info@hibrid.info
Kalimi i mundshëm i Bashës në post ministror nuk nënkupton shkarkim si kryeparlamentar
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Është pretenduar se mandatari për kryeministër, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka tentuar shkarkimin e Dimal Bashës nga posti i kryetarit të Kuvendit.

Pretendimi u publikua nga agjencia e lajmeve “kosovapress.com” të dielën (26 tetor). Pretendimi në titull dhe në krye të lajmit u bë me arsyetimin se Kurti e ka propozuar emrin e Bashës për ministër të Infrastrukturës dhe Transportit, gjatë prezantimit të kabinetit me të cilin synonte të siguronte edhe një mandat si kryeministër.

Por përse po trajtohet kjo përmbajtje?

Shkarkimi” është akt formal që mbështetet në procedurë ose bazë kushtetuese. Përmbajtja e artikullit nuk e mbështet në fakte titullin dhe kreun e lajmit, por vetëm mbi bazën e propozimit të Bashës si pjesë e kabinetit me të cilin synohej edhe një mandat nga Kurti.


Në Kushtetutën e Kosovës, Neni 67 specifikon se “Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit shkarkohen me votën e shumicës prej dy të tretave (2/3) të numrit të përgjithshëm të deputetëve”.

Edhe Neni 15 i Rregullores së Punës së Kuvendit thekson se “Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit shkarkohen me votën e shumicës prej 2/3 të numrit të përgjithshëm të deputetëve”. Ky nen po ashtu thotë se propozimi për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit mund të bëhet me kërkesë të 1/3 të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Po ashtu, aty bëhet e qartë se kryetari dhe nënkryetarët mund të japin dorëheqje, e se aktin e dorëheqjes ia paraqesin Kuvendit për njoftim.


Në fjalimin e tij në Kuvend, në prezantim të kabinetit me të cilin synonte edhe një mandat, Albin Kurti ka përmendur kryeparlamentarin Dimal Basha si të propozuar për të udhëhequr Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit. Ai nuk ka përmendur inicim të ndonjë procedure nga deputetët për shkarkimin e Bashës.

Në rast se Kuvendi të dielën do të votonte pro Qeverisë së propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, mandati i Bashës si deputet do të mbaronte ose bëhej i pavlefshëm për shkak të emërimit si anëtar i Qeverisë. Kjo shpjegohet në nenin 70 “Mandati i Deputetëve” në Kushtetutën e Kosovës. Kushtetuta tregon edhe rastet tjera kur mbaron ose bëhet i pavlefshëm mandati i deputetit.

Një rast i ngjashëm pati ndodhur më 3 shkurt 2020, kur Glauk Konjufca nga posti i kryeparlamentarit u bë ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës. (Shih këtu) Kjo nuk ishte shkarkim nga posti i kryeparlamentarit.


Pjesa tjetër e artikullit në KosovaPress.com vazhdon me raportimin me listën e propozuar nga Kurti për kabinet qeveritar.


Pretendimi i njëjtë është publikuar edhe në faqen e “KosovaPress” në Facebook. Artikulli është publikuar edhe në media e faqe të tjera në Facebook. (shih këtu dhe këtu)


Analiza:

Pretendimi se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tentoi ta shkarkonte Dimal Bashën nga posti i kryeparlamentarit, nëpërmjet propozimit të emrit të tij për ministër të Infrastrukturës, është i pasaktë.

Emërimi potencial i Bashës në post ministror do të nënkuptonte se mandati i tij si deputet do të bëhej i pavlefshëm. Por kjo nuk do të thotë shkarkim, që është akt formal dhe që kërkon procedurë të bazuar në Kushtetutë. Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në vitin 2020 me Glauk Konjufcën, që nga posti i kryeparlamentarit kaloi si ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim në titull, si “Gabim”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Gabim” e marrin përmbajtjet informative në të cilat, gjatë procesit të përpilimit apo publikimit, paraqiten gabime duke publikuar informacion të pasaktë (sidomos kur kemi të bëjmë me informacione në shifra) ose duke transmetuar lajme të pavërtetuara mirë, pa qëllimin e qartë të dezinformimit të publikut.

Share With Others