Shkroi: Fatbardh Dema
Përmes një artikulli pretendohet se gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” ka shkruar një artikull për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, e se për të ka dhënë se “Një burrë si ky lind vetëm çdo 100 vjet”.
Artikulli me këtë pretendim u publikua nga portali informativ në gjuhën shqipe “Ina-online.net” me datë 25 janar.

I njëjti artikull më pas u shpërnda edhe nga portali tjetër në gjuhën shqipe “lecanton27.ch”, që vetëquhet si gazeta e parë shqipe në Zvicër.
E vërteta?
Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim nuk është i saktë.
Mediumi zviceran “Neue Zürcher Zeitung” i ka kushtuar një artikull takimit të Kurtit me mërgatën në Cyrih të Zvicrës (23 janar).
Megjithatë, në përmbajtje të këtij artikulli sqarohet se në këtë takim me mërgatën, një burrë i moshuar është shprehur për Kurtin me vlerësimin se “Një burrë i tillë lind vetëm çdo 100 vjet”.
Pra, mendimi i një qytetari për kryeministrin e Kosovës, paraqitet nga portalet e lartcekura në gjuhën shqipe si vlerësim i gazetës zvicerane për Kurtin.
Pjesë nga artikulli i publikuar në mediumin online në Zvicër “Neue Zürcher Zeitung”, i përkthyer në shqip:
Kryeministri i Kosovës mirëpritet nga mbështetësit e tij në Cyrih: “Një njeri i tillë lind vetëm çdo 100 vjet”.
Një burrë i moshuar kthehet dhe thotë me sy të përlotur: “Një burrë i tillë lind vetëm çdo 100 vjet”. Pastaj shikon përsëri përpara dhe thërret me zë të ngjirur: “Albin Baba!”
Analiza:
Disa portale në gjuhën shqipe pretenduan se një gazetë zvicerane ka dhënë vlerësim për Kurtin se “Një burrë si ky lind vetëm çdo 100 vjet”.
Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se ky pretendim është i rremë.
Në artikullin e mediumit zviceran “Neue Zürcher Zeitung”, sqarohet se ky vlerësim për Kurtin është dhënë nga një qytetar gjatë takimit me mërgatën që kryeministri kosovar mbajti në Cyrih të Zvicrës më 23 janar.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson si “dezinformatë” pretendimin e bërë nga disa portale në gjuhën shqipe.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.