Shkroi: Etrit Rexhepi
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, të enjten (26 qershor), përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, ka reaguar ndaj artikullit të publikuar nga hibrid.info, me titull “Deklarata e ministrit Murati se opozita refuzoi votimin e marrëveshjes për kredinë 90 milionë euro nuk është plotësisht e saktë”.
Në reagimin e tij, Murati thotë se: “Deri në këtë përfundim, autori paska arritur duke përdorur trukun e mashtrimit logjik që në debate njihet si ‘straw man fallacy’”. Poashtu, në këtë postim, ai pretendon se shihet qartë animi politik i autorit të artikullit të publikuar në hibrid.info, “për të shfajësuar LDK-në si subjekt në këtë rast, sepse kuorumi atë ditë ishte pamundësuar nga LDK-ja”.
Çka nuk shkon me pretendimet e ministrit në detyrë?
Pretendimet e Muratit për analizën nuk qëndrojnë, sepse ai pretendon për shtrembërim të qëndrimit të tij qëllimisht, në ndërkohë që analiza nuk i atribuon atij se ka thënë “opozita votoi kundër”, por argumenton saktësisht se përgjithësimi i tij për “refuzimin e opozitës” është i pasaktë dhe i pavlefshëm në kontekstin faktik të votimit. Po ashtu, ministri në detyrë nuk paraqet asnjë fakt të qëndrueshëm që do ta mbështeste pretendimin se autori shfaq anshmëri politike në artikullin e tij të publikuar nga hibrid.info.
Çka është “Straw man fallacy” dhe pse nuk qëndron pretendimi i Muratit për këtë?
“Kur një person e paraqet gabim një argument, teori ose pretendim, dhe më pas, në bazë të asaj paraqitjeje të gabuar, pretendon se e ka hedhur poshtë qëndrimin që e ka interpretuar gabim”. (shih këtu)
Murati ka deklaruar se në tekst është pretenduar se ai ka thënë që opozita ka votuar kundër, në ndërkohë që ai konstaton se ai është deklaruar se opozita ka refuzuar të votojë.
Hibrid.info e ka cituar saktë deklaratën e Muratit dhe nuk pretendon se ai e ka vlerësuar si “votim kundër”, atë të opozitës, por e thekson faktin që ai ka vlerësuar opozitën në mënyrë të përgjithësuar. Në artikullin e hibrid.info, vihet në dukje se në votimin e të cilit i është referuar, PDK dhe AAK votuan pro, dhe vetëm LDK nuk mori pjesë në votim.
Në artikullin e hibrid.info konkludohet se “Deklarata se partitë opozitare kishin refuzuar të votonin nuk qëndron. Kjo pasi marrëveshja nuk u ratifikua për shkak të mungesës së kuorumit, e jo për shkak të votimit kundër.
“Votimi kundër” në këtë rast është përdorur për shpjegim konteksti. Përdorimi i frazës “nuk qëndron” për deklaratën e Muratit, është lidhur me përgjithësimin e fajit ndaj opozitës, jo me shtrembërim të drejtpërdrejtë të fjalëve të tij.
Tutje, në reagimin e tij Murati shkruan “Një tjetër gjë që autori e ka bërë gabim sa i përket edhe refuzimit të partive tjera për të votuar, është edhe vlerësimi i bërë duke u bazuar në një seancë të vetme, kur dihet që marrëveshja në fjalë ishte përsëritur në rend dite për disa herë me radhë deri në përfundim të legjislaturës, dhe deputetët e opozitës kanë pasur më shumë se një mundësi që ta votojnë e kalojnë këtë marrëveshje, por nuk e kanë bërë”.
Fakti që analiza fokusohet në seancën e 23 majit 2024, kur projektligji në fjalë është shqyrtuar për votim, nuk e bën atë të pasaktë. Hibrid.info ka hulumtuar dhe ka gjetur se ky projektligj ishte në rend të ditës në mbledhjet plenare të Kuvendit të Kosovës, të mbajtura më 27 qershor dhe 11 korrik 2024, ku nga transkriptat (shih këtu) për këto data nuk figuron se marrëveshja është hedhur në votim. Në gusht Kuvendi nuk ka mbajtur mbledhje, përderisa në mbledhjet e mbajtura më 12 e 26 shtator (në këtë mbledhje vetëm 71 deputetë kishin marrë pjesë në votim) dhe 10 e 30 tetor, tregohet se i njëjti ka dështuar të votohet në mungesë kuorumi (shih këtu). Kurse në dhjetor, kur edhe janë mbajtur mbledhjet e fundit, kjo marrëveshje nuk është proceduar për votim (shih këtu).

Nga videoja e seancës së mbajtur më 26 shtator 2024, gjatë momentit të këtij votimi, vërehet mungesa (arsyet e së cilës është vështirë të konstatohen) e një pjese të deputetëve nga radhët e partive opozitare të legjislaturës së kaluar në këtë seancë.
Por, nga ajo që shihet, mund të vlerësohet se nuk ka pasur refuzim për të votuar nga deputetët e pranishëm të grupeve parlamentare opozitare. Kjo pasi 69 deputetë nga 71 sa ishin prezent votuan pro. (shih këtu).

Pretendimi i ministrit në detyrë për anim politik në artikullin e hibrid.info
Një tjetër pretendim nga Murati, i cekur në statusin e tij, është se autori i këtij teksti e shfajëson LDK-në dhe, sipas tij, ky shfajësim përbën një anshmëri të qartë politike në artikull.
Hibrid.info nuk e përjashton përgjegjësinë e LDK-së në artikull, por e dokumenton saktë që LDK nuk mori pjesë në votim. Sugjerimi se analiza “shfajëson LDK-në” dhe anon politikisht, është një vlerësim subjektiv i tij, i paraqitur pa asnjë fakt. Duke qenë se dihej numri i përgjithshëm i të pranishmëve në sallë, por jo shpërndarja sipas subjekteve politike dhe duke pasur parasysh se jo të gjithë deputetët e partive shqiptare ishin të pranishëm, hibrid.info ka vlerësuar se ishte e pamundur të përcaktohej me saktësi përgjegjësia e secilës parti për mungesën e kuorumit në këtë rast.
Analiza:
Pretendimet e Muratit për anim politik dhe shtrembërimin e qëndrimit të tij qëllimisht nga ana e autorit në analizën e një deklarate të tij, duke përdorur trukun e mashtrimit logjik që njihet si “straw man fallacy”, nuk qëndrojnë.
Analiza nuk i atribuon atij se ka thënë “opozita votoi kundër”, por argumenton saktësisht se përgjithësimi i tij për “refuzimin e opozitës” është i pasaktë dhe i pavlefshëm në kontekstin faktik të votimit. Po ashtu, ministri në detyrë nuk paraqet asnjë fakt të qëndrueshëm që do ta mbështeste pretendimin se autori shfaq anshmëri politike në artikullin e tij të publikuar nga hibrid.info.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto pretendime si “Teori Konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtjeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.