Të fundit | Nuk ka vendim të ri për rritjen e pensioneve në Kosovë Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime të rreme për FSK-në në Gaza, imazhe të gjener… Të fundit | Format e keqinformimit që mund të shfaqen për misionin e FSK-së në Gaza Të fundit | 29.2% e qytetarëve të BE-së verifikuan informacionin online në vitin 2025 Të fundit | Titulli përgjithëson shpenzimet buxhetore duke i paraqitur pasaktë si shpen… Të fundit | Pretendim i rremë se dy ushtarë të FSK-së humbën jetën në Gaza pas një sulm… Të fundit | Titulli nuk tregon se udhëzimi për furnizime tre ditëshe vlen për qytetarët… Të fundit | Tieger nuk ka thënë se Thaçi e Veseli kanë vrarë policë serbë, audioja u gj… Të fundit | Senatori i zgjedhur El-Sayed nuk është deklaruar hapur për mbylljen e kampi… Të fundit | Keqpërdorimi i logove të mediave për t’i paraqitur lajmet e rreme si të vër…
[ ARTIKULLI ]

Fenomeni i lojërave të dyshimta shpërblyese për të rritur faqet në Facebook

HIBRID

Shkroi: Fatbardh Dema

Një numër i faqeve në median sociale Facebook, kohë pas kohe, krijojnë përmbajtje me pretendimin se organizojnë lojëra shpërblyese ku premtohen pajisje elektronike, si telefona të brendit IPhone.

Përmes këtyre postimeve, faqet zakonisht kërkojnë nga përdoruesit të qëllojnë rezultatet e ndeshjeve të futbollit, më pas të pëlqejnë faqen, të shpërndajnë postimin, të komentojnë apo të bashkohen në grupe të caktuara për të marrë pjesë në lojë.

Megjithatë, mungojnë informacione të qarta për procesin e përzgjedhjes së fituesit, publikimin e rezultateve apo dëshmi që konfirmojnë se shpërblimet e premtuara janë dhënë realisht.

Hibrid.info ka vërejtur se në seksionet e komenteve shfaqen edhe pretendime nga persona që thonë se kanë plotësuar kushtet e kërkuara, por nuk kanë marrë shpërblim. Në të njëjtën kohë, kërkimi brenda këtyre faqeve nuk shfaq postime që dokumentojnë qartë shpalljen e fituesve apo dorëzimin e çmimeve të premtuara.


Faqet që publikuan përmbajtje të tilla

Hibrid.info ka gjetur se faqet që krijojnë përmbajtje të tilla në Facebook janë “Universal”, “Liria” e “Ylli.net”.

Faqja “Universal” që nga viti 2024 deri sot (13 mars) ka publikuar gjithsej 9 përmbajtje me pretendimin se ka organizuar lojëra shpërblyese (shih këtu dhe këtu).

Megjithatë, duke u bazuar në komentet e lexuesve, kjo faqe asnjëherë nuk ka dhënë shpërblimet për fituesit. (shih fotografinë më poshtë)

Po ashtu, edhe në kërkimin me fjalët “fitues” ose “fituesi” në këtë faqe, nuk shfaqet asnjë postim ku publikohet emri apo imazhi i ndonjë personi që ka marrë një shpërblim nga këto lojëra.

Shembull i njërit nga postimet të kësaj faqeje


Faqja “Liria” që nga viti 2021 ka publikuar mbi tridhjetë postime me pretendime se ka organizuar lojëra shpërblyese (shih këtu).

Pas kërkimit në faqen në fjalë me termin “fituesi”, rezultatet tregojnë vetëm një postim ku pretendohet se ekziston një fitues me emrin “A. Berisha” (këtu). Megjithatë, në seksionin e komenteve të këtij postimi vërehen reagime nga përdorues të cilët e kanë cilësuar faqen si mashtruese, duke pretenduar se edhe pse kanë komentuar rezultatin e saktë të kërkuar në postim, komentet e tyre janë fshirë më pas nga faqja. (shih komentet këtu).

Shembull i njërit nga postimet të kësaj faqeje


Faqja tjetër “Ylli.net”, që nga viti 2021 ka publikuar mbi njëzetë përmbajtje që pretendojnë se paraqesin lojë shpërblyese nga kjo faqe (këtu).

Njëjtë si faqja e lartcekur, edhe te kjo faqe vërehet se njëherë është paraqitur gjoja një person fitues “L. Shala”. Po ashtu, në seksionin e komenteve, lexuesit e kanë quajtur këtë faqe si mashtruese, duke kërkuar transparencë lidhur me fituesin e shpërblimit (shih komentet këtu).

Shembull i njërit nga postimet të kësaj faqeje


Fenomeni “Like-farming”

Fenomene të tilla lidhen edhe me praktikën e njohur si “like-farming” (ferma e pëlqimeve). Sipas analizave të publikuara nga Brandwatch (kompani ndërkombëtare që analizon të dhënat dhe trendet në rrjetet sociale), kjo praktikë përdoret për të rritur artificialisht ndërveprimet në rrjete sociale, duke nxitur përdoruesit të bëjnë pëlqime, komente apo shpërndarje të postimeve, çka mund të krijojë përshtypjen e një popullariteti më të madh të një faqeje.


Këto faqe përmes këtyre postimeve, “lojërave shpërblyese”, vërehet se kanë arritur të grumbullojnë së bashku dhjetëra mijëra reagime, komente e shpërndarje.

Duke qenë se nuk ka dëshmi për fitues, ndërsa faqet publikojnë vazhdimisht postime të tilla që kërkojnë ndërveprim, pretendimet se përmes këtyre postimeve shpërndahen realisht shpërblime mbeten të pabazuara dhe potencialisht mashtruese.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere