[email protected]
Nga Manastiri i Deçanit pretendohet rrejshëm se “Ahmeti e Kurti qëndrojnë prapa aksionit në Kishën Ortodokse në Prishtinë”
shape
shape
shape

Në faqen e Manastirit të Deçanit në rrjetin social Twitter, është shkruar se mbishkrimet e bëra në objektin e kishës ortodokse që gjendet në ambientet e Universitetit të Prishtinës, janë bërë nga studentë të shtyrë nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ky pretendim të ngritur në deklaratën e përfaqësuesve të këtij manastiri, nuk përmban asnjë argument mbështetës. Gjithashtu edhe konteksti i ndërtimit të këtij pretendimi, nuk përputhet me vetë ngjarjen, pasi që aktivistët që kanë shkruar në këtë objekt të papërfunduar që qe synuar të përfundojë si kishë ortodokse, kanë qenë nga Partia Socialdemokrate e Kosovës (këtu).

Cicërima e bërë në faqen e Manastirit të Deçanit në Twitter:

Sipas mediave shqiptare të Kosovës, akti i vandalizmit në një kishë ortodokse serbe në qendër të Prishtinës, ku studentët aktivistë shkruanin mbishkrime blasfemuese, u nxit nga Kryetari i Komunës së Prishtinës Spend Ahmeti, një bashkëpunëtor i afërt politik i Kryeministrit të Kosovës Kurti

Cicërime autentike (në anglisht) në faqen e Manastirit të Deçanit në Twitter:

According to #Kosovo Albanian media acts of vandalism at the #Serbian #Orthodox #church in Priština downtown by painting blasphemous graffiti was done by student activists encouraged by Priština mayor Shpend Ahmeti, a close political assiciate of the Kosovo Prime Minister Kurti. pic.twitter.com/BuBKyXsEof

— Dečani Monastery (@DecaniMonastery) June 11, 2021

Open photo


Në këtë deklaratë të postuar në Twitter nuk ka asnjë fakt që dëshmon pretendimin se aktivistët janë përkrahur e nxitur nga Shpend Ahmeti. Gjithashtu edhe pretendimi se një gjë e tillë është shkruar nga mediat shqiptare të Kosovës, është i paargumentuar.

Hibrid.info ka bërë hulumtim të thellë në rrjetet sociale dhe makinat e kërkimit online, por nuk ka gjetur ndonjë medium kredibil në gjuhë shqipe, që ka shkruar e publikuar ndonjë lajm të tillë.


Këtë pretendim e ka hedhur poshtë edhe vet kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai përmes një cicërime në profilin e tij në Twitter ka publikuar pretendimin e Manastirit të Deçanit me mbishkrimin:

Dy akuzat janë thjeshtë të pavërteta! Pse duhet të shpërndani gënjeshtra?


Analiza:

Pretendimi i Manastirit të Deçanit i trajtuar në këtë analizë duket qartë se është një sajim. Siç duket, përfaqësues të këtij institucioni fetar kanë dal edhe nga konteksti i ngjarjeve politike në Kosovë, duke tentuar që ta paraqesin kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, si politikan të afërt me kryeministrin Kurti. Kjo për faktin se raportet politike mes Ahmetit dhe Kurtit janë shkëputur në fillim të vitit 2018, atëherë kur kryetari i Prishtinës, së bashku me një grup të deputetëve tjerë nga Vetëvendosja, u larguan nga ky subjekt politikë (këtu), për ta themeluar më pas Partinë Socialdemokrate (PSD). Ndërsa, më pas Ahmeti ishte larguar edhe nga kjo parti (PSD), ku mbate pozitën e kryetarit (këtu), gjë që hedh poshtë tendencën e këtij pretendimi të Manastirit të Deçanit, për ta ndërlidhur atë me aktivistët e PSD-së që ndërmorën aksionin për mbishkrime në objektin e pa përfunduar të kishës ortodokse në Prishtinë.

Bazuar në analizën e fakteve të kontrolluara, rezulton se pretendimi i ngritur nga Manastiri i Deçanit të vlerësohet si “lajm i rremë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.

Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others