[email protected]
Lajmi “Është sulmuar shtëpia e Vjosa Osmanit”, i pavërtetë
shape
shape
shape

Portali i dyshimtë në gjuhën shqipe “readkoala.com” ka publikuar një artikull me titull “Është sulmuar shtëpia e Vjosa Osmanit, ja detajet e fundit”.

Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, del që titulli i këtij artikulli është i rremë, që nuk përputhet me përmbajtjen.

Lajmi është i vjetër, i publikuar në tetor të vitit 2019, atëkohë kur Osmani në emisionin Rubikon në KTV, kishte deklaruar se gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare ajo është kërcënuar nga njerëz të panjohur.

“Njerëz të panjohur kanë ardhur në oborrin tim dhe m’i kanë frikësuar fëmijët”, kishte deklaruar Osmani.

Pra, lajmi është i vjetër dhe nuk ka ndodhur asnjë sulm ndaj shtëpisë së presidentes, siç pretendohet në titullin e këtij artikulli.

Teksti i artikullit të publikuar në portalin e dyshimtë “readkoala.com”:

Vjosa Osmani, thotë se lajmet të cilat ajo i konsideron të rreme gjatë fushatës zgjedhore e kanë rrezikuar atë dhe familjen e saj.

Vjosa Osmani thotë se gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare ajo është kërcënuar nga njerëz të panjohur.

“Njerëz të panjohur kanë ardhur në oborrin tim dhe m’i kanë frikësuar fëmijët”, ka thënë Osmani.

Vegëza e artikullit të publikuar në “readkoala.com”:

https://readkoala.com/show/2021/06/24/eshte-sulmuar-shtepia-e-vjosa-osmanit-ja-detajet-e-fundit/?fbclid=IwAR27L5WoJsEJQp-q0FmcyDA9f6pmyUMx_dnJTldtXs_agSbrCoAq2HDreKo

Osmani kishte thënë në Rubikon se asaj i kanë ardhur kërcënimet për shkak të disa raportimeve se ajo ka punuar në UNMIK ku janë hetuar krimet e luftës, se ka lidhje me rusë dhe se do të jetë dëshmitare në Gjykatën Kushtetuese.

Më poshtë mund të gjeni artikullin e publikuar në kohë reale nga disa media online:

https://www.botasot.info/aktuale-lajme/1168807/vjosa-osmani-njerez-te-panjohur-me-hyne-ne-oborr-dhe-mi-frikesuan-femijet/

https://readkoala.com/show/2021/06/24/eshte-sulmuar-shtepia-e-vjosa-osmanit-ja-detajet-e-fundit/?fbclid=IwAR27L5WoJsEJQp-q0FmcyDA9f6pmyUMx_dnJTldtXs_agSbrCoAq2HDreKo

Portali i dyshimtë “readkoala.com” në fotografi të këtij artikulli ka vendosur një pjesë të një videoje, të publikuar nga presidentja Osmani në dhjetor të vitit 2020 në profilin e saj zyrtar në Twitter, ku shihet me vajzat e saj duke kënduar.

Vegëza e videos e publikuar nga presidentja e Osmani në profilin e saj zyrtar në “Twitter”:


Analiza:

Portali i dyshimtë “readkoala.com” ka përdorur një lajm të vjetër që ka të bëjë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, të cilin e ka publikuar me pretendimin ta paraqesë atë si aktual, duke i vënë titull të sajuar, me qëllim të qartë të dezinformimit të lexuesve.

Pas analizës së kontrollit të fakteve bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “dezinformatë” dhe “clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others