Shkroi: Fatbardh Dema
Nëpërmjet disa postimeve në Facebook është pretenduar se kryeministri në detyrë dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Albin Kurti, ka zbuluar emra nga kabineti me të cilin synon të udhëheqë Qeverinë e re.
“Ja EMRAT që priten në poste kyçe”, mban mbishkrimin një imazh në të cilin shihet Kurti duke folur para mediave. Publikimi u bë nga faqja “1shipost” më 4 shkurt.
E njëjta faqe për pak orë pas postimit të parë ka publikuar edhe fotografi të tjera që lidhen me pretendime të ngjashme. Në dy raste ajo ka postuar imazhin e njëjtë të Kurtit, por duke ua ndryshuar mbishkrimin. Njëri publikim e ka mbishkrimin “Zyrtare Ja kush do të jetë Ministër i punëve të mbrendshme”, ndërsa tjetri “Zyrtare Ja çfar posti merr Albulena Haxhiu”.
Ndërkohë, faqja e njëjtë e ka publikuar edhe një imazh tjetër të Kurtit me mbishkrimin “KURTI ZBULON DETAJE PER QEVERIN E RE: KUSH MBETET DHE KUSH SHTOHET NE LISTEN E MINISTRAVE”.
Të gjitha publikimet shoqërohen me pretendimin se artikulli përmban video. Vegëza e artikullit është e njëjta në të gjitha postimet. Ajo çon në artikullin në uebfaqen “topm1.net” me titullin: “Albin Kurti zbulon kabinetin e ri të Qeverisë – Ja EMRAT që priten në poste kyçe”. Titulli përsëritet edhe brenda artikullit, ndërsa më poshtë gjendet vetëm një video e publikuar nga faqja e mediumit “IndeksOnline” në Facebook.
E vërteta?
Kurti, që me LVV-në mori më shumë se 50 për qind të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare (sipas rezultateve përfundimtare), nuk ka përmendur emra specifikë që do t’i prezantojë si pjesë të kabinetit të ri qeverisës. Kjo konfirmohet edhe nga vetë videoja e përfshirë në artikull. “IndeksOnline” për këtë deklaratë të Kurtit ka vendosur titullin: “‘Do të ketë shumë prej emrave që i kemi…’”, Albin Kurti flet për kabinetin e ri të Qeverisë”.
Çfarë tha Kurti:
“Do të ketë shumë prej emrave që tashmë i kam prezantuar edhe unë dhe Glauk Konjufca vjeshtën e vitit të kaluar, mirëpo nuk do të jenë identikë. Pra do të ketë edhe emra të tjerë”, ka thënë ai në pyetjen e gazetarëve, pas përurimit të investimeve në efiçiencë të energjisë në një shkollë në Podujevë.
Pra ai nuk ka përmendur asnjë emër e asnjë post specifik duke e lënë të hapur mundësinë që cilido emër që është përmendur në të kaluarën të mund të ndërrohet.
Kurti dhe Konjufca patën dështuar në fund të vitit 2025 për të formuar qeverinë në dy tentativa. Për shkak të dështimit, vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Cilët emra i kishte përmendur Kurti më 26 tetor 2025, kur ishte mandatuar për kryeministër (shih transkriptin e seancës së Kuvendit):
- Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca,
- Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla,
- Zëvendëskryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka,
- Ministër i Financave dhe Ekonomisë, Hekuran Murati,
- Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale, Andin Hoti,
- Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci,
- Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,
- Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Lulëzon Jagxhiu,
- Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia, Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Avni Zogiani,
- Ministër i Kulturës dhe Turizmit, Fatmir Spahiu,
- Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani,
- Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Rasim Demiri,
- Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli,
- Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja,
- Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha,
- Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane, Mimoza Kusari,
- Ministre e Energjisë dhe Minierave, Artane Rizvanolli,
- Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq,
- Ministër për Zhvillim Rajonal, Sejnur Vejshall.
Ky propozim i Kurtit pati marrë 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 abstenime. Rrjedhimisht Kuvendi nuk e pati zgjedhur Qeverinë e re.
Ndërkaq më 19 nëntor, Konjufca si mandatar i dytë pati propozuar këta emra për kabinet qeveritar (shih transkriptin):
- Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Albin Kurti.
- Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla,
- Zëvendëskryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka,
- Ministër i Financave dhe Ekonomisë, Hekuran Murati,
- Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale, Andin Hoti,
- Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci,
- Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,
- Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Lulzon Jagxhiu,
- Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia,
- Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Avni Zogiani,
- Ministër i Kulturës dhe Turizmit, Fatmir Spahiu,
- Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani,
- Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Rasim Demiri,
- Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli
- Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja,
- Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Besnik Bislimi,
- Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane, Mimoza Kusari-Lila,
- Ministre e Energjisë dhe Minierave, Artane Rizvanolli,
- Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq,
- Ministër për Zhvillim Rajonal, Sejnur Vejshall.
Edhe kabineti i propozuar nga Konjufca pati dështuar në Kuvend duke marrë vetëm 56 vota pro, 53 kundër dhe 4 abstenime.
Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës (61).
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditë më parë i ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Tash është periudha e ankesave, pas të cilave kur të shqyrtohen të gjitha dhe të përfundojnë procedurat lidhur me to, mund të kalohet te certifikimi (shih këtu).
Në të gjitha këto publikime, faqja “1shipost” ka marrë më shumë se 400 pëlqime e më shumë se 120 komente.
Përmbajtja e ngjashme me titull “Albin Kurti zbulon emrat e qeverisë së re, plot risi dhe figur të vjetra!” u has edhe në YouTube në kanalin “Ditari Rajonit”.
Ndërkaq Hibrid.info ka kërkuar edhe në “Google” me fjalët “Kurti prezanton kabinetin qeveritar” për javën e fundit dhe nuk ka hasur në ndonjë artikull me pretendim të njëjtë sikur postimet që po trajtohen.
Për më shumë klikimi në ballinën e “topm1.net” shfaq vetëm artikuj në gjuhën angleze. Aty nuk shfaqet asnjë adresë, kontakt apo impresum dhe nuk dihet se kush qëndron prapa tij.
Analiza:
Pretendimet se Albin Kurti ka zbuluar emra të kabinetit të ri qeveritar me të cilin synon të udhëheqë shtetin pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, janë të pasakta.
Postimet e faqes “1shipost” çojnë në një artikull me video ku Kurti flet vetëm në mënyrë të përgjithshme, pa përmendur emra apo poste konkrete.
Ai la të hapur mundësinë për ndryshime, duke mos konfirmuar asnjë përbërje të qeverisë së re.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këta tituj si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.






