Shkroi: Festim Rizanaj
Në mediat serbe është publikuar një artikull, me pretendimin se “retorika antiserbe e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje i ka sjellë përfitime elektorale”, duke ndikuar në ruajtjen ose rritjen e mbështetjes për të në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.
Po, ky artikull mbështetet në sondazhin e realizuar nga agjencia Valicon, e cila ka parashikuar se Lëvizja Vetëvendosje mund të fitojë rreth 50% të votave në zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Çka pretendon artikulli?
Valicon, agjencia e hulumtimit, në bashkëpunim me panelin e saj online Opinia.Club, ka publikuar sondazhin më të madh parazgjedhore për Zgjedhjet Parlamentare të Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Sipas këtij sondazhi, Vetëvendosje është në avantazh të qartë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, ndërsa PDK dhe LDK garojnë për vendin e dytë. Me 20% të votuesve ende të pavendosur, rezultati përfundimtar mund të ndikohet nga lëvizjet e fundit të fushatës, por VV mbetet favorit i padiskutueshëm. (këtu)
Mediumi serb pretendon, duke iu referuar këtij sondazhi, se fitorja e mundshme e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë është rezultat i “retorikës së tij antiserbe”, duke sugjeruar se kjo qasje politike i ka siguruar atij përfitime elektorale.
Artikulli e përdor këtë sondazh si bazë për analizën e tij, por gjithashtu shton një interpretim politik duke lidhur mbështetjen për Kurtin me retorikën antiserbe. Kështu, ndonëse të dhënat vijnë nga një burim i caktuar (Valicon), artikulli i jep atyre një kuadër narrativ të pabazë që e interpreton këtë përqindje si rezultat të “retorikës antiserbe”.
Sondazhi nuk përfshin arsyet e mbështetjes së partive politike, siç janë faktorët që ndihmojnë në formimin e opinionit të votuesve, përfshirë fushatën e partive dhe deklaratat apo politikat që ato promovojnë gjatë periudhës parazgjedhore. Analiza është fokusuar vetëm në preferencat politike dhe projeksionet aktuale të zgjedhjeve, duke përshkruar mbështetjen e mundshme për secilën parti dhe potencialet e tyre për të fituar vota nga grupet e pavendosura. (këtu)
Në sondazh bëhet e ditur se votuesit në Kosovë janë kryesisht të preokupuar me vështirësitë ekonomike, koston e jetesës, korrupsionin dhe cilësinë e ulët të shërbimeve publike, duke theksuar nevojën për zgjidhje urgjente dhe të qëndrueshme nga partitë politike.
Analiza:
Një artikull në mediat serbe pretendon se retorika antiserbe e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje ka kontribuar në përfitime elektorale, duke ndikuar në rritjen e mbështetjes për të në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.
Artikulli mbështetet në një sondazh të agjencisë Valicon, që parashikon një fitore prej rreth 50% të votave për Vetëvendosjen, të cilën mediumi serbe e interpreton këtë përqindje si rezultat të retorike antiserbe.
Sondazhi nuk përfshin arsyet e mbështetjes së partive politike, si faktorët që ndikojnë në formimin e opinionit të votuesve, përfshirë fushatat dhe politikat e promovuara gjatë periudhës parazgjedhore.
Bazuar në metodologjinë e punës, pretendimi i mediumit serb vlerësohet si “teori konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.



