Shkroi: Fatbardh Dema
Nëpërmjet një publikimi në Facebook është pretenduar se opinionisti Imer Mushkolaj ka publikuar në po këtë rrjet social një fotografi të kryetarëve të Prishtinës e Pejës, shoqëruar me një shkrim kritik për premtimet e disa kryetarëve që, sipas tij, nuk i kanë kryer punët në mandatet e tyre e tash kërkojnë edhe një mandat.
Sipas postimit të llogarisë “Kosova me Albin Kurtin” në Facebook, brenda një grupi me të njëjtin emër “Kosova me Albin Kurti”, shkrimi i Mushkolajt është shoqëruar me fotografinë e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe atij të Prishtinës, Përparim Rama. “IKIN PREJ PUNËVE, IKIN PREJ DEBATEVE!” shkruan brenda fotografisë.
Por çka nuk shkon me pretendimin?
Pas verifikimit të fakteve, del se Mushkolaj në postimin e tij nuk ka publikuar fotografinë në fjalë, siç është shfaqur në pretendimin në grupin “Kosova me Albin Kurtin”.
“Mu po m’vjen marre kur po dëgjoj premtime të disa kryetarëve të komunave për punët që nuk i kanë kry për 4, 8, madje edhe për 12 vjet, ndërkohë që po e lypin edhe një mandat”, është shkrimi i Mushkolajt në Facebook më 25 shtator.

E publikimi në grupin “Kosova me Albin Kurtin” është bërë në mbrëmjen e po asaj dite. “Njerëzit e papërgjegjshëm nuk meritojnë me i shpërbly me asnjë votë. Boll mo!” ka shkruar kjo llogari në postimin brenda grupit me më shumë se 2500 anëtarë.

Pra Mushkolaj, në këtë postim, nuk ka specifikuar se për cilin apo cilët kandidatë e ka pasur fjalën. Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka disa kandidatë që synojnë mandatin e dytë, të tretë apo edhe të katërt (Lista e kandidatëve që garojnë në këto zgjedhje).
Bazuar në postimet e deritashme mund të vërehet se Mushkolaj në raste të tjera në Facebook publikisht ka kritikuar Ramën apo edhe kandidatë të tjerë.
Publikimi i njëjtë, sikur ai në Facebook, është shpërndarë edhe në TikTok. Llogaria me emrin “aliberishapeje2025” në TikTok e ka shpërndarë postimin e njëjtë me mbishkrimin “vlerësim jashtëzakonisht i sakte!”. Se është e njëjta përmbajtje vërehet nga periudha e postimit. Në të dyja shkruan se publikimi i Mushkolajt është bërë “44 minuta më herët”.
Kjo llogari në TikTok në biografi ka të shkruar “Aktivitetet politike te Dr.Ali Berisha ne tik-tok!”
Berisha është kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Pejës (shih këtu).
Analiza:
Në grupin me emrin “Kosova me Albin Kurtin” në Facebook, llogaria me të njëjtin emër ka pretenduar se opinionisti Imer Mushkolaj ka publikuar fotografinë e kryetarëve të Prishtinës dhe Pejës, shoqëruar me një kritikë për premtimet e disa kryetarëve që, sipas tij, nuk i kanë kryer punët në mandatet e tyre e tash kërkojnë edhe një mandat.
Megjithatë, pas verifikimit është konstatuar se Mushkolaj, në shkrimin në fjalë nuk e ka specifikuar për kënd e ka fjalën dhe nuk e ka publikuar fotografinë e pretenduar.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin si “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.