Përgatiti: Etrit Rexhepi
Në epokën e informacionit, ku qarkullimi i mediave dhe i të dhënave është më i shpejtë dhe më i gjerë se kurrë më parë, aftësia për të kuptuar, analizuar dhe përdorur informacionin në mënyrë kritike dhe të përgjegjshme ka marrë një rëndësi jetike. Edukimi mbi Medien dhe Informacionin (EMI) nuk është më thjesht një komponent shtesë i arsimimit, por është një nevojë themelore për qytetari aktive, pjesëmarrje demokratike dhe zhvillim të qëndrueshëm social, ekonomik dhe kulturor.
Javë Globale të Edukimit Medial e përbën përpjekjën më të dukshme dhe të organizuar për të fuqizuar individët dhe shoqëritë në përdorimin kritik dhe të përgjegjshëm të mediave dhe informacionit.
Nisma e parë për shënimin e edukimit medial u shfaq në Kanada me Javën e Edukimit Medial (JEM). E nisur në 2006, JEM promovonte edukimin medial dhe informativ në shkolla, shtëpi dhe komunitete, duke përfshirë dialog ndërkulturor dhe aktivitet edukativ për të rinjtë. Me mbështetjen e shkollave, bibliotekave dhe organizatave edukative, JEM synonte të krijonte qytetarë të informuar dhe të angazhuar, duke përfshirë krijimin e produkteve mediale nga vetë të rinjtë dhe zhvillimin e burimeve dhe programeve edukative. Qëllimi ishte të integrohej edukimi medial në mënyrë të përhershme në shkolla dhe shtëpi, si një mjet për qytetari aktive dhe përgjegjësi demokratike (shih këtu).
Në Fez, Marok, 2011, u organizua Forumi i Parë Ndërkombëtar për Edukimin mbi Medien dhe Informacionin (EMI), me pjesëmarrjen e mbi 200 ekspertëve, akademikëve dhe profesionistëve nga 40 vende dhe pesë kontinente, si dhe me mbështetjen e UNESCO-s, ICESCO-s, ABEGS dhe UNAOC. Forumi synonte promovimin e EMI si e drejtë themelore njerëzore, të nxisë pjesëmarrjen aktive qytetare, zhvillimin social, ekonomik dhe kulturor, si dhe dialogun ndërkulturor dhe paqen globale. Pjesëmarrësit rikonfirmuan rëndësinë e integrimit të EMI në kurrikulat edukative, zhvillimin e aftësive kritike dhe etike të të rinjve dhe profesionistëve të medias, prodhimin e përmbajtjeve nga përdoruesit dhe bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar. Ata gjithashtu rekomanduan krijimin e instituteve rajonale dhe rrjeteve ndërkombëtare për EMI, organizimin e Javës Botërore të EMI dhe mbajtjen e edicioneve të rregullta të forumit për të forcuar EMI si bazë për zhvillim të qëndrueshëm dhe paqe globale (shih këtu).
Duke u nisur nga Deklarata e Fezit në Marok, për të fuqizuar individët dhe shoqëritë në përdorimin kritik dhe të përgjegjshëm të informacionit dhe mediave, u krijua formalisht Java Globale e Edukimit mbi Mediet dhe Informacionin (Global MIL Week), nga UNESCO në vitin 2011. Gjatë sesionit të 40-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, kjo javë u njoh zyrtarisht si ngjarje ndërkombëtare dhe u vendos të mbahet çdo vit nga 24 deri më 31 tetor, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të politikave dhe programeve të MIL në nivel global (shih këtu).
Si përfundim, kjo javë u shpall zyrtarisht nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në 2021, me anë të një rezolute të miratuar në këtë organizatë dhe mbahet çdo vit nga 24 deri më 31 tetor, duke promovuar qasjen në informacion, lirinë e shprehjes dhe luftimin e dezinformatave (shih këtu).
Konferenca e sivjetshme (2025) e Javës Globale të Edukimit mbi Medien dhe Informacionin do të organizohet nga UNESCO dhe Republika e Kolumbisë më 23 dhe 24 tetor 2025, në Cartagena de Indias, Kolumbi. Këtë vit, fokusi do të jetë në ndërthurjen midis edukimit për mediet dhe informacionin (EMI) dhe inteligjencës artificiale (IA), duke eksploruar mënyrën se si IA po e transformon peizazhin e informacionit dhe pse zhvillimi i aftësive të EMI mbetet thelbësor për të fuqizuar individët që të angazhohen në mënyrë kritike me përmbajtjet e krijuara nga IA (shih këtu).