Nëpërmjet një videoje të publikuar në TikTok është pretenduar se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se nuk është nga ata që i janë bashkëngjitur Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Thaçi: Nuk jam nga ata që iu kam bashkëngjitë UÇK-së…” është mbishkrimi mbi videon 5-sekondëshe në të cilën flet Thaçi.
Videoja u publikua nga llogaria “destiny” më 18 dhjetor. Deri tash ka marrë më shumë se 60 mijë shikime, mbi 1000 pëlqime e mbi 40 komente.

E vërteta?
Videoja është reale. Aty Thaçi e thotë këtë deklaratë. Por videoja është e shkëputur nga deklarata e plotë e Thaçit mbi këtë çështje dhe mund të lërë hapësirë për keqinterpretim. Përderisa fjalia “nuk jam nga ata që iu kam bashkëngjitë UÇK-së” mund të lërë hapësirë të krijohet përshtypja e gabuar sikur Thaçi është shprehur se nuk ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vazhdimi i deklaratës së vërtetë thekson se Thaçi ka thënë se është “ndër themeluesit e parë” të saj.
Hibrid.info e ka gjetur videon e plotë të deklarimit të Thaçit. Ajo ishte dhënë në emisionin “Rubikon” në “KlanKosova”. E publikuar në kanalin zyrtar të “KlanKosovës” në YouTube, videoja mban datën 9 qershor 2020.
Thaçi në intervistë ishte pyetur nëse është i gatshëm t’i përgjigjet ndonjë ftese të mundshme për intervistim nga Gjykata Speciale. Thaçi e pohon këtë duke thënë se ka qenë udhëheqës politik i UÇK-së dhe ndihet krenar me atë periudhë.
Deklarimi i Thaçit:
“Unë jam shumë krenar me të kaluarën time në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Nuk jam nga ata që i jam bashkëngjitë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jam prej themeluesve të parë dhe natyrisht në rrugëtimin e gjatë të saj e të suksesshëm, prandaj më jep nder, krenari personale, familjare dhe kombëtare dhe në këtë drejtim për mua edhe themelimi i UÇK-së, edhe lufta që kemi zhvilluar, edhe më vonë të gjitha proceset që i kemi kaluar” (video, 1:09:00)
Kjo deklaratë konfirmon se videoja e publikuar në TikTok ka paraqitur një deklaratë të shkëputur dhe jo të plotë të Hashim Thaçit. E bazuar në komentet në TikTok, shkëputja e përmbajtjes ka lënë hapësirë të krijohet përshtypja e gabuar sikur Thaçi ka thënë se nuk ka qenë pjesë e UÇK-së.
Rasti i Thaçit në Gjykatën Speciale:
Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi janë në paraburgim prej fillimit të nëntorit 2020. Ata akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Akuzohen për përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe se ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.
“Gjatë periudhës së aktakuzës, pretendohet se Hashim Thaçi ishte shef i Drejtorisë Politike dhe asaj të Informimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në fund të marsit 1999, pretendohet se Thaçi ishte Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës (QPK) dhe Kryekomandant i UÇK-së”, thuhet në përshkrimin e rastit të Thaçit në uebfaqen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës.
Analiza:
Videoja në TikTok, që pretendon se Hashim Thaçi ka thënë se nuk i është bashkëngjitur UÇK-së, është e manipuluar përmes shkëputjes së deklaratës.
Bazuar në shkëputjen në TikTok dhe komentet në video, mund të lihet përshtypja sikur Thaçi ka thënë se nuk ka qenë pjesë e UÇK-së.
Por pas verifikimit të fakteve, del se në deklaratën e plotë, Thaçi sqaron se nuk është “bashkëngjitur”, por ka qenë ndër themeluesit e parë të UÇK-së, duke u shprehur krenar për rolin e tij.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.