[email protected]
Nuk ka marrëveshje për mos-prezencën e policisë në veri pa KFOR-in dhe EULEX-in
shape
shape
shape

Portali informativ i televizionit Klan Kosova “KlanKosova.tv” dje (14 korrik) ka publikuar një artikull, duke pretenduar përmes titullit se nuk do të ketë më polici në veri të vendit pa KFOR-in dhe EULEX-in.

Ky pretendim bazohet në pikën numër dy të një komunikate për media të lëshuar më 11 korrik nga Qeveria e Republikës së Kosovës, pas takimit tё 10 korrikut nё Bratisllavё ndërmjet zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi me Përfaqësuesin e Lartё tё Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, duke iu referuar pikës dy të kësaj komunikate, vërehet qartë se në të nuk përmendet dakordimi për mos prezencës e policisë së Kosovës në veri pa KFOR-in dhe EULEX-in.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin informativ “KlanKosova.tv”:

https://klankosova.tv/ska-me-polici-ne-veri-pa-kfor-in-e-eulex-in-video/

Në pikën dy të kësaj komunikate thuhet “Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale”. (shih këtu të plotë komunikatën për media)


Pra, në asnjë rast nuk përmendet mos-prezenca e policisë së Kosovës në veri pa prezencën e KFOR-it dhe EULEX-it, siç pretendohet përmes titullit.

Gjithashtu, përveç që ky pretendim i bërë nga portali i lartcekur nuk qëndron, në këtë pikë nuk përmendet se ky dakordim nënkupton zvogëlimin e prezencës policore në gjithë pjesën veriore të Kosovës, por vetëm “në dhe rreth ndërtesave komunale”.

Ndërsa, në pikën një të kësaj komunikate thuhet se pas takimit në Bratisllavë në mes të Bislimit dhe Lajçak-ut, u dakordua për zvogёlim tё menjёhershёm për 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.


Artikulli i “KlanKosova.tv” u publikua më pas me të njëjtin titull edhe nga disa portale tjera. (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu)


Analiza:

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se artikulli i publikuar nga “KlanKosova.tv” përmban titull të pasaktë.

Përmes titullit ngritët pretendimi se nuk do të ketë polici në veri pa prezencë të KFOR-it dhe EULEX-it. Mirëpo, në komunikatën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës, të cilës i referohet mediumi në fjalë, në asnjë rast nuk përmendet diçka e tillë.

Në këtë komunikatë bëhet e qartë se policia e Kosovës së bashku me EULEX-in dhe KFOR-in duhet të vlerësojnë gjendjen e sigurisë në veri, dhe të shikohet mundësia për zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others