info@hibrid.info
Loja shpërblyese e faqes ‘Autowelt’ në Facebook është mashtrim
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Një faqe në Facebook me emrin “Autowelt” përmes një postimi të publikuar të martën (26 gusht) pretendon se po i dhuron dy vetura të markës Volkswagen.

Për të marrë pjesë në këtë lojë të supozuar shpërblyese, përdoruesve u kërkohet të shkruajnë në komente fjalën “@highlight”. Sipas postimit, nëse kjo fjalë shfaqet me ngjyrë të kaltër, atëherë përdoruesit do të përfshihen në një lotari.

Çka nuk shkon me këtë postim?

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se kjo përmbajtje është mashtruese.


Pas hulumtimit të kryer online u gjet se e njëjta përmbajtje është shfaqur edhe në gjuhë tjera. Platforma për verifikim faktesh nga Danimarka “tjekdet.dk” ka verifikuar përmbajtjen në gjuhën daneze, duke e cilësuar si mashtrim.

“Ky është një mashtrim ku mashtruesit e huaj përpiqen t’ju joshin në faqet e internetit që nuk kanë të bëjnë fare me makinat , por ku përdoruesit, ndër të tjera, duhet të përgjigjen në pyetësorë për të fituar para. Qëllimi i saktë është i paqartë, por duket se mashtruesit duan që ju të regjistroheni në një faqe interneti që u dërgon shpërblime mashtruesve kur përdoruesit e rinj përgjigjen në pyetësorë”, shkruan tjekdet.dk. (shih verifikimin këtu)


Hibrid.info ka identifikuar një faqe në Facebook me emrin “Autowelt”, e cila sipas përshkrimit prezantohet si kompani nga Maqedonia e Veriut që merret me shitjen e veturave të përdorura. (shih këtu)

Përmes një postimi, kjo faqe ka reaguar ndaj profileve të tjera që kanë përdorur emrin e saj, duke i cilësuar ato si mashtruese. (shih këtu)

Nga kërkimi në Facebook me emrin “Autowelt”, dalin qindra faqe me këtë emër që kanë shpërndarë të njëjtin postim, por me përmbajtje të shkruar në gjuhë të ndryshme. (shih këtu)


Rreth faqes “Autowelt” me përmbajtje në shqip

Faqja është hapur më 26 gusht 2025 dhe numëron 583 ndjekës (këtu). Po ashtu në seksionin about (rreth nesh), kjo faqe nuk ka adresë apo kontakt.

Postimi në gjuhën shqipe i publikuar nga kjo faqe, deri në shkrimin e këtij artikulli, ka arritur të grumbullojë mbi 3 mijë komente, mbi 1 mijë shpërndarje dhe 629 pëlqime. (shih këtu)


Analiza:

Një faqe në Facebook me emrin “Autowelt” ka publikuar më 26 gusht 2025 një postim ku pretendon se po dhuron dy vetura të markës Volkswagen. Për të marrë pjesë, përdoruesve u kërkohet të shkruajnë në koment fjalën “@highlight”, dhe nëse ajo shfaqet me ngjyrë të kaltër, thuhet se do të futen në një lotari.

Verifikimi i kryer nga hibrid.info dhe platforma daneze për kontrollin e fakteve “tjekdet.dk” ka konfirmuar se ky postim është mashtrues. Sipas tjekdet.dk, mashtruesit përpiqen të tërheqin përdoruesit drejt faqeve të internetit që nuk kanë lidhje me automjetet, ku pjesëmarrësit mund të përfundojnë duke dhënë të dhëna personale për qëllime të pastra mashtruese.

Hibrid.info ka identifikuar se faqja origjinale “Autowelt” në Facebook, e prezantuar si kompani nga Maqedonia e Veriut që merret me shitjen e veturave të përdorura, ka reaguar ndaj profileve të tjera që kanë përdorur emrin e saj, duke i cilësuar ato si mashtruese.

Ndërsa, gjatë kërkimit në Facebook, shfaqen qindra faqe me të njëjtin emër që kanë shpërndarë postimin mashtrues në gjuhë të ndryshme.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Mashtrim”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others