[email protected]
Nuk mbahet premtimi i kryeministrit Kurti për investime 70 milionë euro për Trepçën në dy vitet e para të qeverisjes së tij
shape
shape
shape

 “Në kushtet e pandemisë, kur ishim në gjendje të vështirë politike, ne i kemi ndarë mbi 7 milionë euro për Trepçën. Në dy vitet në vijim do t’i ndajmë së paku 70 milionë euro për investime për 2022 dhe 2023. Me projektin tonë për fondin sovran, e kemi vendosur në qendër të zhvillimit të ardhshëm ekonomik Trepçën”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një vizitë realizuar në ndërmarrjen e Trepçës, më 20 tetor, pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale, të vitit 2021, kishte premtuar se, brenda dy vjetëve të mandatit qeverisës, Qeveria që ai e drejton do t’i ndajë së paku 70 milionë euro investime për Trepçën. (shih këtu)

Fillimisht Qeveria e Kosovës (29 tetor, 2021), në buxhetin e vitit 2022 kishte paraparë 40 milionë euro investime për ndërmarrjet publike “Trepça” dhe “Telekomi i Kosovës”. Kjo ishte bërë e ditur nga vet kryeministri Kurti. (shih këtu)

Kurse në mbledhjen e 53-të të Qeverisë së Kosovës, të datës 31 dhjetor të vitit 2021, ishte aprovuar propozimi i Ministrisë së Financave Punës dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 860 mijë euro, për ndërmarrjen publike “Trepça”, si pjesë e programit për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike. (shih këtu)

Një vit më vonë (12 tetor), po ashtu si pjesë e programit për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për pensionet e parakohshme, Qeveria e Kosovës kishte ndarë shumën prej 193,400 euro për këtë ndërmarrje. (shih këtu)

Ndërsa në fillim të këtij viti (22 shkurt), ishte aprovuar në parim kërkesa e ndërmarrjes “Trepça” për huamarrje deri në 20,000,000, nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, me qëllim investimin kapital në miniera dhe flotacione. (shih këtu)

Por që në një artikull (12 tetor) të “Kallxo.com”, kuptohet se kjo kredi e miratuar për “Trepçën”, nuk është realizuar ende. (shih këtu)

Një ndarje fondesh për këtë ndërmarrje ishte lajmëruar edhe në një njoftim në Facebook nga zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, i cili kishte shkruar se Qeveria e Kosovës ka ndarë 1,13 milion për ndërmarrjen publike Trepça Sh.A. (shih këtu)

I njëjti zyrtar në një deklaratë dhënë për “Kallxo.com” kishte thënë se Qeveria e Kosovës ka ndarë këtë vit 970 mijë euro, ndërsa në total janë ndarë 15 milionë euro për Trepçën, prej kur vendin e qeverisë Albin Kurti. (shih këtu)

Deklarata e zv-ministrit të Ekonomisë pjesë nga artikulli i “Kallxo.com”:

Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, thotë se problemat në “Trepçë” i trashëguan nga qeveritë e tjera. Por, sipas tij, ekzekutivi qendror po punon që “t’ia rikthejë shkëlqimin “Trepçës””.

“Këtë vit kemi ndarë për makineri minerare 970 mijë euro, po flitet për investime të vogla kapitale në raport me atë që pritet. Por, me 20 milionëshin, pritet që të vijnë makineri të reja” – thotë Mjeku. Sipas tij, prej kur Qeveria Kurti erdhi në pushtet, rreth 15 milionë euro u ndanë për ndërmarrjen.

Minatorët e kompanisë “Trepça” paralajmëruan grevë (21 tetor) për realizimin e kërkesave nga drejtoria e kompanisë, që deri këtë të hënë të merrnin pjesën e mbetur të pagave (shih këtu), ndërsa Qeveria e Kosovës vendosi të ndajë edhe një shumë prej  1,675,150 euro dy ditë më vonë (23 tetor), për ndërmarrjen në fjalë. (shih këtu)


Analiza:

Nisur nga historiku i fondeve të ndara nga Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, për ndërmarrjen “Trepça”, (një shumë e ndarë prej 20 milionë eurosh ende nuk është realizuar), të cilat nuk arrijnë totalin e 70 milionë eurove, si dhe bazuar në deklaratën e zëvendës ministrit të Financave, Getoar Mjeku, i cili është shprehur se totali i investimeve nga kjo qeveri për Trepçën është 15 milionë euro, hibrid.info ka verifikuar se deklarata e 20 tetorit të vitit 2021, nga kryeministri Albin Kurti, për premtimin për investimin në fjalë, nuk është realizuar.

Bazuar në metodologjinë e punës mbi përmbushjen apo mbajtjen e premtimeve, hibrid.info e vlerëson këtë deklaratë si “premtim jo i mbajtur”.


Vlerësimi:

Përmbushja apo mbajtja e premtimeve, kryesisht ndërlidhet me ato parazgjedhore, të cilat monitorohen në nivelin qendror dhe atë lokal gjatë mandatit katër-vjeçar. Ky hulumtim bëhet kryesisht në kohën e fushatës parazgjedhore, ku figurat kryesore politike monitorohen, në mënyrë që të ketë kontroll të fakteve për atë që e thonë. Hibrid.info bazuar në premtimet e bëra më herët, përmes programit zgjedhor, i kontrollon deklaratat e këtyre politikaneve, për të parë nëse pas mandatit kanë arritur t’i mbajnë ato premtime. Hibrid.info planifikon që të publikojë raporte të tilla edhe në baza vjetore.

Vlerësimi në këtë kategori bëhet – mbajte e premtimit (nëse ai mbahet), mbajte e pjesshme e premtimit dhe premtim jo i mbajtur (nëse ai nuk mbahet)

Share With Others