[email protected]
Rishikimi i javës: Clickbait artikuj nga portale informative, dezinformata rreth konfliktit Izrael-Hamas, përmbajtje mashtruese në mediat sociale
shape
shape
shape
EDU

Përmbajtjet clickbait kanë dominuar ekosistemin keqinformues në gjuhën shqipe gjatë javës që shkoi.

Artikujt që janë vlerësuar si clickbait ishin lidhur me ngjarje të ndryshme kryesisht të publikuara në portale informative për raste tragjike, tërmete, skandale seksuale, humbje jete, plagosje, vrasje, që nuk kishin ndodhur në hapësirën shqipfolëse dhe nuk ju ishte bërë e ditur në tituj vendndodhja e ngjarjes.

Dezinformatat janë publikuar në mediat sociale ndërlidhur me konfliktin Izrael-Hamas, portale informative për një deklaratë të Ganimete Musliu, dhe mediat në gjuhën serbe me pretendimin e rremë se portieri i përfaqësueses së Izraelit, nuk do të luante kundër Kosovës.

Përmbajtja e publikuar në portalin e dyshimtë e vlerësuar si dezinformatë / clickbait kishte të bënte me pretendimin se Gjermania ka nevojë për punëtorë edhe në këtë kohë.

Në median sociale TikTok, u publikua një përmbajtje e paverifikuar me pretendimin se pamjet tregojnë gjendjen e një rruge në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, në vitin 2023.

Përmbajtjet mashtruese u publikuan në mediat sociale, me keqpërdorimin e figurës së Behgjet Pacollit dhe logon e Qendrës Tregtare “Toptani” në Shqipëri. Po ashtu, u publikua edhe një fotografi e presidentit të SHBA-ve, Joe Biden i cili shihet të ketë veshur pelena.

Deklaratë nga Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ku kishte deklaruar më 27 tetor, se procesi i regjistrimit të popullsisë do të fillojë me datën e paraparë dhe për këtë gjë nuk ka tjetër vendim. Por, 16 ditë prej kur është dashur të filloi ky proces, hibrid.info ka verifikuar se zbatimi i këtij vendimi ende nuk ka filluar.

Clickbait

Portali informativ “Kosova-sot.info”, ka publikuar një artikull me titull “Derisa po shkonte në spital për të lindur, e reja dhe foshnja humbin jetën në aksident”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i artikullit është përgjithësues, i cili nuk sqaron se në cilin shtet ka ndodhur kjo ngjarje. Lajmi bëhet i qartë vetëm në përmbajtje, më saktësisht në kreun e lajmit ku thuhet se “Një grua shtatzënë, foshnja e saj e palindur dhe nëna e saj vdiqën tragjikisht në Brazil, pas një aksidenti automobilistik”. (këtu)

Portali informativ “Botasot.info” ka publikuar një artikull me titull “Trafikonin foshnjat/ Gjashtë të arrestuar, mes tyre dhe drejtori i spitalit”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i artikullit është përgjithësues, pasi nuk sqaron se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Lajmi qartësohet në përmbajtje, ku thuhet “Gjashtë persona janë arrestuar në provincën Hubei të Kinës qendrore për përfshirje në një rrjet të trafikut të foshnjave të lidhura me një spital në një nga qytetet më të mëdha të provincës”. (këtu)

Portali informativ “sot.com.al” me datë 12 nëntor ka publikuar një artikull me titull “Tërmet me magnitudë 5.2 ballë “shkund” vendin, ja ku ishte epiqendra”. Pas verifikimit të bërë nga Hibrid.info është gjetur se titulli i artikullit nuk e qartëson se në cilin vend ka ndodhur tërmeti. Vendndodhja e ngjarjes tregohet në përmbajtje, më saktësisht në kreun e artikullit, ku thuhet “Një tërmet me magnitudë 5.2 u regjistrua natën mes së shtunës dhe të dielës në Timor të Indonezisë”. (këtu)

Mediumi online në gjuhën shqipe “Tirananews.al” ka publikuar një artikull me titull, “Skandal seksual në burg, të përfshirë zyrtarë. Zbulohen orgjitë e stafit dhe festat në xhakuzi”. Hibrid.info ka verifikuar dhe ka gjetur se titulli i këtij artikulli nuk sqaron se në burgun e cilit shtet ka ndodhur ngjarja, andaj edhe titulli si i tillë konsiderohet përgjithësues. Lajmi qartësohet në përmbajtje, më saktësisht në kreun e lajmit, ku thuhet “Burgu Lantin është burgu më i madh në Belgjikë, dhe ka shkaktuar polemika pas një skandali seksual”. (këtu)

Portali informativ në gjuhën shqipe që mban emrin “sot.com.al” ka publikuar një artikull me titull “Plagosën me thikë 19 vjeçarin, e pësojnë keq dy të rinjtë”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, i cili nuk sqaron se në cilin shtet ka ndodhur kjo ngjarje. Lajmi bëhet i qartë vetëm në përmbajtje, më saktësisht në kreun e lajmit ku thuhet se “Një 19-vjeçar është vrarë me thikë në qytetin Wolverhampton, në Anglinë qendrore”. (këtu)

Portali informativ më përmbajtje në gjuhën shqipe “Kosova-sot.info”, ka publikuar një artikull me titull “Arrestohet psikologu për abuzim me pacientë”. Hibrid.info ka vlerësuar titullin e këtij artikulli si përgjithësues pasi nuk e sqaron se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Vendndodhja e ngjarjes sqarohet në përmbajtjen më saktësisht në kreun e artikullit, ku thuhet se “Sot në qytetin toskan të Montecatini Terme pranë Pistoia është arrestuar një psikolog italian nën akuzën e abuzimit seksual të të miturve nën kujdesin e tij, thanë burime gjyqësore”. (këtu)

Portali informativ në gjuhën shqipe që mban emrin “sot.com.al” ka publikuar një artikull me titull “Ngjarje e rëndë/ Vritet gazetari i njohur, gjendet i pajetë brenda makinës, dyshohet se…”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, i cili nuk sqaron se në cilin shtet ka ndodhur kjo ngjarje. Lajmi bëhet i qartë vetëm në përmbajtje, më saktësisht në kreun e lajmit ku thuhet se “Një fotoreporter meksikan u vra të enjten nga një person i armatosur në Ciudad Juarez, në veri të Meksikës, në kufirin me SHBA, sipas autoriteteve lokale.”. (këtu)

Dezinformatë

Llogaria në Facebook me emrin “Al Khattab” ka publikuar një imazh që paraqet pamje të një tuneli. Llogaria në fjalë pretendon se imazhi shfaq një tunel të rremë, ku ka ndodhur një shpërthim, pas së cilit kanë humbur jetën pesë persona dhe katër të tjerë të lënduar nga komandot izraelite, që kishin rënë pre e këtij tuneli të rremë. Por pas verifikimit nga hibrid.info, është vërtetuar se imazhi është i vjetër dhe se pretendimi i publikuar nga llogaria në fjalë, nuk qëndron. (këtu)

Mediumi në gjuhën serbe blic.rs ka publikuar një artikull më 1 nëntor me pretendimin se portieri i kombëtares së Izraelit në futboll, Omri Glazer nuk do të paraqitet në ndeshje kundër Kosovës. Ky pretendim u ndërlidh me faktin se Glazer është portier edhe në klubin futbollistik, Crvena Zvezda të Beogradit, dhe për shkak të Kosovës e se i duhet ekipit, ai nuk do të paraqitet në ndeshje me Kosovën. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info pretendimi në fjalë doli të jetë i paqëndrueshëm. (këtu)

Faqja në Facebook “Mesxhid El-Aksa” që publikon përmbajtje në gjuhën shqipe, ka postuar një video-material në të cilën paraqitet një pjesë e një qyteti të shkatërruar. Me anë të këtij video-materiali, faqja e lartcekur pretendon se pamjet janë të datës 16 nëntor dhe paraqesin qytetin e shkatërruar të Gazës. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se video është e vjetër dhe paraqet pamje të qytetin Homs në Siri. (këtu)

Portali informativ “Kosova Sot” bazuar në një deklarim në kuvendin e Kosovës, të Ganimete Musliut, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka publikuar një artikull me titull “Ankohet Ganimete Musliu: Qytetarët e Kosovës për tri vjet rresht u keqtrajtuan nga Qeveria e Albin Kurtit”. I njëjti artikull është publikuar në Facebook bashkangjitur si vegëz, imazhit të deputetes Musliu në të cilin shkruan “Ganimete Musliu: Qytetarët e Kosovës për tri vjet rresht u keqtrajtuan nga Qeveria e Albin Kurtit”. Mirëpo pas hulumtimit, hibrid.info ka gjetur se në mbishkrimin e këtij postimi në Facebook, është shtuar deklarata se deputetja Musliu është shprehur se “Kur ishim ne lulëzonte Kosova”, deklarim të cilin nuk e gjejmë as në artikullin e publikuar në ueb-faqen e “Kosova Sot” e as në deklarimet e deputetes në kuvend. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Llogaria në TikTok që mban emrin “bisha__666” ka publikuar një video-material që shfaq pamje të një rruge të dëmtuar. Mbishkrimi në video-material pretendon se pamjet tregojnë gjendjen e një rruge në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, në vitin 2023. Duke u bazuar në komentet në video-material që e vënë dyshim vend-ndodhjen e pretenduar të kësaj rruge, hibrid.info ka verifikuar dhe vërtetuar se pamjet më të vjetra janë të gjetura në vitin 2020 dhe se nuk ka konfirmim se ato janë marrë nga Tetova. (këtu)

Dezinformatë / Clickbait

Portali i dyshimtë “gazetafikse.info” ka publikuar një artikull me titull “Gjermania ka nevojë për punëtorë edhe në këtë kohë, Ja çfarë ju duhet që të dini”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se lajmi është i vjetër, i publikuar në vitin 2021. Në përmbajtje të artikullit sqarohet se atëkohë (2021), përmes një sondazhi, të bërë nga një Fondacion gjerman, me përfaqësuesit e sipërmarrjeve në Gjermani, kishte rezultuar se 54% e sipërmarrjeve do të kenë nevojë për punëtorët e huaj. (këtu)

Mashtrim

Një faqe në Facebook që mban emrin “Toptani Shopping Center” që numëron mbi 1 mijë ndjekës, pretendon se ka në shitje çanta të mëdha rrobash nga marka të njohura për vetëm 1 euro. Me anë të këtij postimi, faqja e lartcekur fton që personat e interesuar të klikojnë mbi butonin që shfaqet në postim, me pretendimin e rremë se aty gjendet mundësia që të bëhet porosia online. Kjo faqe, në seksionin e informatave “About”, shfaq një adresë në Filipine dhe një numër kontakti me prefiks të shtetit të Filipineve (+63 916 395 9826).Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka vërtetuar se faqja e lartcekur ka përdorur logon dhe emrin e qendrës tregtare “Toptani” në Shqipëri. (këtu)

Një faqe në median sociale Facebook që mban emrin “𝕭𝖊𝖌𝖏𝖊𝖙 𝕻𝖆𝖈𝖔𝖑𝖎” ka publikuar një video-material të gjatë mbi 3 orë, duke pretenduar se kryetari i subjektit politik Aleanca Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, përmes një video-paraqitje të drejtpërdrejtë, po e paralajmëron një shpërblim për audiencën. Në përshkrimin e këtij video-materiali shkruan “oti ju bekofte te gjitheve!! 300 personat e parë që do të thonë “Përshëndetje”, do t’u jap 10,000 € fatlumëve, tani e tutje”. Hibrid.info ka verifikuar këtë video-material, i cili është vërtetuar se është i vjetër, i publikuar në vitin 2016 dhe nuk ka të bëjë me ndonjë shpërblim për audiencën, siç pretendohet nga faqja e lartcekur. (këtu)

Faqja në Facebook “Mesxhid El-Aksa” që publikon përmbajtje në gjuhën shqipe, ka postuar një fotografi të presidentit të SHBA-së, Joe Biden i cili shihet të ketë veshur pelena. Por që hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka gjetur se në fotografi është ndërhyrë, duke gjetur se fotografia e Bidenit ku shihet të ketë veshur pelena është e montuar. (këtu)

Kontrolli dhe vlerësimi i deklaratave

Qeveria e Kosovës më 23 gusht të këtij viti kishte marrë vendim që procesi i regjistrimit të popullsisë të nisë me 1 nëntor të po këtij viti. Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, kishte deklaruar më 27 tetor, se procesi i regjistrimit të popullsisë do të fillojë me datën e paraparë dhe për këtë gjë nuk ka tjetër vendim. 16 ditë prej kur është dashur të filloi ky proces, hibrid.info ka verifikuar se zbatimi i këtij vendimi ende nuk ka filluar. (këtu)

Share With Others