[email protected]
Cili është roli yt në debatet politike në media?
shape
shape
shape

Shkruan: Argnesë Haxhiaj

Debatet politike janë bërë ngjarja kryesore nëpër mediet tona, jo vetëm gjatë fushatës zgjedhore. Duke qenë pjesë e përditshmërisë sonë, shpesh bisedat tona ditore, postimet në rrjetet sociale orientohen nga çka ofrojnë ato. Në fushata zgjedhore, debatet politike shërbejnë si një lloj platforme për programet politike të partive, ku përveç luajtjes të rolit informues dhe shpjegues nga media edhe audienca duhet ta luajë rolin e saj.

Nëse i shikojmë reagimet e pjesës më të madhe të audiencës gjatë dhe në fund të debatit politik, modeli që përkon me këtë ndërveprim është ai i shikimit pasiv. Kjo mënyrë, ulja para televizionit, shikimi dhe dëgjimi i debateve politike që shfaqen në të, rrezikon audiencën që t’i pranojë si të mirëqena mesazhet e koduara mediatike pa i sfiduar dhe ka shumë të ngjarë të ndikohet drejtpërdrejt nga këto mesazhe.

Ajo se çfarë i duhet një vendi në tranzicion është një shoqëri që është aktive e cila angazhohet, interpreton dhe i përgjigjet një teksti mediatik në mënyra të ndryshme dhe është i aftë të sfidojë idetë e koduara në të. Të dish t’i kuptosh mediet dhe komunikimin, të fuqizon të jesh pranues aktiv dhe kritik i përmbajtjeve mediale dhe të kërkosh një cilësi më të mirë të asaj që të servohet qoftë nga mediet, qoftë nga politikanët. Me këtë grup njohurish dhe shkathtësish, audienca është në gjendje t’i analizojë të gjitha aspektet e debateve televizive, nga sponsorët, te fjalët e kandidatëve, te imazhet dhe teknikat e prodhimit të mediave.

Bazuar në këto, çfarë duhet audienca të bëjë që të mos jetë pasive?

Fillimisht për këtë, publiku duhet paraprakisht të njoh ose të kërkoj informata rreth rrethanat, pozicionet e pjesëmarrësve dhe deklaratat paraprake.

Çfarë duhet të analizohet gjatë shikimit të debatit:

  • Përmbajtjen: Idetë e kandidateve janë të reja apo janë premtime të mëhershme?
  • Teknikat e prodhimit: Ku fokusohet kamera? A ka ndarje të ekranit ku paraqiten reagimet e anëtareve të tjerë? A ka muzikë? Çfarë lloji: Ku përdoret? Si duket skena? Si ndikojnë këto teknika në perceptimin e shikuesit të debatit?
  • Gjuha e kandidatëve: Çfarë frazave/epiteteve përdorin?
  • Përdorimi i hulumtimeve opozitare: A i kanë analizuar pikat e ‘ndjeshme’ të oponentit dhe a i përdorin këto kritika gjatë debateve?
  • Gjuha emocionale: Shpesh kandidatet përdorin fjalë që nxisin emocione, atëherë duhet të analizohet se çfarë ju tregon përdorimi i këtyre fjalëve për kandidatin?
  • Gjuha e trupit: Hulumtimet kanë treguar se gjuha e trupit të një kandidati – shprehjet e fytyrës, gjestet, toni i zërit, pamja (si mëngët e mbështjellura, djathtas) dhe performanca – bëjnë aq shumë për të ndikuar në reagimin e publikut ndaj debateve sesa ato që thonë kandidatët në të vërtetë. Pra, kur një kandidat kritikon një tjetër, audienca duhet të vërejë nëse transmetuesi ndërpritet për të na treguar reagimin.

Tutje audienca duhet të analizojë edhe rolin e moderatorit dhe mediumit në përgjithësi në debat, duke u përgjigjur dhe kushtuar vëmendje detajeve më poshtë:

► A u përgjigjën kandidatët pyetjeve të bëra nga moderatori, apo ata e përdorën kohën kryesisht për të përsëritur deklaratat që janë pjesë e retorikës së tyre të fushatës?

► Sa efektiv ishte moderatori në përpjekjen për t’i mbajtur kandidatët “në temë”?

► Çfarë informacioni të ri, nëse ka, mësuat nga ose për cilindo kandidat?

Dhe duke pasur parasysh se:

► Kush është përgjegjës për krijimin e debatit? 

► Kush i vendos pyetjet? 

► Si përfshihen pjesëtarët e audiencës, në mos fare? 

►Kush është hequr nga pjesëmarrja dhe pse? 

► Cilat tema mund të lihen jashtë dhe pse?

► Si përdoren simbolet, skena, skenari i ndarë, prerjet dhe pse në atë formë, pasi që gjuha e përdorur është unike për secilin medium veç e veç?

► Kush është audienca? 

► Kush përfiton nga këto debate?

► A janë të sponsorizuar? 

► Kush janë reklamuesit?

Nëse audienca shikon një debat në këtë mënyrë analizuese, nuk do të bien pre e qëllimeve të caktuara politike dhe do të kuptojnë që informacionet që shfaqen në media jo çdo herë kanë qëllim informimin. Në këtë mënyrë jo vetëm që do të kemi një shoqëri të edukuar, që di t’i përdor mediat për realizimin e kauzave të mëdha dhe ndryshime shoqërore, por edhe do të kemi rritje të profesionalizimit në media.

Share With Others