Një vajzë e vogël, një ari, aventura dhe humor. Në pamje të parë, Masha and the Bear duket si një serial i zakonshëm për fëmijë. Por më 20 gusht 2026, Ukraina vendosi sanksione ndaj studios ruse Animaccord dhe disa personave të lidhur me prodhimin dhe shpërndarjen e serialit (shih këtu). Autoritetet ukrainase e kanë akuzuar serialin se përhap narrativa pro-ruse të maskuara si përmbajtje për fëmijë. Sipas ministrisë ukrainase të Kulturës, sanksionet krijojnë bazë ligjore për bllokimin e përmbajtjes në Ukrainë dhe për kërkimin e kufizimeve ndaj monetizimit dhe shpërndarjes në platformat ndërkombëtare.
Vendimi ukrainas nuk erdhi pa një debat të mëparshëm. Në korrik, më shumë se 50 deputetë britanikë nga parti të ndryshme i kërkuan qeverisë të shqyrtonte ndalimin e transmetimit të serialit në Mbretërinë e Bashkuar. Ata pretenduan se disa episode përmbajnë imazhe ushtarake sovjetike dhe se këto mund të normalizojnë simbole të lidhura me regjimin sovjetik te fëmijët (shih këtu).
Prodhuesi i serialit i ka kundërshtuar këto akuza. Animaccord thotë se është kompani private, se nuk ka marrë financim shtetëror dhe se seriali nuk përmban mesazhe politike (shih këtu).
Pra, fakti që Ukraina e ka sanksionuar serialin nuk do të thotë automatikisht se është provuar se seriali është propagandë. Por, këtu ngrihet një pyetje më e gjerë:
A mund të përdoret argëtimi për të përcjellë mesazhe politike, ideologjike apo kulturore pa u dukur si propagandë?

Propaganda nuk ka gjithmonë pamjen e propagandës
Kur flasim për propagandë, zakonisht mendojmë për fjalime politike, postera, reklama elektorale ose mesazhe të drejtpërdrejta.
Por propaganda mund të ndërtohet edhe përmes tregimeve.
Një film nuk ka nevojë të thotë drejtpërdrejt se një shtet është “i mirë” dhe një tjetër “i keq”. Një narrative mund të ndërtohet përmes personazheve, konflikteve, simboleve dhe mënyrës se si paraqiten heronjtë dhe antagonistët.
Për këtë arsye, filmat vizatimorë kanë qenë prej kohësh objekt studimi në kontekstin e propagandës.
Një studim i James Stanley Machowski dhe James William Brown analizoi 194 nga 262 filmat vizatimorë të Warner Brothers të prodhuar për kinema gjatë viteve 1939–1946, duke shqyrtuar përdorimin e simboleve dhe qëndrimet e filmave ndaj tyre. Studiuesit gjetën se, në shumicën e rasteve, elementet propagandistike ishin të ndërthurura me aksionin kryesor të filmit, në vend që të ishin mesazhi i vetëm i tij. SHBA-ja dhe aleatët paraqiteshin pozitivisht, ndërsa personazhet e identifikuara me armiqtë paraqiteshin negativisht (shih këtu).
Kjo tregon se mesazhi propagandistik nuk duhet domosdoshmërisht të jetë tema kryesore e një filmi. Mund të jetë vetëm një element brenda një historie që, në radhë të parë, synon të argëtojë.
Një shembull historik nga Hollywood-i
Lufta e Dytë Botërore ofron shumë shembuj të përdorimit të animacionit për qëllime propagandistike.
Studimi mbi filmat e Warner Brothers tregon se personazhet kryesore identifikoheshin me SHBA-në, fitonin konfliktet, ndërsa gjermanët dhe japonezët shpesh paraqiteshin përmes stereotipeve negative.
Një analizë e The Guardian për historinë e propagandës në filmat vizatimorë përmend gjithashtu përdorimin e animacionit nga studio si Warner Brothers dhe Disney gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa thekson se edhe fuqitë e Boshtit përdorën animacionin për mesazhet e tyre (shih këtu).
Kështu, fenomeni nuk mund të reduktohet në një shtet apo konflikt të vetëm. Animacioni është përdorur në periudha dhe kontekste të ndryshme për të ndërtuar imazhe të “ne” dhe “ata”, të heroit dhe armikut.

Pse argëtimi mund të jetë një mjet i fuqishëm?
Një pjesë e rëndësishme e fuqisë së animacionit qëndron te mënyra se si ai e thjeshton realitetin.
Një konflikt kompleks mund të shndërrohet në një histori të kuptueshme. Një personazh është heroi, një tjetër antagonisti; njëri është trim, tjetri frikacak; njëri mbron të mirën, tjetri kërcënon atë.
Në këtë mënyrë, audienca nuk merr vetëm informacion. Ajo merr një histori përmes së cilës interpreton informacionin.
Në studimin e Machowskit dhe Brownit u analizuan simbolet vizuale dhe zanore, sjellja e personazheve dhe mënyra e ndërveprimit.
Kjo tregon se, për të analizuar një film si potencialisht propagandistik, nuk mjafton të kërkojmë një fjali që thotë “Rusia është e mirë” apo “Amerika është e mirë”.
Kur fëmijët bëhen audienca
Serialet e animuara nuk janë thjesht një formë argëtimi, por një mjet i fuqishëm pedagogjik dhe socializimi. Studimi i vitit 2025, “Exploring the Role of Animated Cartoons in Promoting Values and Social Skills in Children” thekson se përmes tregimeve, humorit dhe konflikteve që shfaqen në ekran, filmat vizatimorë kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin shoqëror, emocional dhe njohor të fëmijëve.
Kjo është e rëndësishme sepse socializimi nuk ndodh vetëm përmes mësimit formal në shkollë. Fëmijët mësojnë për botën, etikën dhe marrëdhëniet shoqërore përmes modeleve që shohin vazhdimisht te personazhet e tyre të preferuar. Siç vë në dukje studimi, tregimet e bazuara te karakteret nxisin empatinë, bashkëpunimin dhe arsyetimin moral, duke i kthyer animacionet në një formë të “pedagogjisë narrative”.
Megjithatë, duhet shmangur përfundimi se fakti që fëmijët ekspozohen ndaj vlerave dhe modeleve të sjelljes në ekrane, nuk do të thotë se ata i marrin mesazhet në mënyrë të verbër apo pasive, pasi ndikimi i tyre mbetet një proces kompleks që varet nga shumë faktorë të tjerë.
“Masha and the Bear” dhe “soft power”
Në rastin e Masha and the Bear, ekziston edhe një literaturë akademike specifike.
Në vitin 2020, studiuesi Vlad Strukov botoi kapitullin “(Masha and) the Bear Diplomacy: Soft Power as World-building and Russian Non-governmental Agency” në librin Cinema and Soft Power: Configuring the National and Transnational in Geo-politics.
Strukov e analizon serialin në kuadër të “soft power”-it, duke u fokusuar në animacionin digjital, mënyrat e shpërndarjes dhe mënyrën se si seriali ndërton një botë kulturore. Ai gjithashtu vëren se sukseset kulturore ruse, përfshirë Masha and the Bear, janë interpretuar nga disa vëzhgues perëndimorë përmes koncepteve të propagandës dhe luftës informative (shih këtu).
Por, Soft power nuk është e njëjta gjë me propagandën.
Një produkt kulturor mund të rrisë tërheqjen e një vendi pa qenë domosdoshmërisht një produkt propagandistik i kontrolluar nga shteti.
Pikërisht për këtë arsye, Masha and the Bear është një rast interesant për analizë, pasi që tashmë ekziston një debat real mbi rolin kulturor dhe politik të serialit, ndërsa vetë prodhuesit e mohojnë karakterin propagandistik të tij.
A është çdo film propagandë?
Një simbol politik apo një personazh negativ nuk e bën automatikisht një film propagandë, ashtu si një film që vjen nga një shtet nuk është automatikisht instrument i tij. Për këtë duhen parë përmbajtja, konteksti, financimi dhe provat për ndikim të qëllimshëm.
Prandaj, pyetja nuk është thjesht “A është ky film propagandë?”, por: Çfarë narrative përcjell, çfarë vlerash normalizon, dhe a ekzistojnë prova se është përdorur qëllimisht?
Sepse propaganda nuk ka gjithmonë pamjen e një propagande. Ndonjëherë vjen si fjalim, ndonjëherë si reklamë, e ndonjëherë edhe si film vizatimor.