info@hibrid.info
Fotografia me helikopterë nuk tregon pamje nga Kosova, por nga Gjermania (2020)
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Në rrjetet sociale po qarkullon një fotografi që paraqet disa helikopterë duke fluturuar mbi një zonë rurale të papërcaktuar.

Pretendimet që shoqërojnë imazhin thonë se bëhet fjalë për helikopterë luftarakë që po fluturojnë mbi territorin e Kosovës, në kuadër të stërvitjes shumëkombëshe “Defender Europe 2025”, me pjesëmarrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ushtrisë amerikane.

Pas verifikimit të imazhit përmes burimeve të hapura, është konfirmuar se fotografia nuk është shkrepur në Kosovë – ajo është realizuar në Gjermani në vitin 2020.

Çfarë faktesh identifikoi hibrid.info lidhur me fotografinë?

Fotografia u publikua të premten (30 maj) nga ish-asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Egzon Azemi, përmes llogarisë së tij në Facebook.

Ajo u shoqërua me përshkrimin: “Mbi tokat e punuara nga duart e arta të bujqëve të Kosovës, po trajnohen të rinjtë e të rejat ushtarak, që t’i dalin zot Republikës. Çdo pëllëmbë e kësaj toke më e zhvilluar e më e sigurtë së kurrë!”.

Deri në momentin e hartimit të këtij artikulli, fotografia është shpërndarë gjithashtu edhe gjatë ditës së premte dhe të shtune (30–31 maj), në faqe të ndryshme në rrjetet sociale, duke u shoqëruar me mbishkrime si: “Kjo foto është shkrepur sot në Republikën e Kosovës”. (këtu, këtu, këtu, këtu)

Pas një kërkimi të kundërt të imazhit (reverse image search) dhe konsultimi me burime të hapura, rezulton se fotografia nuk është shkrepur në Kosovë dhe nuk është aktuale. Ajo është realizuar në Gjermani në vitin 2020 dhe i përket ushtrisë amerikane. (këtu)

Fotografia tregon helikopterë të tipit AH-64 Apache, të njësisë së Brigadës së Luftës Ajrore 12 të Ushtrisë së SHBA-së (12th Combat Aviation Brigade), duke fluturuar mbi zonën e stërvitjes në Gjermani.

Pra, fotografia nuk paraqet pamje nga stërvitja “Defender Europe 2025” në Kosovë, në të cilën po merr pjesë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Defender Europe” është një stërvitje e përbashkët shumëkombëshe e drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA-ve, e krijuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë midis aleatëve dhe partnerëve të SHBA-ve dhe NATO-s. Natyra e tyre është mbrojtëse dhe fokusohet në parandalimin e agresionit. (këtu)

Defender Europe 25 është stërvitja më e madhe ushtarake e Ushtrisë Amerikane në Evropë, që përfshin 25.000 ushtarakë nga 29 shtete të NATO-s dhe partnere. Në zonën e Evropës Juglindore, ku bën pjesë edhe Kosova, po marrin pjesë 12.000 trupa nga 19 vende. Kosova është një nga 18 vendet nikoqire dhe merr pjesë me rreth 1.000 ushtarë të FSK-së, në ushtrime që zhvillohen në Kosovë, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut. Komanda e Divizionit 28 të këmbësorisë amerikane është vendosur në Gjakovë, ndërsa në Babaj të Bokës stërviten njësi të FSK-së me partnerë nga IOWA, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria. Ushtrimet në Kosovë do të zgjasin deri më 9 qershor dhe përfshijnë operacione luftarake, mbrojtëse dhe stabiliteti, përfshirë qitje me municion të vërtetë. Kjo stërvitje dëshmon aftësinë e Kosovës për të pritur dhe menaxhuar operacione ushtarake të përmasave ndërkombëtare. (këtu)


Analiza:

Një fotografi e publikuar në rrjete sociale pretendon se tregon helikopterë amerikanë duke fluturuar mbi Kosovë gjatë ushtrimeve “Defender Europe 25”.

Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u konstatua se fotografia është shkrepur në Gjermani në vitin 2020 dhe nuk lidhet me stërvitjen aktuale në Kosovë.

Bazuar në metodologjinë e punës së hibrid.info, këtë përmbajte e vlerëson si “përmbajtje e paverifikuar”.


Arsyetimi:

 Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others