[email protected]
Muaji shkurt: Tërmeti në Turqi ishte tema mbi të cilën u keqinformua më së shumti, Albin Kurti figura më e përfolur
shape
shape
shape

Tërmeti në Turqi, raportime të paqarta për vrasje, keqinformime për kryeministrin Albin Kurti, mashtrime me shitblerje, ishin temat kryesore të keqinformimt gjatë muajit shkurt 2023.

Gjatë muajit shkurt ka pasur më pak raportime, që nënkupton edhe më pak keqinformime, për veriun e Kosovës, komunat me shumicë serbe dhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Tërmeti në Turqi, informacionet dhe pamjet e pa konfirmuara rreth kësaj ngjarjeje ka qenë tema që më së shumti u përdor për keqinformim. Kjo dëshmon edhe njëherë që temat më aktuale, vazhdojnë të përdorën edhe për prodhim e shpërndarje të keqinformimit.

Fusha në të cilën më së shumti është keqinformuar është kronika e zezë, pasuar nga politika dhe sociale.

Clickbait, si formë e keqinformimit, kryeson listën gjatë këtij muaji në kategoritë vlerësuese të keqinformimit.

Në monitorimin e bërë gjatë muajit shkurt si lloj i publikuesve janë përshirë edhe mediat sociale, krahas mediave reale dhe portaleve të dyshimta. Si rezultat i monitorimit del që mediat sociale (ku dominon Facebook-u pasuar nga TikTok-u) kanë qenë gjeneratori kryesor i çrregullimit informativ.

Gjatë muajit shkurt nuk është përfolur ndonjë institucion në keqinformim, ndërsa Albin Kurti vazhdon të jetë figura më e përfolur.

Këto të dhëna, dolën nga raporti monitorues që paraqet gjendjen e keqinformimit për muajin shkurt të vitit 2023 tek përmbajtjet që ndërlidhen me Kosovën, bazuar në të dhënat e siguruara nga platforma për kontroll të fakteve – hibrid.info. Raporti është i ideuar nga platforma për kontroll të fakteve hibrid.info, pjesë e OJQ-së kosovare “Action for Democratic Society” (ADS) dhe mbështetët nga fondacioni amerikan “National Endowment for Democarcy” (NED) në kuadër të projektit “Promovimi i Gazetarisë Objektive dhe Luftimit të Dezinformatës”.

Monitorimi për muajin shkurt 2023 tregon se mediat kanë krijuar e shpërndarë më së shumti artikuj keqinformues në kategoritë clickbait me 26%, pasuar nga dezinformatat me 18% dhe lajmet e rreme me 14%. Vlerësime “Clickbait” kanë marrë më së shumti publikimet në fushën sociale dhe të kronikës së zezë, si dhe temat politike, të sigurisë dhe sundimit të ligjit, siç janë disa artikuj të paqartë për vrasje, çmimet, energjia elektrike, rritja e pagave, liberalizimi i vizave, Gjykata Speciale etj. Në kategorinë “Dezinformatë” kanë dominuar keqinformimet e kronikës së zezë, kuriozitetet, politika, siguria e shëndetësia, të cilat trajtojnë tërmetin në Turqi, motin, lijën e majmunëve, zhvillimet në veriun e Kosovës etj. Edhe në kategorinë “Lajme të rreme”, publikimet kryesore janë për tërmetin në Turqi dhe disa artikuj që trajtojnë tema politike.

Gjatë muajit shkurt 2023, temat kryesore te keqinformimit kanë qenë tërmeti në Turqi, raportime të paqarta për vrasje, keqinformime për kryeministrin Albin Kurti, shitblerje etj. Ajo që e dallon këtë muaj monitorues është se ka pasur dukshëm më pak raportime për veriun e Kosovës, komunat me shumicë serbe dhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Këto publikime janë krijuar dhe shpërndarë në mediat reale, mediat sociale dhe portale të dyshimta në gjuhën shqipe, ndërsa artikujt me tematikë politike dhe të sigurisë janë publikuar nga mediat në gjuhën serbe, megjithëse ato ishin në përqindje të vogël krahasuar me periudhat e mëhershme monitoruese. Ndërsa, fushat kryesore të keqinformimit janë kronika e zezë prej 30%, politika me 20% dhe çështjet sociale 12%.

Pjesa më e madhe e artikujve keqinformues gjatë këtij muaji janë publikuar në mediat sociale prej 38%, të cilat pasohen nga mediat reale me 37% dhe portalet e dyshimta 25%. Sa i përket mediave sociale, në Facebook (64%), TikTok (29%) dhe YouTube (7%) janë shpërndarë përmbajtjet keqinformuese. Të gjithë artikujt e mediave sociale janë në gjuhën shqipe që trajtojnë tema të ndryshme nga kronika e zezë, kuriozitetet dhe politika që kanë marrë vlerësime të lajmeve të rreme, dezinformatës dhe teorisë konspirative. Pos kësaj, mbi 90% e publikimeve këtë muaj janë krijuar nga mediat në gjuhën shqipe dhe vetëm 8% nga ato në gjuhën serbe. Artikujt keqinformues të publikuar nga mediat në gjuhën shqipe kanë trajtuar tema të ndryshme në kuadër të kronikës së zezë, politikës, çështjeve sociale, kuriozitete dhe shpallje të ndryshme. Ndërkaq, mediat në gjuhën serbe kanë raportuar për keqinformime në fushën politike dhe të sigurisë lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe pretendime pa fakte se disa incidente në komunat me shumicë serbe në Kosovë janë të motivuara etnikisht.

Në krahasim me periudhat e mëhershme monitoruese, gjatë këtij muaji (shkurt 2023), mediat dhe publikuesit e artikujve keqinformues nuk kanë përfolur ndonjë institucion. Ndërsa, kryeministri Albin Kurti vazhdon të jetë edhe këtë muaj më i përfoluri nga portalet e dyshimta dhe publikuesit e mediave sociale në gjuhën shqipe, si dhe nga media reale në gjuhën serbe për tema në fushën politike dhe të sigurisë.

Share With Others