[email protected]
Muaji mars: Veriu, produkte shëruese dhe kushtet klimatike ishin temat, mbi të cilat u keqinformua më së shumti, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) institucioni, kryeministri Albin Kurti, figura më e përfolur
shape
shape
shape

Veriu, produkte shëruese dhe kushtet klimatike ishin temat kryesore për të cilat u keqinformua gjatë muajit mars 2024.

Bazuar në trajtimin e përmbajtjeve keqinformuese gjatë këtij muaji, shumë tema të ndryshme politike u përdorën më së shumti për të keqinformuar. Pas përmbajtjeve politike, përmbajtjet keqinformuese nga fusha e sociales dhe e sigurisë janë përdor më së shumti për të keqinformuar.

Si rezultat i gjetjes dhe trajtimit të 62 përmbajtjeve keqinformuese të publikuara në media reale, media sociale dhe portale të dyshimta, artikujt clickbait dhe lajmet e rreme kanë dominuar ekosferën keqinformuese, duke u pasuar nga dezinformatat dhe mashtrimet.

Në mesin e gjashtë keqinformata ku janë janë përfolur institucionet, Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK), është institucioni më i përfolur, ndërlidhur me pretendime për armatosjen e këtij institucioni me artileri të rëndë ushtarake.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është figura më e përfolur në kontekst me personalitete tjera, si presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ish-presidenti Vojisllav Koshtunica, në 3 përmbajtje keqinformuese ku janë përfolur personalitetet.

Këto të dhëna, dolën nga raporti monitorues që paraqet gjendjen e keqinformimit për muajin shkurt të vitit 2024 tek përmbajtjet që ndërlidhen me Kosovën, bazuar në të dhënat e siguruara nga platforma për kontroll të fakteve – hibrid.info. Raporti është i ideuar nga platforma për kontroll të fakteve hibrid.info, pjesë e OJQ-së kosovare “Action for Democratic Society” (ADS) dhe mbështetët nga fondacioni amerikan “National Endowment for Democarcy” (NED) në kuadër të projektit “Promovimi i Gazetarisë Objektive dhe Luftimit të Dezinformatës”.

Bazuar në monitorimit dhe trajtimit të 62 përmbajtjeve keqinformuese gjatë muajit mars 2024, rezulton që artikujt clickbait me 21% dhe lajmi i rremë me 21% kanë dominuar për sa i përket kategorive keqinformuese. Për shkak që gjatë këtij muaji, keqinformata nuk janë fokusuar në një temë që ka marrë përqendrimin kryesor dhe se disa përmbajtje keqinformuese nga fusha kryesore janë vlerësuar si clickbait dhe lajm i rremë, ka bërë që këto kategori të radhiten me përqindjen më të lartë. Këto dy kategori pasohen nga dezinformata me 20%, mashtrime, përmbajtje të paverifikuara etj.

Keqinformata të publikuara nga publikues të ndryshëm (media reale, portale të dyshimta dhe media sociale) për zhvillime në fushën e sigurisë në veriun e Kosovës, ka bërë që kjo temë me 8% të dominojë gjatë muajit mars. Shumëllojshmëria e temave ka bërë që, edhe pse kjo temë mbizotëron, përqindja e keqinformatave lidhur me të është e ulët. Krahasuar me muajin paraprak (shkurt), tema e veriut me 5% radhitej si e gjashta në mesin e temave për të cilat u keqinformua më së shumti. Gjatë këtij muaji u publikuan disa përmbajtje mashtruese lidhur me pretendime për produkte që shërojnë sëmundje të ndryshme. Në kuadër të përmbajtjeve keqinformuese të trajtuara gjatë këtij muaji, janë publikuar lajme të vjetra lidhur me kushtet klimatike më pretendimin t’i paraqesin si aktuale. Po ashtu, janë publikuar edhe përmbajtje mashtruese me pretendimin për dhënie kredish apo shprehje të kënaqësisë së konsumatorëve për kreditë. Përmbajtjet e koduara si raste tragjike (vdekje e vrasje), ku përveç artikujve clickbait për të cilat nuk bëhet e ditur në titull  vendndodhja e ngjarjes,  janë publikuar edhe lajme të rreme me pretendime për vdekjen e djalit të artistit Ardit Gjebrea, etj.

Sa i përket fushave, politika me 27% vazhdon të jetë fusha kryesore ku më së shumti u keqinformua, pasuar nga socialja me 26% dhe siguria me 21%. Publikimi i keqinformatave në një shumëllojshmëri të temave nga zhvillimet e ndryshme politike, ndërlidhur me asociacionin e komunave serbe, intervenimin e NATO-s 1999, trazirat e marsit 2004, dialogun e tjera, ka bërë që kjo fushë të mbizotërojë edhe gjatë muajit mars. Pothuajse të gjitha përmbajtjet nga fusha e politikës janë publikuar në gjuhën shqipe në media (15%) dhe media sociale (11%). Dezinformatat (10%), lajmi i rremë (6%) dhe artikujt clickbait (4%) janë kategoritë keqinformuese me të cilat janë vlerësuar keqinformatat për një mori temash nga fusha e politikës.

Fusha e politikës pasohet nga ajo e sociales, ku keqinformatat nga kjo fushë janë publikuar në media sociale (13%), portale të dyshimta (5%) dhe media reale (3%), e që dominojnë përmbajtjet mashtruese lidhur me produkte shëruese dhe dhënie kredish. Këto dy fusha pasohen nga fusha e sigurisë, e që një pjesë e konsiderueshme janë vlerësuar si lajm i rremë (6%), dezinformatë (5%) dhe clickbait (3%) si dhe janë publikuar në media sociale (13%) dhe media reale (5%), që kishin të bënin lidhur me armatosjen e FSK-së, për zhvillimet në kufirin Kosovë-Serbi dhe veri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është figura më e përfolur në kontekst me personalitete tjera, si me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në pretendime se janë takuar për dialogun Kosovë-Serbi, si dhe në deklaratën e vjetër të ri-publikuar si aktuale të Vuçiqit lidhur me mos pranimin e asociacionit. Në media është ri-publikuar fotografia e montuar e Kurtit me ish-presidentin serb, Vojisllav Koshtunica. Figura e dytë më e përfolur në përmbajtjet keqinformuese të publikuara në muajin mars është Maria Zaharova, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, lidhur me deklaratat e saja publike duke dezinformuar për intervenimin e NATO-së më 1999 dhe trazirat e Marsit më 2004.

Në kuadër të kontrollit të deklaratave dhe premtimeve është trajtuar deklarata e Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia në një intervistë, të publikuar me 25 shkurt ku pati deklaruar se mjekët në Kosovë kanë një nga rrogat më të larta në regjionin e Ballkanit Perëndimor. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia ka paga më të ulëta për mjekët, në krahasim me Kosovën, gjë e cila sipas vlerësimit, e bën deklarimin e ministrit Vitia, si të pasaktë.

Share With Others