[email protected]
Mediat shpërndajnë lajme të rreme për heqjen e vizave me ShBA-të
shape
shape
shape

Disa media në Kosovë kanë publikuar një lajm, ku thuhet se SHBA do t’i heq vizat për qytetarët e Kosovës.

Ky lajm është publikuar duke aluduar në një deklaratë të dhënë nga ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, gjatë kohës sa po qëndron në Washington, si pjesë e delegacionit të Kosovës.

Lajm me titullin “ShBA do t’i heqë vizat për Kosovën”, duket se ka rrëshqitur nga konteksti i deklaratës së ministrit Selimi. Në deklaratën e tij, Selimi ka thënë se zyrtarë të ShBA-ve “janë zotuar se, së shpejti do ta fusin Kosovën në programin VWP (Visa Waiver Program) si proces për heqjen e vizave me ShBA-të”.

Mirëpo, kjo deklaratë e Selimit është transmetuar gabimisht nga disa media në Kosovë. Për më tepër, disa tyre kanë raportuar se “heqja e vizave do të bëhet menjëherë pasi të nënshkruhet marrëveshja” në Shtëpinë e Bardhë.


Tituj të disa mediave që kanë publikuar këtë lajm të rremë:

SHBA-ja pritet të heqë vizat për Kosovën sapo të nënshkruhet marrëveshja

SHBA-ja pritet të heqë vizat për Kosovën sapo të nënshkruhet marrëveshja

‘SHBA do heqë vizat për kosovarët’/ Ministri Selimi zbardh tjetër zotim të amerikanëve


Deklarata e Selim Selimit:

“Grenell dhe O’Brien u zotuan se shpejt Kosova do të hyjë në programin e heqjes së vizave të SHBA-së. Ky program është një proces që duhet ta kalojmë. E konfirmojë se do të hymë në programin VWP, ashtu u zotua edhe ambasadori Grenell edhe këshilltari O’Brain, që të dy do të kujdesen që të hymë në këtë program të vizave”.


Lajmi se ShBA-të premtojnë se do ta përfshijnë në “Programin e Heqjes së Vizave” (Visa Waiver Program), nuk garanton edhe heqjen e tyre. Sipas të dhënave të publikuara në Departamenti Amerikan i Shtetit, shtetet që futen në këtë program, fillimisht hyjnë në listën e pritjes apo të njohur si “Road Map Contries”, duke u nënshtruar përmbushjes së një sërë kritereve, para se atyre t’ju hiqen vizat. Në të njëjtën kohë, përfshirja në listën e pritjes, nuk u garanton atyre se do të arrijnë kërkesën finale, heqjen e vizave, pasi që shumë prej shteteve që kanë qenë pjesë e kësaj liste, u është mohuar kjo kërkesë.

“Që nga viti 2005, Departamenti i Shtetit ka zhvilluar diskutime me vendet e njohura si “vendet e hartës rrugore”, të cilët janë të interesuar të bashkohen (ose të ribashkohen) me VWP. Nga 19 vendet, 11 janë pranuar në VËP. Tetë vendet e mbetura janë: Argjentina, Brazili, Bullgaria, Qipro, Izraeli, Romania, Turqia dhe Urugai”.

Mirëpo, deklarata e ministrit Selimi ka bërë që shumë media, duke mos e verifikuar informatën, të shpërndajnë lajme të rreme, për ta paraqitur këtë si një të arritur nga takimet në Washington.


Analiza:

Nga analiza e fakteve të kontrolluara, del se mediat që kanë publikuar këtë lajm, i kanë dhënë kahje tjetër informatës, duke e shtrembëruar atë. Për këtë arsye, lajmet e publikuara nga këto media, cilësohen si të rreme, dezinformata dhe përmbajtje të pa verifikuar.


Arsyetimi:

Dezinformata

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Lajm i rremë

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.

Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Përmbajtje e pa verifikuar

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.

Share With Others