Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një fotografi që paraqet një mundësi për punësim me kohë të pjesshme, ku tregohen kushtet dhe përfitimet.
Kjo përmbajtje, që mban logon e kompanisë së shitje elektronike “Alibaba Group”, është publikuar si e sponsorizuar, nga një faqe në Facebook me emrin “Amy Allen”.
Por, cila është e vërteta?
Hibrid.info ka gjetur se përmbajtja në emër të Alibaba Group për punësim, është mashtrim.

Fillimisht, hibrid.info ka provuar t’i qaset përmbajtjes duke e ruajtur postimin, por një gjë e tillë ishte e pamundur.

Më pas është klikuar në butonin “Apply now”, që shfaqet në përmbajtje, për të gjetur më shumë informata rreth kësaj përmbajtjeje.
Pas klikimit të këtij butoni, paraqiten disa kërkesa për të dhëna personale. Pasi plotësohen këto informacione, hapet një dritare e re që të ridrejton në një bisedë në aplikacionin WhatsApp, me një llogari që ka si fotografi profili portretin e një vajze aziatike dhe përdor një numër telefoni me prefiks (+20) të Egjiptit (shih këtu).

Hibrid.info ka kontaktuar këtë numër në WhatsApp për të zbuluar më shumë lidhur me përmbajtjen e publikuar në Facebook. Komunikimi është zhvilluar me mesazhe tekstuale dhe në gjuhën shqipe. Personi në anën tjetër, i prezantuar si punëdhënës, ka kërkuar disa të dhëna bazike — si emrin, kombësinë dhe profesionin aktual — për të vazhduar bisedën.
Edhe pse nuk ka ofruar asnjë kontratë pune apo informacion të qartë ligjor që do të konfirmonte një marrëdhënie të rregullt punësimi, pas dërgimit të të dhënave të kërkuara, bashkëbiseduesi ka përcjellë një vegëz (shih këtu).

Bashkëbiseduesi ka dërguar udhëzime për t’u identifikuar në këtë faqe dhe për të vazhduar më tej me procesin. Gjatë gjithë këtij procesi, ai ka kërkuar që në çdo hap të bëhej një fotografi e ekranit të kompjuterit, duke e dokumentuar secilin veprim.
Duke ndjekur hapat e dhëna, arritëm të hyjmë në faqe.

Detyrat e caktuara përfshinin ndërmjetësimin në shitjen e produkteve, ku për secilën shitje ishte e paraparë një përqindje komisioni. Edhe për realizimin e detyrave të dhëna u kërkua dërgimi i dëshmive përmes fotografive të ekranit.
Kur është pyetur për mundësinë e tërheqjes së parave të fituara, bashkëbiseduesi ka kërkuar ndërmjetësim në 60 shitje, në mënyrë që të mundësohet një gjë e tillë.

Gjatë realizimit të këtij procesi, në mënyrë të pashpjegueshme bilanci financiar ka pësuar rënie dhe ka pamundësuar vazhdimin e këtij procesi. Personi i paraqitur si punëdhënës ka kërkuar përsëritjen e hapave të mëparshëm në mënyrë që të vazhdohet.
Për të mos rrezikuar tutje për shkaqe sigurie, nuk është vazhduar me procedurat.
Hibrid.info ka gjetur një artikull të publikuar në platformën e detektimit të domenave të ueb-faqeve, “ScamAdviser”, ku përshkruhet ky fenomen (shih këtu).
Artikulli tregon se është shfaqur një formë e re mashtrimi phishing, që shfrytëzon popullaritetin e platformave si AliExpress, Temu dhe Coupang. Skema përfshin punësime të rreme përmes blerjeve me ndërmjetësim dhe shkrimit të rishikimeve false, me premtimin e komisioneve të larta për punë minimale. Mashtrimi nis përmes mesazheve SMS dhe vazhdon me udhëzime për të blerë produkte dhe për të dërguar dëshmi në formë screenshots. Fillimisht ofrohen kthime të menjëhershme të shumave të vogla për të fituar besimin, por më pas kërkohen investime më të mëdha, të cilat nuk rimbursohen. Të dhënat personale të viktimave gjithashtu rrezikojnë të keqpërdoren.
Kjo platformë dhe “Scam-Detector” gjithashtu janë përdorur nga hibrid.info për të verifikuar autenticitetin e vegëzës së dërguar gjatë bisedës në WhatsApp. Në të dy rastet besueshmëria e kësaj faqeje është vlerësuar të jetë e ulët (shih këtu dhe këtu).
Po ashtu, hibrid.info ka kontrolluar faqen në Facebook, e cila e ka publikuar këtë përmbajtje. Kjo faqe ka numër të vogël të ndjekësve, ka një adresë dhe numër telefoni me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Ajo është hapur më 9 maj të këtij viti dhe nuk ka asnjë postim në faqe (shih këtu).
Analiza
Përmbajtje të sponsorizuar që pretendon të ofrojë një mundësi punësimi me kohë të pjesshme përmes “Alibaba Group”, duke premtuar komisione për ndërmjetësim në shitje të produkteve nuk është e besueshme.
Nuk është ofruar asnjë provë ligjore apo kontratë pune, ndërsa komunikimi zhvillohet në mënyrë të paautorizuar përmes WhatsApp-it me një numër egjiptian dhe udhëzime të dyshimta.
Gjithashtu, nga vlerësimet e platformave si ScamAdviser dhe Scam-Detector, të cilat e cilësojnë faqen si të pabesueshme dhe me rrezik të lartë për mashtrim të tipit phishing.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Mashtrim”.
Arsyetimi
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.