Shkroi: Fatbardh Dema
Në mediat sociale X, Facebook e Instagram, të dielën ka qarkulluar një postim (imazh) në formë të artikullit, në titullin e së cilës shkruan “Denmark withdraws recognition of Kosovo, apologizes to Serbia” (Danimarka tërheq njohjen e Kosovës, i kërkon falje Serbisë).
Ky postim mban logon e televizionit multinacional të lajmeve në ShBA, CNN.
Fillimisht, ky postim u publikua nga llogaria me emrin “Boris Malagurski” në X, e më pastaj u shpërnda edhe nga llogaritë tjera në këtë platformë si “Igor Lopatonok”, “gvanopdorp” e “Plenipotentiary”.
E vërteta?
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky postim është i rremë.

Postimi i përkthyer në shqip
“Danimarka tërheq njohjen e Kosovës, i kërkon falje Serbisë”
“Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, njoftoi sot se Mbretëria e Danimarkës po e tërheq njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe po riafirmon sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë. Danimarka ishte ndër shtetet e para që njohu shpalljen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia më 17 shkurt 2008, por udhëheqja e saj tani thotë se ishte një gabim”.
“Kjo, në fakt, krijoi një precedent të rrezikshëm, i cili tani mund të rrezikojë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial”, tha Frederiksen, duke shtuar se Danimarka i kërkon falje Serbisë dhe shpreson që edhe vende të tjera të Evropës Perëndimore do ta ndjekin këtë shembull”.
Hibrid.info ka hulumtuar edhe në ueb-faqen zyrtare të CNN, e që rezultatet nuk shfaqin asnjë artikull të publikuar me këtë pretendim.
Në llogarinë zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Danimarkës në X, nuk figuron i publikuar një njoftim i tillë. (shih këtu)
Po ashtu, edhe në ueb-faqen zyrtare të MPJ-së së Danimarkës, te seksioni i lajmeve, nuk gjendet një njoftim i tillë. (shih fotografinë më poshtë)

Danimarka njohu pavarësinë e Kosovës me datë 21 shkurt 2008 (shih këtu).
As në ueb-faqen zyrtare të MPJ-së të Kosovës nuk ka njoftim se Danimarka ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. (shih këtu)
Për ta vërtetuar edhe më shumë faktin se Danimarka nuk ka tërhequr njohjen e Kosovës, hibrid.info ka kërkuar përmes Google në gjuhën daneze “Danmark trækker anerkendelsen af Kosovo tilbage og beder Serbien om undskyldning” (Danimarka tërheq njohjen e Kosovës, i kërkon falje Serbisë). Rezultatet nuk shfaqin një informacion të tillë të publikuar në media kredibile apo burime zyrtare. (shih këtu)
Në dhjetor të vitit 2021, Kosova dhe Danimarka nënshkruan një letër-pëlqim për dërgimin e 300 të burgosurve nga ky shtet në vendin tonë. Ky dokument u shndërrua në Traktat prillin e vitit 2022, ndërsa ratifikimi i tij u bë tek më 23 maj, 2024.
Sipas marrëveshjes 10-vjeçare, Kosova do t’ia lëshojë Danimarkës me qira rreth 30 qeli të burgut në Gjilan. (këtu)
Më 9 janar, 2026, drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, konfirmoi në një intervistë për KosovaPress se në vjeshtën e vitit 2027 do të pranohen të burgosurit e parë nga shteti danez.
I njëjti pretendim u gjet i publikuar edhe në Facebook, në grupin “ПЉЕВЉА ОДБРАНИЛА СВЕТИЊЕ” dhe “The Karlov Group – Support Russia’s Diplomatic Rights”, si dhe në Instagram nga llogaria “dragana_campar_1988”.
Analiza:
Në mediat sociale X, Facebook dhe Instagram ka qarkulluar një imazh që paraqitet si artikull i CNN-it me pretendimin se Danimarka ka tërhequr njohjen e Kosovës dhe i ka kërkuar falje Serbisë.
Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se ky postim është i rremë. Një artikull i tillë nuk ekziston në ueb-faqen zyrtare të CNN-it, as në kanalet apo faqet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Danimarkës dhe Kosovës. Po ashtu, nuk ka asnjë burim kredibil apo njoftim zyrtar që konfirmon një vendim të tillë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.