Debati për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë është shoqëruar me një varg deklaratash nga zyrtarë serbë dhe përmbajtje të shpërndara në rrjetet sociale, ku hapja e urës paraqitet si kërcënim për sigurinë e serbëve në veri të Kosovës. Në këto raportime, zhvillimi aktual lidhet edhe me ngjarjet e marsit 2004, duke krijuar një paralelizëm mes situatës së sotme dhe asaj të 17 marsit 2004.
Vuçiq: “Kurti dhe ndihmësit e tij perëndimorë po terrorizojnë serbët”
Më 19 gusht 2026, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se do t’i dërgonte një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për t’i kërkuar që të mos lejohet hapja e urës kryesore mbi Ibër.
Sipas raportimit të mediumit serb Blic, Vuçiq tha se “sonte do t’i dërgojë letër Rutte-s” dhe se Serbia nuk e pranon hapjen e urës. Ai e paraqiti çështjen në kuadër të asaj që e cilësoi si “terror” ndaj serbëve në Kosovë, duke pretenduar se përgjegjës për këtë janë jo vetëm Albin Kurti, por edhe “ndihmësit e tij nga Perëndimi”.
Në deklaratën e tij, Vuçiq e lidhi situatën aktuale me kundërshtimin e Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës, duke thënë se Beogradi “nuk e ka pranuar dhe nuk do ta pranojë” pavarësinë.
Në këtë kontekst, presidenti serb e përfshiu edhe KFOR-in në kritikën e tij, duke pretenduar se komandanti i KFOR-it dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë “bëhen sikur nuk shohin” situatën në veri.
Këto deklarata paraqiten si qëndrime të Vuçiqit dhe nuk përbëjnë, në vetvete, dëshmi për ekzistencën e një plani të koordinuar për “terrorizimin” e serbëve.

Ndërsa më 20 gusht, Vuçiq ka bërë të ditur edhe sot se i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke kërkuar që Aleanca të mos lejojë hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Ai shtoi se nga KFOR-i ka kërkuar gjithashtu që të ndërhyjë për të ndalur atë që ai e quajti “terror ndaj serbëve”, si dhe arrestimet, dëbimet dhe rrënimin e shtëpive.
Kjo deklaratë ka zënë vend në disa prej ballinave të gazetave ditore në Serbi, të 21 gushtit, me titujt: Informer – “Vuçiq: NATO, shpëtojini serbët nga Kurti”; Novosti – “KFOR-i, ndalojeni terrorin ndaj serbëve”; Blic – “Vuçiq: Ndalojeni terrorin ndaj serbëve”; dhe Alo – “Ndalojeni terrorin e tmerrshëm ndaj serbëve”.
Radojeviq: Hapja e urës “i frikëson” serbët
Një ditë më herët, më 18 gusht, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, deklaroi se hapja e urës është një çështje veçanërisht e ndjeshme për banorët e veriut të qytetit.
Radojeviq tha se qytetarët e kanë pritur me “mosbesim dhe shqetësim” njoftimin nga Brukseli se janë përmbushur kushtet për hapjen e urës.
Ai vuri në pikëpyetje vlerësimin e sigurisë, duke pretenduar se në veri nuk ekziston një situatë stabile dhe se Policia e Kosovës ka “nivelin më të ulët të besimit” te serbët në Kosovë.
Radojeviq e lidhi këtë pretendim me disa raste të raportuara së fundmi, përfshirë rastin e Nenad Rashkoviqit, kontrollet policore dhe demolimin e disa garazheve në veri. Ai i përshkroi këto veprime si “forcë të zhveshur dhe represion”.
Në deklaratën e tij, Radojeviq tha gjithashtu se hapja e urës nuk duhet parë vetëm si çështje e qarkullimit. Sipas tij, hapja do të ishte pjesë e një serie veprimesh që synojnë bashkimin administrativ të Mitrovicës së Veriut me pjesën jugore dhe, sipas pretendimit të tij, dobësimin ose shuarjen e komunës së Mitrovicës së Veriut.
Ai pretendoi se objektivi përfundimtar i Albin Kurtit është “bashkimi i qytetit dhe dëbimi i serbëve nga veriu”.
Edhe këto deklarata duhen trajtuar si pretendime politike të një zyrtari serb, pasi në materialin e raportuar nuk paraqiten prova që dëbimi i serbëve është objektivi i hapjes së urës.

Pretendimi për përsëritjen e 17 marsit 2004
Një element tjetër i rëndësishëm i këtyre raportimeve është lidhja e hapjes së urës me ngjarjet e marsit 2004.
Radojeviq deklaroi se serbët në veri kanë frikë nga situata e sigurisë dhe e lidhi këtë shqetësim me vendimin e pritshëm në Hagë për ish-krerët e UÇK-së. Sipas tij, banorët e veriut kanë frikë nga reagimet e mundshme pas shpalljes së aktgjykimit.
Ai tha gjithashtu se KFOR-i kishte pasur një vlerësim të ngjashëm të situatës së sigurisë edhe para 17 marsit 2004 dhe se prania e trupave ishte reduktuar para shpërthimit të dhunës.
Sipas Radojeviqit, këto zhvillime “zgjojnë kujtime” te banorët e Mitrovicës së Veriut dhe te serbët e tjerë në Kosovë.
Kështu, në narrativën e tij krijohet një lidhje ndërmjet tri zhvillimeve: ndryshimit të pranisë së KFOR-it, hapjes së mundshme të urës dhe rrezikut të përsëritjes së dhunës së vitit 2004.
Mesazhet në Telegram paralajmërojnë “një konflikt shumë më të madh”
E njëjta narrativë është shfaqur edhe në platformën Telegram.
Në një mesazh të shpërndarë në kanalin Српски Инат – Коридор СБ☧ u bëhet thirrje “të gjithë atyre që mund të kenë ndikim” – përfshirë autoritetet, opozitën, Bashkimin Evropian, Rusinë dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara, që “me asnjë kusht” të mos lejojnë hapjen e urës kryesore mbi Ibër.
Në këtë mesazh pretendohet se hapja e urës do t’i ekspozonte serbët në anën veriore ndaj “presionit të madh psikologjik”, për shkak të kujtimeve të vitit 2004, por edhe ndaj presionit fizik.
Mesazhi pretendon gjithashtu se shqiptarët janë duke u përgatitur për “provokime të mëdha” pas hapjes së urës dhe se këto, sipas autorëve të postimit, mund të përshkallëzohen lehtësisht në “një konflikt shumë më të madh”.
Ndryshe nga një raportim i bazuar në të dhëna konkrete, ky mesazh paraqet një skenar të parashikuar, pa ofruar prova për ekzistencën e një plani të tillë ose për përgatitje konkrete për dhunë.

Çfarë ndodhi më 17 mars 2004?
Lidhja me marsin 2004 është veçanërisht e ndjeshme për shkak të rolit që ura mbi Ibër pati gjatë dhunës ndëretnike të asaj periudhe.
Më 16 mars 2004, tre fëmijë shqiptarë u mbytën në lumin Ibër. Në orët dhe ditët pasuese u përhapën raportime se fëmijët ishin ndjekur drejt lumit nga disa serbë që kishin edhe një qen me vete. Hetimet e mëvonshme nuk e konfirmuan këtë version.
Human Rights Watch ka dokumentuar se këto raportime të pasakta dhe sensacionaliste kontribuuan në krijimin e një klime tensioni që parapriu dhunën e 17–19 marsit 2004.
Më 17 mars, turma të shqiptarëve u përpoqën të kalonin drejt pjesës veriore të Mitrovicës dhe përleshjet shpërthyen pranë urës mbi Ibër. Dhuna më pas u përhap në pjesë të tjera të Kosovës.
Sipas Human Rights Watch, dhuna e marsit la 19 persona të vdekur dhe më shumë se 900 u plagosën gjatë dhunës. Mijëra persona u zhvendosën dhe qindra shtëpi, si dhe dhjetëra objekte fetare ortodokse, u dëmtuan ose u shkatërruan.



