[email protected]
Goffus nuk ka thënë se “Kosova është partner joefektiv i sigurisë”
shape
shape
shape

Disa media online në gjuhën shqipe kanë publikuar dje (6 korrik) një artikull me pretendimin në titull se zëvendës sekretari i NATO-s, Thomas Goffus, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, e ka konsideruar Kosovën si partner joefektiv i sigurisë, duke vlerësuar gjithashtu se po rrezikon jetën e ushtarëve të aleancës.

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim i bërë përmes titullit, nuk qëndron. Kjo për faktin se Goffus në asnjë rast nuk ka dhënë një deklaratë të tillë.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalet “shqiptarja.com” dhe “report-tv.al”:

https://archive.is/AhyvI#selection-1117.58-1117.71

https://archive.is/ZjqMm


Goffus gjatë takimit që pati me Kurtin është shprehur se ka rënie në koordinimin praktik dhe politik ndërmjet NATO-s dhe Kosovës, por asnjëherë nuk ka thënë se “Kosova tregoi se është partner joefektiv i sigurisë, rrezikoi jetën e ushtarëve tanë”.


Pjesë nga deklarata e Goffus e publikuar në ueb-faqen zyrtare të NATO-s, e përkthyer në shqip:

“Bashkëpunimi në kohë dhe kuptimplotë është i një rëndësie kyçe, siç e kam theksuar edhe në takimet e mia të sotme. Bashkëpunimi efektiv është mënyra se si Kosova demonstron se mund të jetë një partner efektiv i sigurisë për NATO-n. Fatkeqësisht, ne kemi parë një rënie në koordinimin tonë praktik dhe politik. Kjo bie ndesh me aspiratat euroatlantike të popullit kosovar. Unë gjithashtu kam ndarë pritshmërinë time më të fortë se të gjitha marrëveshjet me NATO-n do të respektohen dhe zbatohen. Kjo është thelbësore për të siguruar që bashkëpunimi i fortë ndërmjet NATO-s dhe institucioneve në Kosovë të mos prishet”, tha Goffus.

Gratë dhe burrat e misionit tonë të KFOR-it kanë qenë në detyrë ditë e natë, për shumë vite, larg vendeve të tyre dhe familjeve të tyre, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt këtu në Kosovë. Këta janë të njëjtët burra dhe gra që më 29 maj pësuan sulme të paprovokuara dhe të papranueshme, duke lënë 93 prej tyre të plagosur – disa prej tyre rëndë. Ky është numri më i madh i të lënduarve të KFOR-it në një ditë të vetme që nga viti 1999. Kjo është absolutisht e papranueshme dhe nuk mund të ndodhë më. NATO-ja ua ka bërë të qartë këtë qëndrim edhe autoriteteve serbe. Narrativat e rreme rreth rolit të KFOR-it janë gjithashtu të papranueshme”, u shpreh Goffus. (shih këtu komunikatën e plotë)


Siç edhe shihet në komunikatë, kuptohet se numri dy i NATO-s nuk ka thënë atë që pretendohet në media. Pra, Goffus nuk e ka quajtur Kosovën si partner jo efektiv të sigurisë, e aq më pak se ka rrezikuar jetën e ushtarëve të NATO-s.


Analiza:

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se artikujt e lartcekur të publikuar në disa media online në gjuhën shqipe, kanë vënë tituj të pasaktë, duke iu referuar deklaratës së zëvendës sekretarit të NATO-s, Thomas Goffus.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këta artikuj si “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others