[email protected]
Titulli dhe fotografia lë të kuptohet se lajmi ka të bëjë me Prishtinën
shape
shape
shape

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar dje (3 mars) një artikull me titull “Deri në 3 vjet burg për ata që rrisin qiranë”.

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i artikullit është përgjithësues, që nuk qartëson se për cilin vend bëhet fjalë.

Lajmi qartësohet në përmbajtje, ku thuhet se pas tërmetit të 6 shkurtit që goditi Turqinë, në Ankara, disa pronarë dhe agjentë të patundshmërive kanë përfituar nga ardhja e viktimave të tërmetit në qytet, duke bërë rritje të çmimit të qirave.

Përveç titullit përgjithësues, autori i ka vënë artikullit edhe fotografi jo adekuate, në të cilën shihet një pjesë e qytetit të Prishtinës, kështu duke lënë vend për keqinformimi te lexuesit se lajmi ka të bëjë me kryeqytetin e Kosovës.

Duke ditur se ky portal është i regjistruar në Kosovë (shih këtu) dhe shumicën e lexuesve i ka shqipfolës (shih këtu), kjo mund t’i keqinformojë lexuesit se ky lajm ka të bëjë me vendin tonë.


Pjesë nga artikulli i publikuar në portalin “Kosova-sot.info”:

Shumë nga të mbijetuarit nga 11 provincat e prekura nga tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë në Kahramanmaraş migruan në qytete të ndryshme. Ankaraja ishte një nga qytetet që e përjetoi më shumë këtë valë qytetarësh që zgjodhën këtë qytet për t’u zhvendosur pas tërmeteve.

Megjithatë, me ardhjen në qytet të të prekurve nga tërmeti, filloi një rritje e lartë e qirave të shtëpive. Shumë njerëz u ankuan , duke pretenduar se disa pronarë dhe agjentë imobiliare, të cilët përfituan nga ardhja e viktimave të tërmetit në qytet, bënë rritje të jashtëzakonshme, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Kosova-sot.info”:

https://www.kosova-sot.info/lajme/666405/deri-ne-3-vjet-burg-per-ata-qe-rrisin-qirane/?fbclid=IwAR20OxlgFR1GQtc23Ryjba3-gIGP0yWuP1YvBGOqX9DVihZNDU_PQOItEHk


Pas verifikimit të fakteve të bërë përmes programit të automatizuar online “InVID” për kontroll faktesh, hibrid.info ka arritur të gjejë këtë fotografi të një pjese të qytetit të Prishtinës, e cila është përdorur gjatë viteve të kaluara nga mediat online në Kosovë për lajmet që kishin të bëjnë me kryeqytetin. (shih këtu dhe këtu)


Më poshtë mund të shihni elemente tjera (objektet Grand Hotel Prishtina dhe Biblioteka Kombëtare) nga fotografia e përdorur nga “Kosova-sot.info”, për ta qartësuar edhe më shumë faktin se ajo paraqet një pjesë të Prishtinës.


Analiza:

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull, i cili flet për rritjen e qirave në qytetin turk Ankara. Personat që kanë shfrytëzuar rastin që pas tërmetit të rrisin qiratë e banesave, ndaj tyre mund të ngrihet edhe padi, ku parashtrohet edhe kërkesë për burgim nga 1-3 vjet.

Por portali i lartcekur i ka vënë titull përgjithësues që nuk tregon se për cilin vend bëhet fjalë.

Gjithashtu, edhe fotografia e vendosur në këtë artikull nuk korrespondon me përmbajtjen, pasi në të paraqitet një pjesë e qytetit të Prishtinës.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others