Është publikuar një video-material që shfaq deputeten e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanin, duke deklaruar, me mbishkrimin “Osmani me kritika të forta për Hotin: Tu zgërdhi me Radojqiqin e tu i thanë ‘razumem’”
Përmbajtja është publikuar të enjten (12 nëntor) në kanalin zyrtar në YouTube të televizionit “Kanal 10”.
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Osmani nuk ka përmendur Radojqiqin në deklaratën e shfaqur në video-materialin përkatës.

Përmbajtja me të njëjtin mbishkrim u gjet e publikuar të premten (11 nëntor) edhe në faqen në Facebook të këtij mediumi (shih këtu).

Deri në momentin e trajtimit, përmbajtja në YouTube ka marrë afro 3 mijë shikime, ndërsa në Facebook e njëjta ka arritur në mbi 25 mijë shikime, mbi 230 reagime dhe mbi 250 komente.
Faqja e këtij mediumi në Facebook ka mbi 374 mijë ndjekës.
Hibrid.info verifikoi deklaratën e Osmanit në video-material dhe gjeti se ajo nuk e ka përmendur në asnjë moment mbiemrin Radoiçiq. Në deklaratën e saj, ish-presidentja i është referuar ish-kryeministrit Avdullah Hoti, duke e kritikuar për një moment kur, sipas saj, ai ishte parë duke buzëqeshur para ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe duke i thënë “razumem”.
Deklarata e transkriptuar nga video-materiali
Edhe në kohë fushate ja u kam përbi ofendimet. Edhe tash një kohë të gjatë sepse mendoja që ndoshta ata i kuptojnë gabimet e së kaluarës, ndoshta ata e kuptojnë që shkarkimi im ka qenë gabim, ndoshta ata e kuptojnë që rrëzimi i një qeverie në kohë pandemie ka qenë gabim, ndoshta Hoti e kupton që fakti që i ka kontrabandu votat që i kam marrë unë si kandidate për kryeministre dhe me vota të vjedhura, me vullnet të vjedhur qytetar ka krijuar atëherë qeveri, është gabim. Ndoshta zonja Bajrami e kupton që të dalësh publikisht dhe të thuash që nuk ka problem me Listën serbe është gabim që e dëmton partinë pariparueshëm. Ndoshta zotëri Hoti e kupton që nuk është mirë aty me u zgërdhi para Vuçiqit tu i thonë “razumem”.
Përmendja e mbiemrit Radoiçiq në mbishkrim mund të krijojë përshtypjen se bëhet fjalë për Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili është i njohur në opinionin publik në Kosovë, veçanërisht për shkak të rolit të tij në zhvillimet politike në vend dhe pranimit të përgjegjësisë për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023 (shih këtu).
Deklarata është shkëputur nga një intervistë e ish-presidentes Osmani, në emisionin “Adresa”, që transmetohet në “Kanal 10”. Intervista është transmetuar të enjten (12 nëntor) në këtë televizion (shih këtu).
Pak kontekst
Në korrik të vitit 2020, gjatë takimit të parë në Bruksel mes ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të atëhershëm të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ky i fundit e pyeti Hotin nëse fliste apo kuptonte serbisht. Hoti iu përgjigj se e kuptonte, duke përdorur fjalën “razumem” (shih këtu).
Analiza
Përmbajtja e publikuar në YouTube dhe Facebook shfaq një deklaratë të deputetes së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, me mbishkrimin se ish-kryeministri Avdullah Hoti ishte parë duke buzëqeshur me Radoiçiqin dhe duke i thënë “razumem”.
Hibrid.info e verifikoi deklaratën përmes intervistës së plotë të Osmanit në emisionin “Adresa”,
Në deklaratën e shfaqur në video-material, Osmani nuk e përmend mbiemrin Radoiçiq, por i referohet ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke kritikuar Hotin për momentin kur ai i ishte përgjigjur këtij të fundit në serbisht se e kuptonte gjuhën.
Përmendja e mbiemrit Radoiçiq në mbishkrim mund të krijojë përshtypjen se bëhet fjalë për Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili njihet në opinionin publik për pranimin e përgjegjësisë për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.
Megjithatë, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Gabim”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Gabim” e marrin përmbajtjet informative në të cilat, gjatë procesit të përpilimit apo publikimit, paraqiten gabime duke publikuar informacion të pasaktë (sidomos kur kemi të bëjmë me informacione në shifra) ose duke transmetuar lajme të pavërtetuara mirë, pa qëllimin e qartë të dezinformimit të publikut.