[email protected]
Fëmijët dhe ekspozimi në përmbajtjet elektorale: Si t’i mbrojmë?
shape
shape
shape
EDU

Shkruan Reita Demi


Në të kaluarën, gjatë zhvillimit të fushatave elektorale, mediumet të cilat kapnin masa më të mëdha të audiencës konsideroheshin mediumet tradicionale si televizioni dhe radio. Mirëpo 20 vitet e fundit, këto media tradicionale po zëvendësohen nga platformat digjitale, duke zhvilluar edhe një formë e re të të bërit fushatë. Reklamimi elektoral përmes mediave digjitale sot konsiderohet  formë e re fushate e cila lejon kandidatët të përcjellin drejtpërdrejt mesazhin e tyre tek votuesit dhe të ndikojnë në përzgjedhjen politike.

Përveç faktit se sot, mediat e reja kapin audiencat e gjera, këto të fundit japin edhe mundësi të shumta, si targetimi i audiencave të caktuara. Shpeshherë në këtë targetim nuk llogaritet se ndaj këtyre përmbajtjeve mund të ekspozohen edhe grupe të ndjeshme siç janë fëmijët, të cilët ende nuk kanë të drejtë vote.  

Nganjëherë, arritja e audiencës nga partitë politike shkon aq larg sa që fushata politike shfaqet e sponsorizuar edhe tek programet e fëmijëve apo edhe në hapësirën e programuar për moshat e reja.

Fëmijët nuk janë imun ndaj retorikës që përdoret në reklamat elektorale dhe gjuhës së ashpër konkurruese mes kandidatëve që shpesh është e pranishme në media, apo edhe ndaj bashkëbisedimit me nuanca emocionale edhe mes familjareve lidhur me çështjet politike. Përmes këtij ekspozimi fëmijët do t’i absorbojnë këto emocione të forta dhe këtë diskurs retorik të përdorur që përpiqet të bindë votuesin për orientimin politik. Këto reklama edhe nëse jo drejtpërdrejt, mund të kenë ndikim negativ tek fëmijët, gjë për të cilën prindërit ose kujdestarët mund të mos jenë të vetëdijshëm.

Prandaj, është e rëndësishme që të dimë si t’i qasemi fëmijëve rreth këtyre përmbajtjeve.

Çfarë mund të bëjmë?

  1. Diskutoni për përmbajtjen në ekran. Shpjegoni fëmijëve pse përdoret gjuha e ashpër nga kandidatet në diskutime dhe pse angazhimi qytetarë është i rëndësishëm në këtë mes.
  2. Analizoni. Reklamat elektorale kanë për qëllim që të konsumohen andaj si rezultat ato shpesh realizohen me minutazh të shkurtër dhe mbështeten në emocione të forta pasi që në këtë formë arrijnë më shumë votues. Diskutimi dhe analizimi me të rriturit mund t’i ndihmojë fëmijët që të analizojnë këtë përmbajtje duke shpjeguar arsyet se pse çështjet e diskutuara dhe zgjidhjet e kandidateve janë të rëndësishme, dhe si përmes tyre zgjedhin se kë do votojnë.
  3. Vendosni imazhet negative në kontekst. Pyetni fëmijët rreth imazhit negativ të reklamës, si e kuptojnë ata, dhe çka po synohet të arrihet përmes atij imazhi.
  4. Jeni neutral në mënyrën se si i qaseni temës. Përdorni shembuj praktik që fëmijët të kuptojnë më lehtë temën e diskutuar.

Përfituesit e reklamave, teknikat e propagandës dhe fondet e panjohura të financimit janë ndër aspektet që shumë persona nuk dinë t’i dallojnë në reklamat elektorale dhe që duhet t’i kushtohet rëndësi e veçantë. Përmes reklamave ne shohim atë që individë të caktuar dëshirojnë që ne ta  shohim dhe e gjithë kjo ndodhë në sferën publike në të cilën media luan një rol të rëndësishëm.   

Fëmijët janë të rrethuar nga kjo hapësirë elektorale falë mediave. Por, çfarë duhet t’u shpjegojmë fëmijëve në lidhje me reklamat politike?

  1. Kush e ka krijuar reklamën. Pse është e rëndësishme koha që është duke u shfaqur.
  2. Tregoni se reklama përmban opinion politik. Mësoni ta dallojnë faktin, opinionin dhe trillimin, si dhe mbetet në dorë e tyre të pajtohen apo jo me atë deklaratë.
  3. Kontrolloni bashkarisht faktet.
  4. Shpjegoni mendimet tuaja politike duke u munduar të mos i ndikoni ata me përzgjedhjen tuaj.
  5. Pyesni fëmijët rreth dizajnit të reklamës si; ngjyrat, tingulli, muzika, faktet ose imazhet e përdorura nga krijuesi i reklamës për të përcjellë mesazhin.
  6. Shikoni nëse fëmijët tuaj mund të kuptojnë se kush ka paguar për reklamën dhe pse.
  7. Vini re imazhet e përdorura në reklamë. Shpesh imazhet të fëmijëve, familjeve me gjendje të rënd ekonomike, kafshët, ambientet e ndotura, përdoren si stenografi emocionale për të ngjallur emocione.
  8. Cilat vlera dhe pikëpamje përfaqësohen dhe cilat po mungojnë?
  9. Pse mediat si televizioni ose edhe mediat sociale shfaqin këtë përmbajtje.

Mësimi i fëmijëve dhe studentëve se si t’i qasen dhe lexojnë në mënyrë kritike këto informacione është pjesë thelbësore e përgatitjes së studentëve për qytetari aktive, të informuar dhe e cila angazhohet në proceset politike, sociale e ekonomike të shekullit 21. 

Share With Others