[email protected]
“Makina misterioze” e pijeve nuk të dërgon në kohë, ajo vetëm ka shërbyer si një atraksion
shape
shape
shape

Llogaria në TikTok me emrin “bejevete” ka publikuar më 18 janar një video-material me përmbajtje në gjuhën shqipe, duke pretenduar se një makinë e vjetër e pijeve të gazuara, e vendosur në Seattle të ShBA, ishte një portë që të dërgonte në të kaluarën.

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se kjo makinë ishte vendosur në këtë qytet, por që nuk dihej se nga kush ishte lënë apo se kush e mbushë atë me pije.

Gjithashtu, në këtë video-material pretendohet për ekzistimin të edhe një elementi tjetër që, siç shkruhet, e bënte këtë makinë edhe më misterioze, ishte fakti që pijet e gazuara që qytetarët i merrnin, kishin ambalazhe apo logo të vjetra të pijeve të gazuara, që ishte shndërruar në atraksion turistik.

Megjithatë, ky pretendim konspirativ që bëhet përmes kësaj videoje, nuk gjendet në asnjë artikull tjetër mediatik, ku raportohej për veçoritë e kësaj makine.


Vegëza e video-materialit të publikuar në TikTok nga llogaria “bejevete”:


Në këtë video, pra, është ngritur një teori konspirative lidhur me ekzistimin dhe funksionimin e kësaj makine të pijeve. Kjo teori ndërlidhet me misticizmin rreth aftësisë që kjo makinë ka, për t’i kthyer njerëzit në të kaluarën. Megjithatë, ky pretendim nuk dëshmohet edhe përmes pamjeve të paraqitura në video.

Publikuesi i kësaj videoje, pas hulumtimit të hibrid.info, është kuptuar se ka sajuar një tregim, duke përdorur imazhe të kësaj makine. Në fakt, tregimi i kësaj makine paraqitet të jetë krejtësisht tjetër.


Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të gjejë artikullin e publikuar në gusht të vitit 2015 që sqaron tregimin origjinal për këtë makinë të vjetër të pijeve të gazuara, të publikuar nga mediumi online “Seattletimes.com”. (shih këtu)


Në përmbajtje të këtij artikulli, gjendet një vegëz që dërgon në Twitter, ku shihet një fotografi e publikuar në vitin 2014 nga llogaria me emrin “saeofdoom”. Në këtë imazh vërehen dy persona të cilët janë duke e mbushur me pije këtë makinë, apo duke e servisuar atë (këtu), kështu duke larguar dyshimet në lidhje me pyetjen se “kush po e mbushë atë”.

Duhet cekur se në qershor të vitit 2018 kjo makinë e pijeve ishte larguar. (shih këtu)


Përveç në TikTok, këtë video-material, llogaria e lartcekur e ka shpërndarë edhe në platformën “Youtube”. (shih këtu)


Analiza:

Llogaria në TikTok me emrin “bejevete” ka publikuar një video-material për një makinë të vjetër të pijeve të gazuara, që qëndroi në shërbim nga viti 2001 deri në 2018-ën në Seattle të ShBA-ve, duke pretenduar se ajo ishte një portë që dërgon në të kaluarën.

Për këtë makinë ishin krijuar shumë teori konspirative e legjenda urbane, duke qenë se pijet që dilnin nga ajo, mbanin ambalazhe apo logo të vjetra.

Gjatë hulumtimit të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë artikull që ngritë të njëjtin pretendim dyshues, pra udhëtimin në kohë. Pikëpyetja e vetme që ishte ngritur kishte të bënte me dilemën se si po bëhet mbushja me pije e këtij automati, por që e cila është qartësuar në artikujt e publikimet e më hershme.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë video-material si “Teori Konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others