Është bërë publik një imazh i ballinës së gazetës serbe “Veçernje Novosti”, ku përmes kryetitullit thuhet se Lumir Abdixhiku ka nisur zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe për këtë ka marrë mirënjohje nga Beogradi.
Ndërsa në nëntitull shkruan se zëvendëspresidenti i Serbisë ka falënderuar Lumir Abdixhikun, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke vlerësuar veprimin e tij si të rëndësishëm për stabilizimin e rrethanave dhe hapjen e hapësirës për dialog.
Imazhi në këtë format është publikuar të mërkurën (29 prill) në Facebook nga një llogari me emrin “Lorenc Maleta” (shih këtu).
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Hibrid.info gjeti se kjo përmbajtje është e gjeneruar nga inteligjenca artificiale (IA).

Ky imazh është publikuar edhe në dy grupe publike në Facebook me emrat “RTK” dhe “Historiana Elena Koçaci ✅ ” nga një llogari me emrin “Sa Ismaili”.
Mbishkrimi në këto postime tregon se çka përmban kryetitulli i ballinës së gazetës duke shkruar se “Lubomir Abdixhiku, thirre zgjedhje të jashtëzakonshme – falënderim nga Beogradi.”
Llogaria “Lorenc Maleta” ka mbi 8 mijë ndjekës, ndërsa postimi i saj ka mbi 800 pëlqime, mbi 600 komente dhe mbi 1 mijë shpërndarje.
Ndërsa grupet “RTK” dhe “Historiana Elena Koçaci ✅” kanë nga 2 mijë e 400 anëtarë, përkatësisht mbi 26 mijë anëtarë. Deri në momentin e trajtimit, postimi në grupin “RTK” ka mbi 300 pëlqime, mbi 200 komente dhe mbi 160 shpërndarje, ndërsa në grupin “Historiana Elena Koçaci ✅ ” postimi ka mbi 200 pëlqime, mbi 230 komente dhe mbi 170 shpërndarje.
Në bazë të përmbajtjes së komenteve në këto postime, mund të vlerësohet se audienca ka mundësi ta perceptojë pretendimin si të besueshëm.
Pas përkthimit me anë të “Google Lens” u vërejt se në imazh emri i liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku është shkruar gabim në kryetitull si “LUBOMIRU ABDIKSIJU”. Teksti citon një “Zëvendëspresident të Serbisë” (Zamenik predsednika Srbije), por në sistemin politik të Serbisë ky pozicion nuk ekziston zyrtarisht, pasi shteti ka President, por jo zëvendëspresident (shih këtu).
Gjithashtu portreti i kreut të LDK-së është paraqitur i deformuar vizualisht.
Në pjesën e djathtë të imazhit, vërehet një logo e zbehtë me simbolin e TikTok-ut dhe një emër përdoruesi @22ss564), që vërteton burimin origjinal të postimit.
Hibrid.info kontrolloi në TikTok dhe gjeti imazhin e publikuar në këtë llogari (shih këtu). Përmbajtja është publikuar para 22 orësh dhe ka mbi 24 mijë shikime.
Kësaj përmbajtjeje platforma i ka vendosur etiketën njoftuese ku shkruan “Contains AI-generated media” apo në shqip “Përmban media të gjeneruar me AI”.

Nisur nga kjo mundësi dhe me gjithë lëshimet faktike, teknike dhe vizuale të shfaqur ne përmbajtje, hibrid.info kontrolloi imazhin e shkarkuar nga platforma TikTok me anë të “HiveModeration”, platformës për identifikimin e përmbajtjeve të gjeneruara nga IA.
Rezultatet nga verifikimi konfirmuan se imazhi ka mundësi të lartë (98.8%) të jetë krijuar nga kjo teknologji.

Një tjetër gjë që vërehet është edhe fakti se imazhi tregon se ky numër i gazetës i përket datës 22 maj të vitit 2024. Hibrid.info ka gjetur ballinën origjinale të kësaj gazete pas një hulumtimi të bërë në uebfaqen zyrtare “novosti.rs”, për datën e specifikuar. Ballina e gazetës së shtypur në këtë datë ndryshon plotësisht nga ajo që paraqitet në imazhin e trajtuar më sipër (shih këtu).

Pak kontekst
Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh, pasi Kuvendi dështoi të zgjidhte presidentin e ri brenda afatit kushtetues që përfundoi më 28 prill.
Partitë opozitare (PDK dhe LDK) bojkotuan seancat dhe refuzuan të krijonin kuorumin prej 80 deputetësh, siç thonin ata për të kundërshtuar synimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për të kontrolluar tri institucionet kryesore të shtetit.
Kryeministri Albin Kurti bëri disa oferta, përfshirë përfshirjen në qeveri, postin e kryeparlamentarit apo propozimin e kandidatëve jopartiakë, por këto u refuzuan nga opozita si “joserioze”.
LVV fillimisht propozoi Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha Kollçakun, por më pas i zëvendësoi ata me Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën, lëvizje kjo që u cilësua nga opozita si “puç kushtetues”.
Procesi erdhi pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që u jepte deputetëve 34 ditë afat për zgjedhjen e pasuesit të Vjosa Osmanit, mandat i cili përfundoi zyrtarisht më 4 prill (shih këtu).
Analiza:
Një imazh i gazetës serbe “Veçernje Novosti” pretendonte se Lumir Abdixhiku ka nisur zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë dhe për këtë është falënderuar zyrtarisht nga Beogradi zyrtar për këtë veprim.
Por, verifikimi vërtetoi se imazhi është i gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, fakt i konfirmuar edhe nga etiketa paralajmëruese në TikTok. Përmbajtja po ashtu, përmban gabime teknike si shkrimi i emrit “Lubomiru Abdiksiju”, referimi i një pozicioni jo-ekzistues (Zëvendëspresident i Serbisë) dhe ka portret vizual të deformuar.
Për më tepër, hulumtimi i uebfaqes zyrtare të gazetës tregoi se ballina origjinale e datës 22 maj 2024 nuk ka asnjë ngjashmëri me imazhin e manipuluar.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformim”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.