[email protected]
Mediumi serb pretendon rrejshëm se “britanikët dërgojnë shqiptarët e Kosovës në luftë në Ukrainë”
shape
shape
shape

Mediumi në gjuhën serbe “happytv.rs” ka publikuar një artikull sot (30 janar) me pretendimin se britanikët dërgojnë shqiptarët e Kosovës në luftë në Ukrainë.

Pretendimi i referohet një postimi në rrjetin social X (ish-twitter) të llogarisë së Ambasadës Britanike në Kosovë, ku bëhet e ditur për pjesëmarrjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në trajnimin e quajtur INTERFLEX.

Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të jetë pjesë e trajnimit, por pjesëtarët e këtij institucioni nuk do të dërgohen në luftë për Ukrainë.


Vegëza e artikullit të publikuar në “happytv.rs”:


Pjesë të artikullit të publikuar në “happytv.rs”:

Siç thotë ai, duhet të hetohet se sa oficerë shqiptarë kanë shkuar për stërvitje në Britaninë e Madhe, si dhe sa prej tyre planifikohet të merren në periudhën në vijim.

“Sa prej tyre do të dërgohen nga Britania e Madhe në Ukrainë, si kontigjent për të ndihmuar Ukrainën? Sepse është e qartë se vendet e tjera nuk janë gati të dërgojnë ushtrinë e tyre atje, dhe mungesa e vullnetit të SHBA-së përmes problemit të saj politik që u ngrit në Senat në lidhje me ndihmën për Ukrainën, kërkon një aktivitet më të madh nga Bashkimi Evropian dhe ata që janë nën kontrollin e BE, dhe pikërisht këto janë fusha të tilla”, thekson Petronijeviq.

Ai paralajmëroi se “shumë shpejt do të shihet se cili ishte plani i Perëndimit me shqiptarët e Kosovë”..

“Shumë shpejt do të keni mundësinë të shihni një numër të madh të shqiptarëve të Kosovës që janë trajnuar në Britaninë e Madhe, të cilët do të paraqiten në Ukrainë, dhe ata që do të kthehen të gjallë prej andej do të jenë ushtarë jashtëzakonisht të trajnuar, si dhe ata që janë kthyer nga. fushëbeteja siriane ku morën pjesë disa qindra shqiptarë”, thotë Petronijeviq.


Ambasada Britanike në Kosovë, nëpërmjet një postimi në rrjetin social X (ish-twitter) me datë 19 janar, ka bërë të ditur se FSK do të jetë pjesë e trajnimit të ushtrisë së Ukrainës që do të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar (MB). (këtu)

Duke iu referuar këtij postimi, mediumi në gjuhën serbe hedh pretendimin se Mbretëria e Bashkuar, pjesëtarët do t’i dërgojë në Ukrainë që të marrin pjesë në luftë. Pretendimi bazohet në një deklaratë të avokatit Goran Petronijeviq i cili këtë pjesëmarrje të FSK-së e interpreton si përgatitje e disa pjesëtarëve të këtij institucioni të sigurisë për t’i dërguar në Ukrainë nga ana e MB-së.

Në fakt, në postimin e bërë nga Ambasada e Britanisë në Kosovë, bëhet e ditur se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja kanë ofruar gatishmëri për angazhimin e instruktorëve për të ndihmuar në procesin stërvitor të Ushtrisë së Ukrainës në kuadër të operacionit INTERFLEX. Pra, bëhet fjalë për angazhimin e FSK-së vetëm në procesin stërvitor të ushtrisë së Ukrainës dhe se nuk bëhet fjalë për pjesëmarrjen e tyre në luftën e Ukrainës. (këtu)

Operacioni INTERFLEX është emri i koduar operacional për operacionin ushtarak shumëkombësh të udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar për të trajnuar dhe mbështetur Forcat e Armatosura të Ukrainës. Ai është pasardhës i Operacionit Orbital (2015–2022) dhe filloi në korrik 2022. Ndryshe nga paraardhësi i tij, Operacioni Interflex zhvillohet brenda Mbretërisë së Bashkuar dhe mbështetet nga kontingjente nga partnerë ndërkombëtarë. (këtu)

Në këtë trajnim marrin pjesë instruktorë nga vende të ndryshme duke përfshirë Australinë, Kanadanë, Danimarkën, Estoninë, Finlandën, Gjermaninë, Letoninë, Lituaninë, Norvegjinë, Holandën, Zelandën e Re dhe Suedinë.

Më 18 janar 2024, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës njoftoi se një kontingjent prej 26 instruktorësh do të dërgohej në MB për t’iu bashkuar programit për të ndihmuar në trajnimin e ushtarëve ukrainas. (këtu)


Analiza:

Pjesëmarrjen e instruktorëve të FSK-së në operacionin INTERFLEX për të trajnuar Forcat e Armatosura të Ukrainës, media në gjuhën serbe e interpreton pa fakte se Britanikët po i dërgojnë shqiptarët e Kosovës në luftë në Ukrainë.

Edhe pse është bërë e ditur se FSK nga Kosova do të marrë pjesë vetëm në procesin stërvitor në Mbretërinë e Bashkuar, së bashku me instruktorë nga shtete tjera.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “dezinformatë”.


Vlerësimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others