[email protected]
Narrativa konspiracioniste e zyrtarëve serbë se Albin Kurti tentoi t’i ndalonte serbët nga Kosova të arrijnë në tubimin në Beograd
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Më 11 prill ishte nisur në Beograd tubimi treditor “Ne nuk heqim dorë nga Serbia”, i thirrur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe i mbështetur nga përkrahësit e pushtetit. Tubimi u thirrë në kulmin e protestave studentore që prej disa muajsh kishin vazhduar në Serbi. Në mëngjesin e 12 prillit u raportua se shumë serbë nga Kosova ishin nisur drejt Beogradit, për të marrë pjesë në tubimin që do të mbahej po atë ditë.

Zyrtarët dhe mediat serbe ndërtuan një narrativë konspirative, duke pretenduar se kalimi i kolonave të gjata të autobusëve dhe veturave në vendkalimet kufitare ishte tentuar të pengohej nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. (këtu)

Kryeministri në detyrë i Serbisë, Milosh Vuçeviq, deklaroi se Albin Kurti ka tentuar të pengojë hyrjen e autobusëve me serbë nga Kosova në Serbi, por shumica prej tyre ia dolën të kalojnë kufirin. (këtu, këtu)

Edhe Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, nëpërmjet një postimin në platformën X, deklaroi se Albin Kurti kishte tentuar brutalisht të pengonte serbët nga Kosova të merrnin pjesë në tubimin popullor “Nuk e japim Serbinë” në Beograd, duke ndaluar shumë autobusë që ishin nisur për atje. (këtu, këtu)

Sipas raportimeve nga një gazetar i Kosova Online, në mëngjesin (08:31 – 09:07) e 12 prillit, dhjetëra autobusë me serbë nga veriu i Kosovës prisnin të kalonin në vendkalimin Jarinjë, ku përveç kontrolleve rutinë të pasagjerëve nuk është raportuar për vonesa të mëdha dhe udhëtimi është vazhduar normalisht. Një situatë e ngjashme është shënuar edhe në vendkalimin Merdar, ku në orët e mëngjesit është regjistruar rritje e dukshme e trafikut për shkak të fluksit të automjeteve me qytetarë serbë që udhëtonin drejt Beogradit për të marrë pjesë në tubimin gjithëserb, dhe për këtë arsye janë hapur dy korsi për të mundësuar qarkullim më të shpejtë. Në këtë lajm shfaqen pamje nga vendi i ngjarjes, ku duken autobusët teksa presin për të kaluar në vendkalim. (këtu)

Ndërsa në një raportim të mëvonshëm të publikuar nga portali Kosovo Online, pretendohet se në disa prej vendkalimeve, Policia e Kosovës ka zbatuar rregulla të veçanta kontrolli dhe ka kthyer mbrapsht qytetarë serbë që ishin nisur drejt Beogradit për të marrë pjesë në tubim. Sipas portalit, automjete janë kthyer nga vendkalimi Dheu i Bardhë, ndërsa në vendkalimet e tjera, udhëtarët kanë raportuar se u është kërkuar dokumentacion i posaçëm dhe se kontrollet kanë zgjatur më shumë se zakonisht. (këtu) Por nuk ofrohen detaje të tjera në lidhje me këtë pretendim.

Në bazë të raportimeve mediale, rezulton se serbët që kishin synuar të merrnin pjesë në tubimin e 12 prillit në Beograd kanë arritur me sukses në kryeqytet. Raportet tregojnë se shumica e udhëtarëve kanë kaluar normalisht nëpër vendkalime, duke përfshirë kontrollet rutinë, dhe kanë vazhduar udhëtimin pa vonesa të mëdha.

Pra, pretendimi se Albin Kurti ka bllokuar vendkalimet për të parandaluar kalimin e serbëve drejt Beogradit për të marrë pjesë në tubim, nuk mbështetet me fakte të besueshme dhe nuk është verifikuar nga burime kredibile. Ky pretendim mund të vlerësohet si një narrativë konspiracioniste, e pabazuar në fakte, që i shtohet narrativave serbe dhe përpiqet të lidhë ngjarjet në Serbi me kryeministrin Kurti.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »