Mediumi në gjuhën serbe “Alo.rs” ka publikuar sot (10 janar) një artikull me pretendimin se Kosova në vitin 2024 do të përjetojë eksod ku largimi në masë i popullsisë ka filluar më 1 janar.
Ky medium, pretendimet e tij i bazon në deklarata të analistit nga Kosova, Nexhmedin Spahiu dhe shifrave të dhëna nga zëdhënësja e aeroportit “Adem Jashari”, Valentina Gara.
Pas verifikimit të fakteve, është gjetur së pretendimi nga mediumi serb nuk qëndron.
Vegëza e artikullit të publikuar në “Alo.rs”:
Pjesë të artikullit të publikuar në “Alo.rs”:
Shteti fals i Kosovës me Albin Kurtin në krye këtë vit do të përjetojë një eksod të plotë sepse do të largohen prej tij qindra mijëra qytetarë!
Largimi masiv i popullsisë nga të ashtuquajturat Kosova tashmë ka filluar nga 1 janari i këtij viti, kur filloi të aplikohej liberalizimi i vizave. Që atëherë, mbi 83,000 njerëz kanë fluturuar drejt vendeve perëndimore nga aeroporti i Prishtinës, i cili mban emrin e terroristit Adem Jashari.
Ky artikull ka zënë vend edhe në ballinën e gazetës serbe në ditën e sotme (10 janar). (këtu)
E përditshmja serbe pretendimin në fjalë e ngrit duke u bazuar në deklaratën e Nexhmedin Spahiut dhënë për agjencinë e lajmeve serbe “Beta” i cili thotë se shumica e qytetarëve të Kosovës do të përpiqen të gjejnë punë në Perëndim, por edhe se shumë do të largohen nga frika e luftës.
“Pothuajse çdo familje nga Kosova ka të paktën një anëtar që jeton dhe punon në Perëndim. Në Kosovë pagat janë shumë të ulëta dhe papunësia është e lartë, kështu që shumë të rinj e shohin të ardhmen e tyre në vendet e zhvilluara të Europës Perëndimore. Unë pres që kjo vetëm në një vit, rreth gjysmë milioni banorë të Kosovës të shkojnë në Perëndim”. (këtu)
Përkundër që Spahiu pretendon se do të ketë largime të mëdha, ai nuk ofron burime kredibile për këtë, nuk bazohet në ndonjë të dhënë konkrete, por thjeshtë mbetet një opinion i tij.
Mediumi serb, pretendon se largimi masiv i popullsisë nga Kosova tashmë ka filluar duke u bazuar në deklaratën e zëdhënëses së aeroportit, Valentina Gara, e cila sipas këtij mediumi ka bërë të ditur se rreth 83 mijë njerëz kanë fluturuar nga aeroporti i Prishtinës ku u kryen gjithsej 620 fluturime gjatë 7 dite.
Në fakt, Gara me datë 8 janar, tha se në vetëm një javë janë realizuar mbi 83 mijë udhëtime duke përfshirë këtu vajtje-ardhje dhe diasporën.
Pra, nuk bëhet fjalë për 83 mijë persona që kanë fluturuar nga Aeroporti i Prishtinës.
“Rreth 83 mijë e 141 persona kanë udhëtuar, përfshirë këtu vajtje-ardhje, dhe në këto shifra bëjnë pjesë edhe udhëtimet e diasporës”. (këtu)
Sa i përket fluturimeve, ajo shtoi se mbi 600 fluturime janë realizuar për shtatë ditë, përfshirë nisje dhe ardhje.
“Në total janë 620 fluturime, duke përfshirë 309 në ardhje dhe 311 nisje”. (këtu)
Si fakt shtesë, Gara ka bërë të ditur në një postim në Facebook me datë 28 dhjetor se “në muajin Dhjetor nga data 1 deri më 27 dhjetor kanë udhëtuar 221 309 udhëtarë, përmes ANP ‘Adem Jashari’ (ku nga këta 133 910 kanë qenë në ardhje)”. (këtu)
Për më tepër, gjatë janarit të vitit të kaluar (2023), bazuar në statistikat e Autoritetit Civil të Aviacionit të Kosovës (ANP), rreth 236 mijë udhëtarë kanë udhëtuar për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, “Adem Jashari”. (këtu)
Në bazë të statistikave të ofruara nga Gara del se pretendimi i mediumit serb nuk qëndron. Pra në mesin e rreth 83 mijë udhëtarëve përshihen udhëtimet vajte-ardhje dhe udhëtarët e diasporës. Po ashtu, sa i përket numrit prej 620 fluturimeve, 309 ishin në ardhje dhe 311 në nisje.
Analiza:
Medium në gjuhën serbe “Alo.rs” pretendon rrejshëm se Kosova në vitin 2024 do të përjetojë eksod ku, sipas tyre, largimi në masë i popullsisë ka filluar më 1 janar.
Këtë pretendim, mediumi serb e bazon në opinionin e analistit, Nexhmedin Spahiu dhe shifrat e udhëtimeve në aeroportin e Prishtinës.
Bazuar në të dhënat e ofruara nga zëdhënësja e aeroportit, del se numri i udhëtimeve përshinë vajtje-ardhjen dhe diasporën. Në bazë të statistikave del se edhe gjatë dhjetorit (2023) ka pasur numër të madh fluturimesh. Edhe gjatë janarit të vitit të kaluar (2023) numri i fluturimeve ishte i përafërt me dhjetorin.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim të bërë nga mediumi serb “Alo.rs” e vlerëson si dezinformatë.
Vlerësimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.