Përmes përdorimit gjithnjë e më të madh të inteligjencës artificiale (IA), në mediat sociale dhe platformat e tjera online po shpërndahet një sasi e madhe përmbajtjesh të krijuara automatikisht, të cilat shpesh karakterizohen nga cilësia e ulët dhe mungesa e vlerës informative. Ky fenomen njihet si “AI Slop” dhe përfshin fotografi, video, tekste dhe materiale të tjera digjitale që prodhohen në masë, shpesh me pak përpjekje dhe pa përmbajtje domethënëse.
Fenomeni ka marrë vëmendje të shtuar me përhapjen e mjeteve të inteligjencës artificiale gjeneruese, të cilat mundësojnë krijimin e përmbajtjeve brenda pak sekondash. Si rrjedhojë, përdoruesit po përballen me një numër gjithnjë e më të madh materialesh të tilla në platformat ku informohen dhe kalojnë kohën e tyre.
Çka është “AI Slop”?
Termi “AI Slop” përdoret për të përshkruar përmbajtjet digjitale me cilësi të ulët, të prodhuara në sasi të mëdha përmes inteligjencës artificiale. Ato mund të përfshijnë fotografi joreale, video absurde, tekste të përgjithshme, artikuj me informacion të përsëritur, si dhe materiale që duken bindëse, por nuk ofrojnë ndonjë vlerë të mirëfilltë informative.
Sipas një shpjegimi të publikuar nga Universiteti i Ohajos në korrik 2026 (shih këtu), përmbajtjet e tilla zakonisht karakterizohen nga cilësia e ulët, përpjekja minimale për krijimin e tyre, prodhimi në sasi të mëdha dhe përdorimi i inteligjencës artificiale.
Disa shembuj të këtij fenomeni janë fotografitë e kafshëve në situata të pazakonta, videot me skena që nuk mund të ndodhin në realitet, ilustrimet e çuditshme dhe historitë e sajuara që paraqiten në formë përmbajtjesh argëtuese apo informative.
Megjithatë, jo çdo përmbajtje e krijuar me inteligjencë artificiale konsiderohet “AI Slop”. Ky term lidhet kryesisht me materialet që prodhohen në masë, kanë cilësi të dobët dhe ofrojnë pak ose aspak vlerë për publikun.
Pse po përhapet ky fenomen?
Një nga faktorët që ndikon në përhapjen e “AI Slop” është mënyra se si funksionojnë platformat e rrjeteve sociale, ku vëmendja dhe ndërveprimi i përdoruesve kanë rëndësi të madhe.
Përmbajtjet që marrin shikime, komente dhe shpërndarje mund të arrijnë audienca më të mëdha. Në këtë kontekst, materialet e prodhuara me IA mund të shërbejnë si një mënyrë e shpejtë për të krijuar vazhdimisht përmbajtje dhe për të tërhequr vëmendjen e përdoruesve.
Sipas ekspertëve të cituar nga Universiteti i Ohajos, përmbajtjet e tilla mund të tërheqin vëmendjen edhe përmes reagimeve negative. Për shembull, një video absurde mund t’i nxisë përdoruesit të komentojnë për ta kritikuar ose për të shprehur habinë e tyre. Edhe këto reagime mund të kontribuojnë në rritjen e ndërveprimit me publikimin.
Një tjetër aspekt është mundësia e përfitimit financiar. Në një artikull të publikuar në gusht 2025, gazeta amerikane “The Washington Post” trajtoi mënyrën se si disa krijues po përdorin mjetet e AI-së për të prodhuar video në sasi të mëdha dhe për të përfituar nga programet e monetizimit në platformat sociale.
Në artikullin “Making cash off ‘AI slop’: The surreal business of AI video” (shih këtu), përshkruhet rasti i një krijuesi që përdori inteligjencën artificiale për të prodhuar dhjetëra video të sajuara për TikTok, duke krijuar një audiencë të madhe dhe duke gjeneruar të ardhura nga përmbajtjet e publikuara.
Kjo tregon se për disa krijues, prodhimi i përmbajtjeve të tilla nuk lidhet domosdoshmërisht me ofrimin e informacionit apo krijimin e materialeve me vlerë, por me mundësinë për të tërhequr sa më shumë shikime.
Si ndikon “AI Slop” në cilësinë e informacionit?
Përhapja e përmbajtjeve të tilla paraqet sfida për mjedisin informativ në internet. Kur përdoruesit përballen me një sasi të madhe materialesh të prodhuara automatikisht, bëhet më e vështirë të dallojnë përmbajtjen me vlerë nga ajo që është krijuar vetëm për të tërhequr vëmendjen.
Instituti për Gazetari në Universitetin e Oksfordit (shih këtu), në një analizë të publikuar në nëntor 2024, thekson se “AI Slop” nuk kufizohet vetëm në fotografi dhe video, por mund të shfaqet edhe në formën e teksteve, artikujve dhe ueb-faqeve të tëra.
Një shqetësim i veçantë lidhet me përmbajtjet që përmbajnë pasaktësi të paraqitura me një gjuhë bindëse. Këto materiale mund të krijojnë përshtypjen se informacioni është i saktë, edhe kur përmbajnë gabime, thjeshtime të tepruara apo mungesë të kontekstit të nevojshëm.
Po ashtu, duhet bërë dallimi mes përmbajtjeve të pavlera të gjeneruara me IA dhe dezinformatave. Jo çdo material i tillë synon të mashtrojë publikun. Disa krijohen për argëtim ose për të gjeneruar shikime, ndërsa të tjera mund të përmbajnë informacione të pasakta ose të përdoren për të shpërndarë pretendime mashtruese.