[email protected]
Kurti nuk ka kërkuar shtimin e forcave gjermane të KFOR-it për t’i luftuar serbët
shape
shape
shape

Media në gjuhën serbe “Informer” ka publikuar një artikull dje (4 janar) me pretendimin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje gjermanëve në luftë kundër serbëve, duke tentuar kështu të nxitë përsëri tensione.

Artikulli mbanë titullin, “KURTI FTON GJERMANËT PËR LUFTË KUNDËR SERBËVE! ‘Kryeministri’ i shtetit të rremë po tenton sërish të ngjallë TENSION NË PROVINCË!”.

Pretendimi bazohet në një qëndrim të Kurtit, të shkëputur nga intervista  dhënë për gazetën gjermane “Welt”, por duke i shtrembëruar ato, në krahasim me versionin origjinal.

Kurti në intervistë, në fakt, nuk ka kërkuar fare shtimin e këtyre trupave, por ka mirëpritur një vendim të tillë.

Vegëza e artikullit të publikuar në Informer:

https://informer.rs/vesti/politika/761230/aljbin-kurti-kim-nemacka-tenzije

Pjesë të artikullit të publikuar në Informer:

I ashtuquajturi ‘kryeministri’ i shtetit të rremë të ‘Kosovës’, Aljbin Kurti , sërish po tenton të ngrejë tensione në provincën jugore serbe, duke i bërë thirrje Gjermanisë që të dërgojë më shumë ushtarë të saj për t’u marrë me serbët nga veriu! ?

Kurti në një intervistë për “Welt” gjermane ka thënë se vendosja e barrikadave në veri të krahinës tregon nevojën e rritjes së numrit të trupave të NATO -s në Kosovë në kuadër të KFOR-it dhe se ushtarët gjermanë janë më se të mirëpritur, me të cilën publikisht kërcënoi me dhunë të re ndaj serbëve. I vetëshpalluri ‘Kryeministri i Kosovës’ duke arsyetuar kërkesën e tij, nuk humbi rastin të akuzojë Beogradin se po kërcënon popullin shqiptar në bashkëpunim me Rusinë!?!


Ky artikull zuri vend në ballinën e gazetës së datës 4 janar 2023. (këtu)


Deklaratat e Kurtit për të përditshmen gjermane “Welt” u interpretuan në mënyrë dezinformuese dhe tendencioze nga mediumi në gjuhën serbe. Pra, sipas Informer, Kurti u bënë thirrje NATO-s për shtim të forcave për t’i kërcënuar më dhunë serbët në veri të Kosovës dhe për të nxitur tensione të reja.

Por që, në fakt, kryeministri Kurti, në kuadër të intervistës (1 janar 2023), ka vlerësuar për shtimin e forcave të NATO-së, nëpërmjet së cilës do të përmirësohej siguria dhe paqja në Kosovë dhe rajon. Ndërsa, pretendimi se ai ka kërkuar shtimin e këtyre trupave për të sulmuar ndonjë palë, siç u pretendua nga mediumi në gjuhën serbe, rezulton të jetë i pavërtetë.

“Një rritje e konsiderueshme e ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në vendin tonë do të përmirësonte sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”. (këtu)

Në kuadër të prezencës ushtarake gjermane në kuadër të KFOR-it në Kosovë dhe vendimit të Bundestagut ku deri në 400 shërbime gjermane të urgjencës mund të dërgohen në Kosovë, Kurti u shpreh: “Ushtarët gjermanë janë sigurisht të mirëpritur në Kosovë”. (këtu)


NATO ka udhëhequr një operacion për mbështetjen e paqes në Kosovë – Forcat e Kosovës (KFOR) – që nga qershori 1999. KFOR-i vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë. (këtu)

Pra, duke qenë se vetë qëllimi i misionit të KFOR-it është paqeruajtës, rezulton që deklarata e Kurtit, për mirëpritjen e shtimit të trupave ushtarak, nuk ka ndonjë tendencë për konflikt.


Analiza:

Media në gjuhën serbe “Informer” ka publikuar një artikull dje me pretendimin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje gjermanëve në luftë kundër serbëve, duke tentuar kështu të nxitë përsëri tensione.

Pretendimi bazohet në një deklaratë të Kurtit dhënë për gazetën gjermane “Welt”.

Kurti ka mirëpritur vendimin e NATO-s në shtimin e forcave për të ruajtur paqen dhe  sigurinë në Kosovë dhe rajon, një përgjegjësi që bartet nga KFOR-i në kuadër të NATO-s, e jo për t’i luftuar serbët dhe për të ngritur tensione të reja siç pretendohet.

Kurti nuk i ka ftuar forcat gjermane konkretisht por duke komentuar mundësinë e dërgimit të 400 shërbime gjermane të urgjencës me vendim të Bundestagut, ai tha se janë të mirëseardhur.

Në bazë të metodologjisë së punës, hibrid.info këto pretendime i vlerëson si “manipulim i fakteve”.


Vlerësimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato raportime mediatike që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others