[email protected]
Karikatura me narrativ konspiracionist për dëmtimin e varrezave serbe
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Portali informativ në gjuhën serbe “Kosovo-online.com” përdor karikaturat si një formë për të shprehur qëndrimet e tij editoriale. Përmes këtyre ilustrimeve, portali adreson dhe komentoi zhvillimet aktuale, duke theksuar këndvështrimet dhe narrativat që përfaqëson.

Më datë 13 dhjetor 2024, portali informativ në gjuhën serbe “Kosovo-online.com” ka publikuar një karikaturë ku paraqitet një person duke bërë një selfie, i buzëqeshur dhe me gishtat në formën e simbolit të paqes, në një zonë të hapur ku shihen varre të shkatërruara. Personi në karikaturë është ilustruar me plis, duke nënkuptuar që ky person simbolizon shqiptarin. Në sfond janë të dukshme kryqe të rrëzuara, një kafkë dhe një lopatë, që krijojnë një ambient të rëndë dhe simbolik. Në cepin e majtë poshtë është logoja e portalit “Kosovo Online”.

Kjo karikaturë u publikua më 13 dhjetor 2024, pas pretendimeve të Manastirit të Draganacit se varrezat e komunitetit serb në Gjilan janë dëmtuar. Pretendimet u shoqëruan me disa fotografi të publikuara në Instagram nga Manastiri.

Përmbajtja e karikaturës së publikuar në portalin “Kosovo-online.com” përçon mesazhin se kryesit e dëmtimit të varrezave janë shqiptarët, megjithëse nuk ofrohen fakte për të mbështetur këtë pretendim. Në mënyrë ironike, karikatura ilustron një person, i cili përfaqëson simbolikisht këtë narrativë, duke bërë selfie në një ambient me varreza të shkatërruara, kryqe të rrëzuara dhe elemente të tjera që nxisin provokime vizuale. Kjo qasje pasqyron qëndrimin editorial të portalit dhe përdorimin e karikaturës si mjet për të forcuar këtë narrativë, pavarësisht mungesës së provave konkrete.

Karikatura pasqyron narrativën se shqiptarët janë përgjegjës për dëmtimin e varrezave të komunitetit serb në Gjilan. Kjo narrativë është përçuar në mënyrë të tërthortë përmes ilustrimit provokues dhe ironik, duke sugjeruar fajësinë pa ofruar fakte konkrete.

Konteksti i ngjarjes

Pas vizitës në varrezat serbe në Gjilan, murgjit e manastirit të Draganacit raportuan një pamje “shkatërruese” me “monumente të prishura” dhe “kryqe të shkatërruara”, pa drejtuar akuza ndaj askujt.

Në një postim në Instagram, ata shkruan: “Sot patëm mundësinë të vizitonim varrezat serbe në Gjilan. Varrezat shqiptare dhe serbe ndodhen ngjitur, por pamja është krejtësisht e ndryshme. Në njërën anë ka rregull, gjelbërim dhe monumente të mirëmbajtura, ndërsa në anën tjetër janë të shkatërruara, emrat janë fshirë dhe barishtet e egra kanë mbuluar gjithçka – një shenjë e dobët e një qyteti që dikur kishte mbi 15,000 serbë. Edhe ata që janë ende gjallë, nuk po kalojnë më mirë”.

Petar Petkoviq, duke komentuar postimin e Manastirit të Draganacit, i cili u bë lajm në mediat serbe, shpalli në platformën “X” se “që nga viti 1999, janë shkatërruar 10 mijë varre serbe në Kosovë”.

Ai shtoi: “Të njëjtin fat patën edhe varrezat e Gjilanit, një qytet i pastruar etnikisht nga serbët. Ndërkohë që Prishtina dhe Kurti po persekutojnë serbët, ekstremistët e tyre ende nuk po u japin paqe të vdekurve serbë, varrezat janë shkatërruar, përdhosur dhe shoshitur nga plumbat”, duke aluduar se ky akt në varrezat e Gjilanit është kryer nga shqiptarët.

Policia e Kosovës është deklaruar në lidhje me pretendimet e ngritura nga Petar Petkoviq, duke thënë se njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë verifikuar informacionet.

Valon Osmani, zyrtar për informim nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, në një përgjigje për Hibrid.info, deklaroi se “pas hetimeve, është konstatuar se nuk bëhet fjalë për ndonjë dëmtim të ri, por për një rast të evidentuar që prej disa vitesh më parë”.

Pretendimet për dëmtimin e varrezave serbe në Kosovë

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe shefi i saj, Petar Petkoviq, shpesh përpiqen të krijojnë një narracion që thekson rritjen e incidenteve ndëretnike në Kosovë, ku serbët janë në shënjestër. Hibrid.info ka trajtuar disa raste të dëmtimit të varrezave serbe, duke i interpretuar ato si veprime të kryera nga ekstremistët shqiptarë pa ofruar fakte, edhe pse, sipas Policisë së Kosovës nuk dihen kryesit e veprës.

Një rast i tillë është dëmtimi i varrezave serbe në Kishnicë të Graçanicës (dhjetor 2021), ku Zyra për Kosovën e konsideron veprimin si të motivuar etnikisht, ndërkohë që Policia e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë informacion rreth rastit.

Po ashtu, në rastin e dëmtimit të një varri në varrezat serbe në Kllokot (tetor 2022), Zyra për Kosovën interpreton këtë si një akt të kryer nga “shqiptarët të shtyrë nga urrejtja ndëretnike”, megjithatë, raportimet e Policisë së Kosovës thonë se familjarët e të ndjerit nuk dyshojnë në askënd për këtë ngjarje.

Si dhe rasti në Jug të Mitrovicës (nëntor 2022), ku nuk ka prova që të vërtetojnë se ky veprim është kryer nga shqiptarët.

Share With Others

Translate »