[email protected]
Lista Serbe nuk ofron mjaftueshëm fakte se gruaja serbe është keqtrajtuar nga policët kosovarë
shape
shape
shape

Subjekti politik serb në Kosovë, “Lista Serbe” kanë publikuar një video dje (02 prill) me pretendimin se një grua serbe me fëmijën e saj janë keqtrajtuar nga Policia e Kosovës e armatosur me armë të gjata në Zveçan.

Ky pretendim i Listës Serbe është publikuar në disa media në gjuhën serbe ku thuhet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vazhdon t’i provokojë serbët në veri.

Ndërsa Policia e Kosovës, përmes reagimit zyrtar për ngjarjen, japin informata që nuk ndërlidhen me pretendimin e bërë nga institucioni serb, rrjedhimisht edhe në disa media në gjuhën serbe që transmetuan këtë informacion.

Vegëza e publikimit të Listës Serbe:

https://www.facebook.com/watch/?v=2514951191990407

Pjesë të publikimit të Listës Serbe:

“Siç thamë në konferencën e djeshme, në veri nuk janë zbarkuar policët por banditët në uniformë që pak përpara në Zveçan me katër automjete dhe me armë të gjata e ngacmuan një grua dhe fëmijën e saj. Dhe ti o Kurti po vazhdon me provokime… Ju mendoni se mund ta bëni sa të doni, por sa do t’ju zgjas…” 

Vegëza e artikujve të publikuar në disa media në gjuhën serbe:

https://informer.rs/vesti/politika/783087/kurti-provokacije-kim

https://www.novosti.rs/vesti/politika/1223078/srpska-lista-kim-zvecan


Në videon e publikuar nga Lista Serbe shihet një grua me fëmijën e saj duke komunikuar me zyrtarë policorë, e cila shpreh shqetësimin se zyrtarët policorë që kanë qenë në pikë kontrolli po shqetësojnë banorët me prezencën e tyre. Ky pretendim është bërë vetëm duke u bazuar në video, por pa ofruar informacione shtesë për rrjedhën të ngjarjes dhe kontekstin e plotë të diskutimit. 

Nga ajo që arrihet të kuptohet në dialogun mes gruas dhe pjesëtarit të Policisë së Kosovës në videon e publikuar, gjithçka që mund të deshifrohet me siguri të plotë është një pjesë e shkurtër e këtij dialogu. Në pjesën e parë të këtij video-materiali dëgjohet guraja duke iu drejtuar disa herë me fjalët “t’ju vije turp.. burri i dëshiron fëmijët”, ndërsa pjesa tjetër është vështirë e deshifrueshme.

Pjesë të dialogut në gjuhën serbe:

Sram da vas bude… suprug je hoce decu …..

Në disa momente vërehet se përmend shtëpinë “kuci”, por nuk arrihet të kuptohet rrjedha dhe konteksti i plotë i diskutimit, që e bënë të pamundur edhe ndërtimin e ndonjë pretendimi, çfarë është bërë nga “Lista Serbe”. Gjithashtu këtij pretendimi i mungon edhe një fakt shtesë, që do të mund të ishte edhe deklarata e gruas së përfshirë në këtë ngjarje.


Ndonëse Lista Serbe dhe mediat në gjuhën serbe pretenduan ta paraqesin rastin si maltretim të gruas së komunitetit serb, Policia e Kosovës jep të dhëna që përshkruajnë një rrjedh tjetër të ngjarjes. Nëpërmjet një komunikate të publikuar në Facebook, Policia e Kosovës njoftoi se, zyrtarët policorë në pikë kontrolli, kanë treguar sjellje profesionale gjatë kontaktit me qytetarë si dhe gjatë ndalimit të automjeteve për kontrolle rutinore.

Zyrtarët policorë me mirësjellje i janë përgjigjur gruas, duke e njoftuar atë se ata janë aty për të ofruar siguri dhe se janë në shërbim të të gjithë qytetarëve/banorëve të Zveçanit pa dallim dhe se nuk ka asnjë ankesë ndaj punës, prezencës apo sjelljes së zyrtarëve policorë dhe se nëse ju keni ndonjë ankesë për sjelljen e zyrtarëve mund të adresoni ankesë në stacion policor apo edhe te institucionet kompetente.” (këtu)

Për më tepër, Policia ka bërë të ditur se gruaja në fjalë nuk është nga njësitë policore por e vetë ka shkuar për të komunikuar me ta.

“Vlen të potencohet se gruaja në fjalë së bashku me fëmijën nuk janë ndaluar fare nga Policia e Kosovës, por e njëjta ka shkuar vetë tek njësia policore për të komunikuar me ta dhe sipas të gjitha gjasave për t’u realizuar pastaj xhirimet e video sekuencës së publikuar.” (këtu)


Analiza:

Lista serbe nëpërmjet një video të publikuar ku shihen një grua me fëmijën e saj duke komunikuar më njësitë policore të Policisë së Kosovës, ka pretenduar se gruaja në fjalë është maltretuar nga këto njësi policore.

Gjithçka që mund të deshifrohet me siguri të plotë është një pjesë e shkurtër e dialogut të zhvilluar nga gruaja në fjalë me zyrtarët policor, e që nuk është e mjaftueshme të kuptohet rrjedha dhe konteksti i plotë i diskutimit

Policia e Kosovës, ka sqaruar rastin duke theksuar faktin se gruaja në fjalë së bashku me fëmijën nuk janë ndaluar fare nga Policia e Kosovës, por e njëjta ka shkuar vetë tek njësia policore për të komunikuar me ta dhe Zyrtarët policorë me mirësjellje i janë përgjigjur gruas, duke e njoftuar atë se ata janë aty për të ofruar siguri dhe se janë në shërbim të të gjithë qytetarëve/banorëve të Zveçanit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “manipulim i fakteve”.


Vlerësimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato raportime mediatike që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others