (shih këtu).

Në artikujt e publikuar në mediat si “Klan Kosova”, “Telegrafi.com” dhe “Gazeta Express”, është konfirmuar deklarata e paraqitur në brendësinë e përmbajtjeve që u trajtuan në këtë tekst.

Deklarata u konfirmua në një video, në kanalin në Youtube të agjencisë së lajmeve “Ekonomia Online”. Video-materiali në fjalë ka titullin “Abdixhiku: Nëse Përparim Rama është përfshirë në këtë proces, ka gabuar rëndë” (shih këtu).

Deklarata e transkriptuar nga videoja:

“Për çështje tjera, unë besoj që çdokush që është përfshirë me bindje të drejta për procesin e shkarkimit, mund ta kuptoj. Por, prej asaj që kam parë publikisht, prej përgjimeve të bëra publike, në qoftë se mekanizmat shtetërorë janë përdorur për të trazuar Lidhjen Demokratike të Kosovës, atëherë do të ketë përgjegjësi dhe përgjegjësi të madhe për këtë drejtim. Mendoj që kanë gabuar të gjithë ata që janë përfshirë në këtë drejtim. Edhe nëse zotëri Rama është përfshirë në këtë drejtim, ka gabuar rëndë dhe anëtarësia e LDK-së nuk e falë këtë gjë.”      

Pra, në tituj deklarata e Abdixhikut është paraqitur e paplotë dhe në formë pohimi faktik, duke lënë të kuptohet se ai ka deklaruar drejtpërdrejt se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, “ka gabuar rëndë”. Një pohim faktik është një deklaratë që mund të provohet ose të hidhet poshtë përmes dëshmive objektive.

Ndërkaq, deklarata e Abdixhikut është e formës kushtëzuese, pasi përmban një kusht paraprak: “nëse z. Rama është përfshirë në këtë drejtim”. Në deklaratat kushtëzuese, përfundimi varet nga plotësimi i kushtit paraprak.

Çka do të thotë se ai ka folur për pasojat në rast se një përfshirje e tillë do të ekzistonte.

Analiza:

Disa media publikuan artikuj me tituj ku paraqitej një deklaratë e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, lidhur me kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, duke pretenduar se ai kishte deklaruar se Rama “ka gabuar rëndë”.

Pretendimi bazohej në një deklaratë të Abdixhikut, të dhënë pas përfundimit të kuvendit të jashtëzakonshëm LDK-së, ku ai foli për mundësinë e ndërhyrjeve në procesin e iniciuar për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit të partisë.

Pas hulumtimit u konfirmua se Abdixhiku e ka përdorur shprehjen “ka gabuar rëndë” në raport me Përparim Ramën, por në formë kushtëzuese, duke thënë se kjo do të vlente nëse Rama do të ishte përfshirë në këtë proces.

Ndërkaq, në titujt e artikujve, pjesa kushtëzuese e deklaratës nuk është paraqitur, duke krijuar përshtypjen se Abdixhiku ka deklaruar si fakt se Përparim Rama ka gabuar rëndë.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson përmbajtjet e paraqitura në këtë mënyrë, si “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere