[email protected]
Deklarimi për performancë të mundshme të Dua Lipës dhe Rita Orës në Lojërat Mesdhetare 2030, paraqitet si fakt i kryer
shape
shape
shape

Disa media kanë publikuar një artikull me titull “Më në fund Rita Ora dhe Dua Lipa bëhen bashkë! Ja vendi ku do të performojnë”.

Deri sa në titull mungon sqarimi për vendin se ku do të performojnë dy këngëtaret me origjinë nga Kosova, në përmbajtje të artikullit tregohet se bëhet fjalë për mundësinë e performimit të dy këngëtareve me origjinë nga Kosova, në ceremoninë hapëse të Lojërave Mesdhetare të vitit 2030, që do të mbahen në Kosovë.

Hibrid.info ka vërtetuar se pretendimi për përformimin e dy këngëtareve me famë botërore në kuadër të ceremonisë hapëse të kësaj ngjarje, është bazuar në një deklaratë të zëdhënësit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Kushtrim Krasniqi, i cili shfaqi vullnetin e organizatorit për t’i ftuar ato. Megjithatë, Krasniqi nuk ka bërë të ditur se ka marrë ndonjë konfirmim për realizimin e këtij plani, siç lë të kuptohet përmes titullit.

Artikuj me pretendim të ngjashëm, të bërë përmes titujve kanë publikuar disa portale informative.


Shembuj nga publikimet në disa media

Vegëzat e artikullit të publikuar nga portalet “Infoshqip.com”, “Lajme.al”, “Albeu.com” dhe “Shqip.media”:

https://www.infoshqip.com/me-ne-fund-rita-ora-dhe-dua-lipa-behen-bashke-ja-vendi-ku-do-te-performojne/?fbclid=IëAR06KkpuFDExQDh-9a2cF31ZGxQyB3f-duFz_ukrCBD8zdsInknVHJj0kIc

https://albeu.com/showbiz/me-ne-fund-rita-ora-dhe-dua-lipa-behen-bashke-ja-vendi-ku-do-te-performojne/628953/


Pjesë nga përmbajtja e këtij artikulli:

Ceremonia hapëse e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 që do të zhvillohen në Kosovë mund të jetë shumë më spektakolare se sa mund të imagjinohet.

Kjo pasi në këtë ceremoni mund të performojnë dy yjet botërore të muzikës, Rita Ora dhe Dua Lipa.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi për media i Komitetit Olimpik të Kosovës në Konferenca ndërkombëtare “Kufijtë e Lirisë së Fjalës”.


Ky artikull është publikuar edhe nga disa faqe në Facebook (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu).


Hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinave të kërkimit dhe ka gjetur deklarimin e zëdhënësit të KOK-ut, Kushtrim Krasniqi, në konferencën ndërkombëtare “Kufijtë e Lirisë së Fjalës”, i cili ka folur mbi mundësinë e pjesëmarrjes së dy këngëtareve nga Kosova, në ceremoninë hapëse të kësaj ngjarjeje sportive që do të organizohet në Kosovë, në vitin 2030, pa ofruar detaje dhe pa e konfirmuar atë (shih këtu, shih këtu dhe këtu).

Hibrid.info ka kërkuar edhe për informacione shtesë lidhur me ngjarjet artistike (performanca/koncerte) të dy këngëtareve, Dua Lipës dhe Rita Orës dhe, përpos orarit të koncerteve për vitet 2024-2025 (shih këtu dhe këtu), nuk ka gjetur informata për ndonjë aranzhim të ndonjë shfaqje artistike në Prishtinë në vitin 2030.


Analiza:

Pretendimi në titullin e një artikulli të publikuar nga disa media, se këngëtaret Dua Lipa dhe Rita Ora do të performojnë së bashku, nuk qëndron.

Hibrid.info ka vërtetuar se në titull jo vetëm se nuk sqarohet se ku dhe kur do të ndodhë një ngjarje e tillë, por po ashtu është provuar se pretendimi është bazuar në deklaratën e zëdhënësit të KOK-ut, i cili ka lënë të hapur mundësinë që dy këngëtaret shqiptare të performojnë në ceremoninë hapëse të Lojërave Mesdhetare të vitit 2030, që do të zhvillohen në Kosovë.

Gjithashtu, publikimet për ngjarjet artistike të dy këngëtareve, sipas portaleve zyrtare, nuk japin informacione për ndonjë përformancë të përbashkët në vitin 2030.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait” dhe “Përmbajtje e pa verifikuar”.


Vlerësimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others