[email protected]
Nuk ka paralajmërim nga Vetëvendosje për largime nga partia
shape
shape
shape

Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “todaynews80.com” ka publikuar sot (28 shtator) një artikull me titull “Vetevendosjɑ pɑrɑlɑjmeron , ka gjɑsɑ qe keto figurɑ te lɑrgohen ngɑ Vetevendosjɑ”.

Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është i rremë dhe nuk përputhet me përmbajtjen.

Në përmbajtje të këtij artikulli gjendet intervista e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, i cili për “EkonomiaOnline.net” ka mohuar disa raportime në medie se është pjesë e një grupi deputetësh që mund ta braktisin partinë në pushtet.

Pra, nuk ka paralajmërim nga Vetëvendosje për largimin e anëtarëve të saj, siç lë të kuptohet në titullin e sajuar nga portali “todaynews80.com”.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “todaynews80.com”:

https://todaynews80.com/2022/09/28/vetevendosja-paralajmeron-ka-gjasa-qe-keto-figura-te-largohen-nga-vetevendosja/?fbclid=IwAR3-6dACP_x0bz6AR_llVj1RMU83TpRqDnxb1xOA8C5yy0i8ftSZITden3A

Korenica, në një intervistë për Ekonomia Online ka bërë të ditur se nuk do të largohet nga Vetëvendosje dhe se nuk është pjesë e një grupi deputetësh që mund ta braktisin atë.

“Unë kam reaguar kundër shkrimit se kinse jam larguar edhe unë nga VV-ja dhe nuk qëndron ajo çka është shkruar. Lëvizja Vetëvendosje ka përfunduar një proces zgjedhor me 25 shtator dhe nuk ka të bëjë fare tema me aktualitetin politik në vend. Unë jam deputet i Lëvizjes dhe brenda Kryesisë. Për bindjen time nuk flitet për largim. Po ajo çka po shohim është tendencë për ta përçarë Grupin Parlamentar e nuk ia arrin me këto gënjeshtra me këto shkrime të pavërteta”, ka thënë ndër të tjerash Korenica për “Ekonomia Online”.

Intervistën e plotë të Korenicës dhënë për “EkonomiaOnline.net” mund ta gjeni këtu.


Kjo deklaratë e Korenicës ka ardhur pas raportimit të mediumit online “Nacionale.com”, e cila më 8 shtator në një artikull të publikuar ka përmendur emrin e Visar Korenicës dhe disa deputetëve të tjerë të Vetëvendosjes që nuk kishin votuar Projekt-Kodin Civil, që i hapte rrugë bashkëjetesave mes personave të gjinisë së njëjtë.

Në këtë artikull, i cili nis me largimin e deputetes Doarsa Kica-Xhelili e cila kaloi nga grupi parlamentar i  Vetëvendosjes në Lidhjen Demokratike të Kosovës,  ngritët pyetja se a ka emra të tjerë që duan të marrin rrugën e saj. (shih këtu)


Pjesë nga artikulli i publikuar më 8 shtator në Nacionale.com:

Por, a ka të tjerë që duan të marrin rrugën e saj?

Juristi dhe ish këshilltari i kryeministrit Kurti, Durim Berisha, ka pretenduar se janë tridhjetë deputetë të pushtetit (VV i ka 59 gjithsej në grupin e saj parlamentar) që janë të pakënaqur me Qeverinë.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së Arben Gashi kishte thënë se ishin tetë deputetë që mund të largoheshin nga Vetëvendosje në disa deklaratë që kishte bërë bujë para disa muajsh.

Aktualisht në Vetëvendosje po mbahen zgjedhjet e brendshme – dhe Kurti pritet të rizgjidhet kryetar i pasfiduar – por janë eksponentë të rëndësishëm partiakë në Podujevë, Mitrovicë, Ferizaj e Prizren që po shprehin haptas pakënaqësitë e tyre me lidershipin.

Mirëpo, le të merremi në këtë shkrim vetëm me deputetët.

Grupi “Anti-Kod”

Në mbledhjen e XLVIII të Këshillit të Përgjithshëm, kryeministri Albin Kurti do të shfaqej i ngrysur e mjaft kritik ndaj deputetëve të grupit të tij parlamentar. Fjalët e tij dukej se ishin të drejtuara veçanërisht ndaj grupit të deputetëve që nuk e kishin votuar Projekt-Kodin Civil që i hapte rrugë bashkëjetesave mes personave të seksit të njëjtë. Kjo çështje është vlerësuar si prioritare tashmë edhe në organet zgjedhore të partisë.

Por, kush është grupi i deputetëve të Vetëvendosjes që nuk kishte votuar Projekt-Kodin Civil? Po i themi një nga një: Fizim Haziri, Drita Millaku, Fjolla Ujkani, Visar Korenica, Eman Rrahmani, Driton Hyseni, Gramoz Agusholli, Burim Karameta, Labinotë Demi-Murtezi, dhe Gazmend Gjushinca.


Në fund të këtij artikulli të publikuar në “Nacionale.com” thuhet: *Teksti i mësipërm nuk nënkupton se ndonjëri prej të apostrofuarve ka marrë vendim për t’u larguar nga Vetëvendosje.


Analiza

Portali i dyshimtë “todaynews80.com” ka publikuar një deklaratë të deputetit të Vetëvendosjes, Visar Korenica, i cili ka siguruar se nuk do të largohet nga kjo parti, duke mohuar disa raportime në medie se është pjesë e një grupi deputetësh që mund ta braktisin partinë në pushtet.

Mirëpo, këtij artikulli, ky portal i dyshimtë i ka vënë titull të rremë me pretendimin se Vetëvendosje ka paralajmëruar për largimin e disa anëtarëve të saj.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others