Të fundit | Rifat Jashari nuk e ka bërë deklaratën e pretenduar ndaj Edi Ramës Të fundit | Titulli e paraqet lirimin e Thaçit si të konfirmuar Të fundit | Rama s’ka thënë se mbështetësit e protestave nga Kosova e Maqedonia e Veriu… Të fundit | Nuk ka dëshmi se Engel ka deklaruar se lirimi i Thaçit do të ndikonte në sk… Të fundit | Pretendim i rremë se Hillary Clinton ka bërë një deklaratë për qeverisjen e… Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin korrik 2026 Të fundit | Format e manipulimit të imazheve për qëllime keqinformimi Të fundit | Hamza nuk refuzoi krijimin e institucioneve dhe nuk kërkoi zgjedhje të reja Të fundit | Videoja e vitit 2021 me aeroplanë luftarakë serbë mbi Jarinjë ripublikohet… Të fundit | Pretendime pa fakte se familja Berisha e dogji shtëpinë në Zveçan për t’i a…
[ ARTIKULLI ]

Narrativat serbe dhe ruse: Nga licencimi i guidave te pretendimet për kufizimin e pelegrinazheve dhe “fshirjen e identitetit serb”

FESTIM RIZANAJ

Zbatimi i rregullave të reja për licencimin e guidave turistike në Kosovë është shndërruar në një tjetër pikë të retorikës politike të Beogradit kundër Kosovës. Përmes reagimeve të zyrtarëve serbë, Kishës Ortodokse Serbe dhe mediave serbe e ruse në gjuhën serbe, një masë ligjore për licencimin e udhërrëfyesve turistikë po paraqitet si përpjekje për “shuarjen e identitetit serb”, kufizimin e pelegrinazheve dhe dobësimin e lidhjeve të serbëve me manastiret ortodokse në Kosovë.

Sipas rregullave të publikuara nga institucionet e Kosovës, personat që ushtrojnë veprimtari si guida turistike duhet të jenë të licencuar. Grupet e organizuara që hyjnë në Kosovë të shoqëruara nga guida të huaja duhet të kenë gjatë gjithë qëndrimit edhe një guidë lokale të licencuar.

Për informimin e vizitorëve, institucionet kosovare kanë shpërndarë në pikat kufitare një dokument orientues në shqip, serbisht dhe anglisht, ku sqarohen rregullat për guidat turistike, detyrimet e agjencive dhe masat ndaj shkeljeve.

Përderisa Prishtina e paraqet këtë si një proces të rregullimit të sektorit të turizmit, Beogradi, institucionet e Kishës Ortodokse Serbe dhe mediat serbe e kanë interpretuar si një masë që mund të vështirësojë pelegrinazhet dhe vizitat e serbëve në manastiret ortodokse në Kosovë. Kjo narrativë është amplifikuar edhe nga mediat ruse në gjuhën serbe, veçanërisht “RT Balkan” dhe “Sputnik Srbija”.

Çfarë synojnë rregullat për licencimin e guidave?

Nga këndvështrimi i institucioneve të Kosovës, licencimi është pjesë e zbatimit të kuadrit ligjor për turizmin dhe synon standardizimin e shërbimeve, profesionalizimin e sektorit dhe formalizimin e tregut.

Sipas autoriteteve, rregullat synojnë gjithashtu të parandalojnë veprimtarinë e guidave të palicencuara dhe të krijojnë mekanizma për mbikëqyrjen e mënyrës se si prezantohen historia, kultura dhe trashëgimia e Kosovës.

Prishtina thekson se këto masa nuk ndalojnë vizitat në objektet fetare dhe nuk cenojnë lirinë e besimit. Masa lidhet me ushtrimin profesional të veprimtarisë së guidës turistike, ndërsa vizitat individuale dhe fetare nuk paraqiten si të ndaluara.

Dokumenti informues i shpërndarë në pikat kufitare sqaron gjithashtu se grupet e organizuara që hyjnë në Kosovë, të shoqëruara nga guida të huaja të palicencuara në Kosovë, duhet të jenë gjatë gjithë qëndrimit nën shoqërimin e një guide lokale të licencuar.

Megjithatë, zbatimi i rregullave për grupet e organizuara të pelegrinëve është bërë pjesa më e diskutueshme e kësaj çështjeje.

Narrativat e mediave dhe zyrtarëve serbë

Në mediat serbe, rregullat e reja janë interpretuar kryesisht përmes një kornize politike, etnike dhe fetare, duke u larguar nga qëllimi i deklaruar institucional për rregullimin e sektorit të turizmit.

Një nga narrativat kryesore është se licencimi i guidave nuk është thjesht një masë administrative, por një përpjekje për të kufizuar vizitat e serbëve në manastiret ortodokse dhe për të dobësuar lidhjet e tyre me Kosovën.

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka insistuar në dallimin mes turizmit dhe pelegrinazhit, duke argumentuar se vizitat në manastire janë udhëtime fetare dhe shpirtërore. Në të njëjtën linjë, mediat “Politika” dhe “Večernje Novosti” kanë ngritur shqetësime për mënyrën se si do të funksionojë shoqërimi nga guidat lokale, duke vënë në pikëpyetje gjuhën që do të përdorin dhe mënyrën se si do të prezantohet historia e manastireve.

Këto raportime ndërtojnë narrativën se guidat e licencuara nga institucionet e Kosovës mund të përdoren për t’ua imponuar vizitorëve serbë një interpretim të historisë që bie ndesh me narrativën historike serbe. Në këtë diskurs, manastiret e Deçanit, Graçanicës dhe Patriarkanës së Pejës paraqiten si objekte që rrezikojnë të shkëputen nga konteksti i tyre serb dhe të interpretohen vetëm si pjesë e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Një tjetër narrativë e përsëritur është ajo e “shkëputjes së manastireve nga serbët”. Sipas kësaj kornize, qëllimi përfundimtar i masës nuk është rregullimi i turizmit, por izolimi i manastireve dhe dobësimi i lidhjeve të tyre me komunitetin serb në Kosovë dhe me Serbinë.

Në një përgjigje për Radio Kim, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka sqaruar se detyrimi për angazhimin e një guide lokale të licencuar vlen vetëm kur ofrohen shërbime profesionale të guidës turistike, sipas Ligjit për Turizmin. Sipas Ministrisë, një vizitë fetare, pelegrinazh apo pjesëmarrje në një ceremoni fetare, në vetvete, nuk përbën shërbim guide turistike dhe nuk i nënshtrohet këtij detyrimi. Priftërinjtë, murgjit dhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare mund t’i shoqërojnë dhe informojnë pelegrinët pa pasur licencë si guida turistike, për sa kohë që veprojnë në kuadër të aktiviteteve të tyre fetare.

Sipas Ministrisë, ligji nuk synon kufizimin e të drejtave fetare apo pelegrinazheve, por rregullimin e shërbimeve turistike dhe garantimin e standardeve profesionale. Detyrimi për licencë zbatohet kur një person, pavarësisht nëse grupi është fetar apo tjetër, ofron profesionalisht shërbime guide dhe prezanton përmbajtje kulturore, historike apo turistike.

Në planin politik, kryetari i Partisë Progresive Serbe (SNS-së), Millosh Vuçeviq, e ka paraqitur masën si pjesë të një përpjekjeje për “fshirjen e emrit dhe identitetit serb” në Kosovë. Kjo e zhvendos çështjen nga një debat për licencimin e guidave në një narrativë më të gjerë mbi presionin ndaj serbëve dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Narrativat e mediave ruse në gjuhën serbe

Këto narrativa janë amplifikuar edhe nga mediat ruse në gjuhën serbe, veçanërisht “RT Balkan” dhe “Sputnik Srbija”.

Më 28 korrik, “RT Balkan” publikoi artikullin “Novi podmukli udar: Može li Kurti zaustaviti Srbe da posećuju svetinje na Kosmetu” (Një grusht shteti i ri tinëzar: A mund t’i ndalojë Kurti serbët të vizitojnë vendet e shenjta në Kosmet?), ku vetë titulli e kornizon masën si një “goditje të re tinëzare”. Artikulli sugjeron se rregullat e reja mund të përdoren për të ndaluar ose vështirësuar vizitat e organizuara të serbëve në vendet e shenjta.

Përmes deklaratave të Millosh Koviq dhe Zhivojin Rakoçeviq, “RT Balkan” promovon narrativën se qëllimi i masës është “shkëputja” e manastireve të Kishës Ortodokse Serbe nga komuniteti serb, si dhe dobësimi i lidhjeve të serbëve në Kosovë me Serbinë.

Një tjetër narrativë e promovuar nga kjo media është se guida lokale mund të shërbejë si instrument për kontrollin e historisë, duke u imponuar pelegrinëve një interpretim të caktuar të së kaluarës së Kosovës. Kështu, një rregull për licencimin profesional të guidave paraqitet si përpjekje për të kontrolluar narrativën historike.

Më 29 korrik, “Sputnik Srbija” publikoi artikullin Ovo je teško objasniti: Džabe prištinske licence – što nas više tlačite, više će nas dolaziti!” (“Kjo është e vështirë për t’u shpjeguar: Prishtina jep licenca për asgjë – sa më shumë të na shtypni, aq më shumë do të vijmë!”. Edhe kjo media e paraqet masën si një përpjekje për të ndërprerë “rrjedhën” e pelegrinëve nga Serbia, Republika Srpska dhe Mali i Zi drejt manastireve në Kosovë.

Në raportimin e “Sputnik Srbija”, licencimi lidhet drejtpërdrejt me pretendimin se Prishtina synon të “presë lidhjen” mes serbëve në Kosovë dhe Serbisë, ndërsa rregullat interpretohen si pjesë e një serie masash që synojnë të dobësojnë praninë dhe identitetin serb.

Pra, në narrativat e “Politika”, “Večernje Novosti”, “RT Balkan” dhe “Sputnik Srbija”, rregullat e licencimit shfaqen kryesisht përmes këtyre kornizimeve:

  • “Sulm” ndaj serbëve dhe Kishës Ortodokse Serbe;
  • Përpjekje për të kufizuar ose ndërprerë pelegrinazhet;
  • Përpjekje për “shkëputjen” e manastireve nga komuniteti serb;
  • Kontroll i interpretimit të historisë përmes guidave të licencuara;
  • Përpjekje për dobësimin e identitetit serb dhe lidhjeve me Serbinë;
  • Pjesë e një presioni më të gjerë ndaj serbëve në Kosovë.

Faktet përballë narrativave

Faktet tregojnë se Kosova po zbaton një sistem licencimi dhe mbikëqyrjeje për guidat turistike, duke kërkuar që personat që ushtrojnë këtë profesion të jenë të licencuar dhe që grupet e organizuara me guida të huaja të kenë edhe një guidë lokale të licencuar. Dokumenti orientues që u jepet vizitorëve në pikat kufitare nuk ndalon vizitat në objektet fetare dhe nuk përcakton ndalimin e pelegrinazheve.

Në anën tjetër, pretendimet e promovuara nga “Politika”, “Večernje Novosti”, “RT Balkan” dhe “Sputnik Srbija” se masa synon “fshirjen e identitetit serb”, “shkëputjen e manastireve nga serbët” ose ndalimin e pelegrinëve, janë interpretime politike që shkojnë përtej përmbajtjes së rregullave të publikuara.

Kështu, fakti është se Kosova po vendos një sistem licencimi për guidat turistike, ndërsa narrativa e mediave serbe dhe ruse në gjuhën serbe është se ky sistem përdoret si instrument për të kufizuar pelegrinazhet, kontrolluar interpretimin e historisë dhe dobësuar lidhjet e serbëve me manastiret dhe trashëgiminë e tyre fetare në Kosovë.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere