Portale informative në gjuhën shqipe kanë publikuar dje (22 shtator) një artikull me pretendimin se në një reklame (billboard) digjital të qytetit të New York-ut u shfaq fjalia “Lavdi urinës” në vend të “Lavdi Ukrainës”.
Kontrollues faktesh nga AFP (shih këtu) pas verifikimit të fakteve, kanë vërtetuar se video-materiali i paraqitur me fjalinë “Lavdi urinës” është i montuar dhe si i tillë nuk është shfaqur në njërën nga ekranet në New York.
Artikulli nga portalet në gjuhën shqipe u bazua në një postim nga llogaria “Sprinter” në median sociale X (ish-Twitter). (shih këtu)
Vegëza e artikullit të publikuar në portalet “Noa.al” dhe “Epokaere.com”:
https://noa.al/lajmi/2023/09/2403541.html
Për agjencinë ndërkombëtare franceze të lajmeve (AFP) foli Erin Watkins, këshilltare e përgjithshme për Big Outdoor, kompaninë që zotëron dhe operon billbordin në fjalë, duke thënë se “imazhet janë 100 për qind të rreme”.
“Ne e operojmë shenjën e treguar në video dhe kemi konfirmuar se kopja e treguar në fotot dhe videot që qarkullojnë në internet nuk funksiononte në tabelë”, i tha Watkins AFP-së në përmes email-it. (shih këtu)
Në përgjigje të videos virale, reporteri i NBC News, Ben Collins, dhe të tjerë, përmes medias sociale X, postuan video dhe foto nga i njëjti cep i rrugës me datë 21 shtator, të cilat shihet se shfaqnin reklama të tjera në billbord. (këtu dhe këtu)
Video-materialit të edituar shihet se I është shtuar edhe logoja e televizionit Fox News Digital, por që nga ky medium kanë thënë se nuk kanë postuar asnjë pamje të tillë.
“Fox News Digital nuk e publikoi këtë video”, i tha AFP-së një zëdhënës i medium përmes email-it.
Analiza:
Disa portale informative në gjuhën shqipe kanë rënë pre e një video-materiali të edituar i cili paraqitet si i shfaqur në një nga billbordet në New York, që shkruan Glory to Urine (Lavdi urinës) në vend se të shkruhet Glory to Ukraine (Lavdi Ukrainës).
Kjo u vërtetua pas verifikimit të fakteve nga AFP, të cilët konstatuan se një fjali e tillë nuk është paraqitur në billbord dhe se kjo video është edituar. Ky artikull i publikuar nga portalet në gjuhën shqipe vlerësohet si përmbajtje e pa verifikuar.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.