Shkroi: Fatbardh Dema
Fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë ka nisur zyrtarisht sot, 17 dhjetor.
Në fushatat e zgjedhjeve të kaluara, si të atyre parlamentare (9 shkurt) dhe atyre lokale (12 tetor), në hapësirën digjitale qarkulluan përmbajtje keqinformuese me tema si “Zgjedhjet në Kosovë” e “Sondazhe zgjedhore”.
Edhe gjatë kësaj kohe, pritet që të ketë terren për qarkullim të më shumë informacioneve të pasakta që kanë të bëjnë me zgjedhjet, shpesh me qëllim për të ndikuar në opinionin publik.
Duke u bazuar në gjetjet e hibrid.info, në raportet monitoruese të keqinformimit për muajt janar-shkurt (2025), u evidentuan gjithsej 107 përmbajtje keqinformuese.
Temat kryesore të trajtuara nga media dhe publikues të ndryshëm në muajin janar ishin “Zgjedhjet në Kosovë” dhe “Sondazhet zgjedhore”. (shih këtu raportin për muajin janar)
Përmbajtjet keqinformuese që kishin si temë “Zgjedhjet në Kosovë”, gjatë muajit janar përbënin 48% të totalit të përmbajtjeve të analizuara, ndërsa “Sondazhet zgjedhore” zinin 14% të përmbajtjeve keqinformuese.
Edhe në muajin shkurt, temat ishin të njëjta. Tema “Zgjedhjet në Kosovë” përbënte 43% të totalit të përmbajtjeve të analizuara. Këto përfshinin manipulime dhe dezinformata që lidheshin drejtpërdrejt me procesin zgjedhor dhe ndikimin e tij në opinionin publik. Ndërsa përmbajtjet e rreme me temën “Sondazhet zgjedhore” zinin 11% të përmbajtjeve keqinformuese. (shih këtu raportin për muajin shkurt)
Në fushatën e zgjedhjeve lokale (12 tetor), hibrid.info ka monitoruar përmbajtjet e publikuara gjatë periudhës 13 shtator – 12 tetor, që përfshin edhe ditën e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Gjatë kësaj kohe janë trajtuar gjithsej 37 përmbajtje keqinformuese. Hibrid.info në mesin e tyre ka identifikuar gjithsej 28 përmbajtje të rreme që pretendonin se paraqisnin sondazhe apo exit-polle të opinionit publik. Nga to, 26 janë publikuar gjatë fushatës me pretendimin se përfaqësonin sondazhe, ndërsa dy të tjera janë shpërndarë në ditën e zgjedhjeve si exit-polle. (shih raportin këtu)
Përveç këtyre përmbajtjeve, gjatë asaj kohe është vërejtur edhe një fenomen tjetër në mediat kredibile.
Në disa media janë vërejtur artikuj me tituj favorizues ndaj kandidatëve për kryetarë komunash, ku pretendohej për mbështetje të madhe publike, pa prezantuar fakte që mbështesnin pretendimin.
Po ashtu, fenomen tjetër që u vërejt gjatë fushatës ishte edhe aktivizimi i faqeve në media sociale, kryesisht në Facebook. Në këtë platformë u krijuan faqe me emra qytetesh dhe prapashtesa si “news”, “press” apo “net”, të cilat promovuan kandidatë të caktuar dhe ndikuan në perceptimin publik. Bazuar në përmbajtjet e tyre, sipas raportit të Hibrid.info, mund të thuhet se këto faqe kanë pasur lidhje me parti politike ose me mbështetësit e tyre. Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, këto faqe ndërprenë publikimet zgjedhore dhe vijuan me tema të tjera.
Ndërkaq, para nisjes së fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, hibrid.info ka evidentuar fenomenin tjetër, që përmes inteligjencës artificiale po prodhohen video-materiale të rreme me tema politike.
Këto video dhe imazhe përfshijnë gjoja qytetarët mërgimtarë të paraqitur në një lokacion publik, si Aeroporti i Prishtinës, ku ata intervistohen mbi pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Përmbajtja e tyre synon të krijojë përshtypjen se mërgimtarët do të jenë aktivë në procesin zgjedhor dhe do të mbështesin një kandidat a parti të caktuar politike, duke lënë të kuptohet se ka mbështetje masive të diasporës dhe përkrahje të fortë politike. (shih artikullin këtu)
Çka duhet të kemi parasysh?
Lexuesi duhet të ketë kujdes kur informohet nëpërmjet mediave sociale. Emrat e kandidatëve shpeshherë keqpërdoren dhe në bazë të tyre hapen llogari në mbështetje apo edhe kundër. (shih analizën për faqet me emrat e Albin Kurtit dhe Bedri Hamzës).
Lexuesit duhet të përcjellin punën e verifikuesve të fakteve dhe të përdorin platforma online si “Google Lens” për të vërtetuar vërtetësinë e imazheve. Pikërisht manipulimi i fakteve, sidomos në sondazhe, ka qenë një prej metodave me të cilat u keqinformua lidhur me zgjedhjet në muajt e fundit.
Platforma Hibrid.info do të vazhdojë monitorimin e kësaj fushate zgjedhore për identifikimin e publikimeve të rreme.