Shkroi: Etrit Rexhepi
Albulena Haxhiu, ministrja e Drejtësisë po pretendon se opozita në Kosovë pati mundësi të mos lejonte certifikimin e Listë Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por sipas saj ata ngritën dorën dhe e certifikuan atë.
Këtë pretendim ajo e dha me anë të një statusi në llogarinë e saj në Facebook, të publikuar dje (6 prill).
Pse po trajtohet kjo deklaratë?
Hibrid.info gjeti se ky deklarim nuk është i saktë, pasi siç u dëshmua më vonë, certifikimi i Listës Serbe nuk u vendos nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), por nga institucione të tjera.

Deklarata e trajtuar nga statusi i Albulena Haxhiut
“Dhe, kjo opozitë sërish pati mundësinë që sadopak të përmirësonte gabimin. Kishin mundësinë dhe ishte jetike të mos certifikohej për zgjedhje Lista Serbe për aq kohë sa nënkryetarin e kishte organizator dhe prijës së sulmit në Banjskë dhe nuk ishte distancuar kurrë nga ajo ngjarje. Por, e ngritën dorën dhe e certifikuan.”
Analiza
KQZ, është përgjegjës për organizimin dhe implementimin e zgjedhjeve në Kosovë. KQZ përbëhet nga njëmbëdhjetë (11) anëtarë: nga Kryesuesi dhe dhjetë (10) anëtarë të tjerë. Kryesuesi, emërohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhe zgjidhet mes gjyqtarëve të Gjykatës Supreme. Dhjetë (10) anëtarët e tjerë të KQZ-së, emërohen si rezultat i nominimeve të gjashtë (6) grupeve parlamentare më të mëdha të Kuvendit të Kosovës dhe, katër (4) anëtarë që përfaqësojnë komunitetet e vogla në Kosovë (shih këtu).
Më 23 dhjetor, 2024, KQZ nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Për certifikimin e Listës Serbe kishte votuar vetëm kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, kundër kishin dalë dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV-së), Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ndërsa anëtarët e tjerë, duke përfshirë ata të opozitës, kishin abstenuar (shih këtu).
Një ditë pas këtij vendimi, subjekti më i madh i serbëve në Kosovë, njoftoi se do të ankohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), organ i pavarur përgjegjës për vendosjen për parashtresat dhe ankesat në lidhje me procesin zgjedhor (shih këtu).
Pas ankesës, vendimi i KQZ-së për moscertifikimim të Listës Serbe ishte anuluar (25 dhjetor) nga PZAP-i (shih këtu).
Pjesë nga vendimi i PZAP-së
“Anulohet njoftimi i Komisionit Qendror Zgjedhor, i datës 23.12.2024 dhe urdhërohet KQZ-ja që ta certifikojësubjektin politik Lista Serbe dhe kandidatët e këtij subjekti politik, sipas rekomandimit të Zyrës per Regiistim, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ të datës 22.12.2024, për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025.”
Pra, në bazë të këtij vendimi, theksohet se paraprakisht Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ kishte rekomanduar certfikimin e Listës Serbe.
Vendimet e PZAP-së mund të ankimohen në Gjykatën Supreme të Kosovës, si instanca më e lartë gjyqësore në Kosovë.
Hibrid.info gjeti se edhe Gjykata Supreme e Kosovës (31 dhjetor) e kishte hedhur poshtë si të palejuar ankesën e partisë në pushtet, kundër certifikimit të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, duke i hapur rrugën pjesëmarrjes së saj në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit (shih këtu).
Përfundimisht pjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhje u zyrtarizua, kur PZAP-i hodhi poshtë (9 janar) ankesën e LVV-së kundër certifikimit të këtij subjekti politik (shih këtu).
Çka do të thotë se ndryshe nga pretendon ministrja Haxhiu, certifikimi i Listës Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk varej dhe nuk u mundësua nga anëtarët e KQZ-së.
Përfundimi:
Deklarata e ministres Albulena Haxhiut se opozita ngriti dorën pro, megjithëse pati mundësi të mos certifikonte Listën Serbe për zgjedhje, nuk është e saktë.
Opozita abstenoi në votimin për moscertifikim të Listës Serbe brenda anëtarëve të KQZ-së, ndërsa certifikimi i këtij subjekti ndodhi më pas nga institucione të pavarura, përkatësisht Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe më pas u mbështet edhe nga Gjykata Supreme.
Në përputhje me kriteret e kategorizimit të deklaratave që lidhen me fakte objektive dhe të verifikueshme, kjo deklaratë hyn në kategorinë “e pavërtetë”.
Arsyetimi:
Në kategorinë e vërtetësisë, vlerësohen ato deklarata që përmbajnë thënie që lidhen me fakte objektive, saktësia e të cilave mund të përcaktohet me anë të verifikimit objektiv. Deklaratat e trajtuara në këtë kategori marrin vlerësimin – deklaratë e pavërtetë, gjysmë e vërtetë, apo edhe deklaratë e vërtetë.