[email protected]
Deklarata të pabaza se shpërthimi në Zubin Potok është inskenuar
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

“Operacion i flamurit të rremë” është pretendimi që kryetari i Komitetit Parlamentar për Mbrojtje dhe Çështje të Brendshme në Serbi, Milovan Drecun, e ka cilësuar shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok më 29 dhjetor.

Pretendimi u has në një artikull të mediumit në gjuhën serbe “blic.rs”, i publikuar të mërkurën (4 dhjetor). “’Incident i paraplanifikuar’, truqet parazgjedhore të Kurtit dhe përpjekjet për t’i shtypur serbët: Ky është operacion i ‘flamurit të rremë’”, mban titullin ky artikull.

Pjesë nga deklaratat e Drecunit dhe Milivojeviqit, të publikuara nga “blic.rs”

“Sipas mendimit tim, ky është ‘operacion i flamurit të rremë’, jo terrorist. Kurti menjëherë e shfrytëzoi për të lansuar një fushatë të mirëpërgatitur mediatike dhe politike në frontin informativ, aq më tepër që kjo tregon se ky është një operacion hibrid”

“Operacioni i flamurit të rremë është kur dikush organizon një akt të dhunshëm dhe më pas vendos dëshmi për të dhe e akuzon atë, le të themi, se e ka shkaktuar ai edhe pse kishte qenë kundër tij. Dhe shikoni, kur i shfaqën ato uniformat me armë, që dyshohet se u konfiskuan në një shtëpi. Një çantë krahu me emblemën e UÇK-së ishte e vendosur. Ata vetëm donin të shfaqnin se serbët ishin të gatshëm të kryenin një operacion të flamurit të rremë, andaj po bartnin çantë me emblemën e UÇK-së. Por e dini, Kurti doli menjëherë me deklarata, pa hetime, se bëhet fjalë për eksplozivë ushtarakë, që ishin 15 kilogramë, e po të ishin 15 të gjithë do të hidheshin në erë. Më pas, ai akuzon Beogradin dhe thotë se këta eksplozivë mund të vijnë vetëm nga magazinat ushtarake dhe se ato nuk janë në tregun e zi. Këto janë gënjeshtra, s’janë fakte”.

Ngjashëm ka deklaruar edhe diplomati Zoran Milivojeviq. Siç citohet nga “blic.rs”, ai ka thënë se incidenti ishte planifikuar paraprakisht.

“Absolutisht që e kanë bërë. Mund ta shihni se ishte përgatitur paraprakisht dhe kjo është tërësisht e qartë. Së dyti, njoftimi vetë tregon se ishte përgatitur më herët me një platformë politike”.

Sipas tij, kërkesa e Forcës së Sigurisë së Kosovës që të hyjë në veri ka qenë “provë kyçe se gjithçka ka qenë e përgatitur paraprakisht, sepse ushtria simbolizon shtetësi”.

Drecun dhe Milivojeviq nuk kanë prezantuar asnjë provë konkrete ose materiale që mund të mbështesë dhe të verifikojë vërtetësinë e deklarimeve të tyre. Deklaratat e tyre mbeten pa bazë të dokumentuar dhe pa ndonjë argument të qartë që do t’i jepte kredibilitet pretendimeve që kanë shprehur.


Çka nënkupton “operacioni i flamurit të rremë”?

Një operacion i flamurit të rremë është një veprim i kryer me qëllim të maskimit të burimit aktual të përgjegjësisë dhe fajësimit të një pale tjetër. Siç shkruhet në Wikipedia për këtë term, ai ka origjinën nga shekulli i 16-të.

Çka dihet zyrtarisht për shpërthimin?

Më 29 nëntor, Policia e Kosovës ka njoftuar se është sulmuar dhe dëmtuar infrastruktura kritike e kanalit të ujit të “Ibër-Lepencit” në fshatin Varagë të Zubin Potokut. Sipas Policisë, shpërthimi ka qenë sulm i qëllimshëm (njoftimi i parë). Më 30 nëntor, Policia njoftoi për tetë të arrestuar nën dyshimin për sulmet e fundit në veri. Në konferencën e Policisë u ekspozuan edhe uniformat e armët e sekuestruara gjatë aksionit të asaj dite.

Më 29 nëntor, në mbrëmje kryeministri Albin Kurti mbajti konferencë të jashtëzakonshme për media. Ai aty u shpreh se “Sulmi është kryer nga profesionistë, është sulmi i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë se vjen nga bandat e dirigjuara dhe të orkestruara nga Serbia e cila e ka edhe interesin edhe gatishmërinë edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të këtilla, në rastin konkret duke përdorur një sasi të madhe të eksplozivit në një nyje kyçe, ku riparimi është i vështirë”.

Serbia i ka mohuar akuzat.

Pos autoriteteve të Kosovës, edhe Bashkimi Evropian e ka quajtur terrorist sulmin.


Analiza:

Milovan Drecun, kryetari Komitetit Parlamentar për Mbrojtje dhe Çështje të Brendshme në Serbi, ka pretenduar se shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok më 29 nëntor ka qenë inskenim nga Kosova për t’ia atribuuar Serbisë.

Megjithatë, për pretendimin e tij ai nuk ka ofruar asnjë fakt.

Deklarata e tij u publikua në mediumin në gjuhën serbe “blic.rs”, me titull: “’Incident i paraplanifikuar’ truqet parazgjedhore të Kurtit dhe përpjekjet për t’i shtypur serbët: Ky është operacion i ‘flamurit të rremë’”.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Teori konspirative” dhe “Deklaratë e paargumentuar”.

Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Deklaratë e paargumentuar është vlerësimi për deklaratat që figurat politike e publike me ndikim në opinion i bëjnë me pretendime që nuk mbështeten në fakte.

Share With Others

Translate »