Shkroi: Etrit Rexhepi
Nëpërmjet titullit të një artikulli është pretenduar për rritje të shtesave dhe pensioneve në Kosovë.
“Rriten shtesat dhe pensionet, Kurti flet edhe për pagën e 13-të”, mban titullin artikulli i publikuar në “frontlajm.net” të hënën (16 shkurt 2026).
I njëjti titull është publikuar nëpërmjet një imazhi edhe në faqen në Facebook me emrin “FrontLajm”.
E vërteta?
Për dallim nga titulli që lë hapësirë për keqinterpretime, përmbajtja e thotë një gjë tjetër. Përmbajtja ka nxjerrë një pjesë të një deklarate të kryeministrit Albin Kurti gjatë seancës së Kuvendit dhe nuk bëhet fjalë për vendim të ri lidhur me rritje të shtesave apo pensioneve. Deklarata është dhënë në seancën ku po bëhej shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Sipas përmbajtjes, Kurti në seancë ka deklaruar se “Buxheti 2026 përfshin rritjen e pensioneve, të shtesave për fëmijë, për lehona, pagesa për të rinj e gra që angazhohen nga super puna”.
Deri në momentin kur është publikuar përmbajtja, (ora 12:37) Kuvendi nuk e ka miratuar këtë projektligj. Projektligji u miratua në orët e pasdites (shih këtu).
Për të hyrë në fuqi, ky projektligj duhet të miratohet edhe në lexim të dytë (shih këtu).

Çka tha Kurti për pensionet dhe shtesat në këtë seancë?
Gjatë diskutimeve, Kurti ka thënë se zotimet e fushatës janë përfshirë në ekspozen në seancën e rizgjedhjes kryeministër, e se para se të miratohet në lexim të dytë ky projektligj, në Kuvend duhet të paraqitet programi i Qeverisë së re.
“Buxheti 2026 përfshin edhe rritjen e pensioneve, shtesave për fëmijë, shtesave për lehona, pagesa për të rinj e gra që angazhohen nga Superpuna. Kompletim i reformës së asistencës sociale, e shumë e shumë mbështetje të tjera për familjet. Synimi ynë vjen nga orientimi ynë. Rritjen të mos e mbajmë për shtet por ta shpërndajmë në shoqëri”, ka thënë Kurti në fjalën e tij.
Pra, ai ka folur në kuadër të zotimeve të fushatës.
Po ashtu, Qeveria nuk ka marrë ndonjë vendim gjatë ditës për rritje të shtesave dhe pensioneve.
Hera e fundit kur janë rritur pensionet është 31 tetori 2025. Atë ditë, Qeveria në detyrë pati miratuar rritjen e pensioneve bazë dhe shtesave për fëmijë duke nisur nga nëntori 2025. Pensionet bazë janë rritur nga 120 euro në 150, ndërsa shtesat për fëmijë nga 20 euro në 30 euro për familjet me një ose dy fëmijë dhe nga 30 në 45 për ata me tre ose më shumë fëmijë (shih këtu).
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e udhëhequr nga Albin Kurti, në fushatën për zgjedhjet e 28 dhjetorit, në programin zgjedhor e ka të përmendur çështjen e shtesave dhe të pensioneve. Përderisa për shtesat për fëmijë përmendet dyfishimi i tyre, te pensionet nuk jepet ndonjë vlerë e caktuar (shih këtu).
Deri në momentin e trajtimit, publikimi në Facebook i ka marrë më shumë se 90 komente. Disa prej komenteve kanë lënë përshtypjen se e kanë perceptuar titullin si vendim të ri nga institucionet e Kosovës.
Duke marrë për bazë artikullin, hibrid.info ka gjetur se përmbajtja e tij është e njëjtë sikur publikimi në “klankosova.tv”. Megjithatë, “klankosova.tv” e ka publikuar përmbajtjen por me titull: “Pensionet, shtesat, paga e 13-të, Kurti: Rritjen ekonomike nuk e mbajmë në shtet, por e shpërndajmë”.
Analiza:
Titulli “Rriten shtesat dhe pensionet, Kurti flet edhe për pagën e 13-të” ka lënë hapësirë të keqinterpretohet, sikur bëhet fjalë për vendim të ri për rritje të shtesave dhe pensioneve në Kosovë.
Megjithatë, përmbajtja e artikullit tregon se bëhet fjalë për deklarata nga kryeministri Albin Kurti gjatë diskutimeve në seancën për Projektbuxhetin e vitit 2026.
Pa miratim të projektligjit dhe pa vendim të ri të Qeverisë, pretendimi për rritje është i pabazuar dhe krijon perceptim të gabuar te lexuesit.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson titullin dhe publikimin në Facebook si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.