[email protected]
Komuna e Prishtinës lejon shkuarjen në “Gërmi”, por vetëm me transport publik
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Media lokale gjatë ditës së sotme publikuan një artikull me titull “Mos u nisni për 1 Maj në Gërmi, Komuna e Prishtinës ka marrë një vendim të prerë”.

Ky artikull me këtë titull u publikua nga portalet informative “Indeksonline.net”, “Veriu.info” dhe “Prishtinapress.org”.

Çka nuk shkon me këtë titull?

Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se titulli i përdorur në artikujt e mediave të lartcekura është përgjithësues, pasi nuk sqaron se për çfarë vendimi të Komunës së Prishtinës bëhet fjalë.

Përmbajtja e saktë sqarohet vetëm brenda artikujve, ku thuhet se “Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që me 1 Maj të ndalohet qarkullimi i makinave, në rrugën që të shpie te parku ‘Gërmia’”.


Vegëzat e artikujve të publikuar në portalet “Indeksonline.net”, “Veriu.info” dhe “Prishtinapress.org”:

https://archive.is/H6aiP#selection-1165.0-1165.80

https://archive.is/cvATF

https://archive.is/5KS1k#selection-1491.0-1491.123


Çfarë vendimi mori Komuna e Prishtinës?

Sot (30 prill) Komuna e Prishtinës përmes faqes zyrtare në Facebook njoftoi se kryetari Përparim Rama, ka nënshkruar urdhëresë që për festën e 1 Majit, të ndalohet qarkullimi i mjeteve të transportit në drejtim të parkut “Gërmia”, përveç autobusëve të linjës 4 të NPL “Trafiku Urban”, automjeteve të Policisë së Kosovës, të KFOR-it, të EULEX-it, të NPL “Gjelbër”, të KRM “Pastrimi”, të Drejtorisë së Inspektoratit dhe automjeteve emergjente. (shih këtu)


Analiza:

Tri media online në gjuhën shqipe kanë publikuar artikujt për të njoftuar mbi vendimin e Komunës së Prishtinës, e cila ka sqaruar se nesër (1 maj) ndalohet qarkullimi i automjeteve të transportit në drejtim të parkut “Gërmia”.

Në titujt e këtyre artikujve nuk sqarohet se për çfarë vendimi bëhet fjalë, duke i vënë në lajthitje qytetarët, ndonëse vendimi nuk ndalon shkuarjen në Parkun e Gërmisë, por ndalon shkuarjen me vetura, ndërsa lejohen vetëm automjetet e shërbimeve të sipërpërmendura.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këta artikuj si “Clickbait”.


Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others