[email protected]
Pagat e muajit tetor për minatorët, nuk janë ekzekutuar në datën e deklaruar nga ministrja Rizvanolli
shape
shape
shape

Minatorët e Trepçës ishin futur në grevë më 24 tetor, grevë e cila u ndërpre më 2 nëntor pas një marrëveshjeje të arritur ndërmjet minatorëve, një grupi të deputetëve të Kosovës dhe Bordit të Përkohshëm Mbikëqyrës të kësaj kompanie.

Artane Rizvanolli, ministrja e Ekonomisë në mbledhjen e komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti (7 nëntor) ishte deklaruar se marrëveshja parashihte që pagat e minatorëve të dilnin nga datat 6 deri në 10, të çdo muaji. Ministrja në po at mbledhje kishte thënë se 92 për qind e pagave të muajit tetor 2023 janë paguar sot (7 nëntor), ndërsa pjesa tjetër do të paguhej pas arkëtimit të mjeteve nga shitja e koncentratit.

Pas hulumtimit dhe verifikimit nga hibrid.info, është vërtetuar se pavarësisht deklaratës së ministres Rizvanolli, pagat e minatorëve për muajin tetor nuk janë ekzekutuar deri në datën 27 nëntor.


Hibrid.info ka gjetur njoftimin për ndërprerjen e grevës në faqen zyrtare në Facebook, të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës. (shih këtu)

Në njoftim tregohej ishte arritur marrëveshje për të dalur nga greva 10-të ditore kurse deputetët me të cilët ishte negociuar njiheshin si garantues të  kësaj marrëveshjeje.

Katër ditë më vonë ishte mbajtur mbledhja e komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, në të cilën ishte prezentë edhe Artane Rizvanolli, ministrja e Ekonomisë. (shih këtu)

Në bazë të raportimeve të disa mediave, të gjetura nga hibrid.info, tregohet se ministrja Rizvanolli kishte deklaruar se më 2 nëntor kanë arritur marrëveshje me minatorët duke iu përgjigjur kërkesave të tyre. (shih këtu dhe këtu)

Ministrja Rizvanolli ishte shprehur se në bazë të marrëveshjes, pagat do të ekzekutohen nga data 6 deri me datën 10. Ajo po ashtu kishte njoftuar se 92 për qind e pagave janë ekzekutuar në po atë ditë. (shih këtu)

Por, më 24 nëntor, në një reagim të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, u tregua se këto paga ende nuk janë ekzekutuar.

Njoftimi në Facebook i kësaj sindikate, të cilin e ka gjetur hibrid.info, e thotë te kundërtën e deklaratës se ministres Rizvanolli. (shih këtu)

Po ashtu hibrid.info e ka gjetur edhe një artikull të “Albanian Post”, në të cilin raportohet se edhe Mimoza Kusari-Lila, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes dhe njëra nga negociatorët e grupit të deputetëve me minatorët e Trepçës, ishte në dijeni se këto paga ende nuk ishin ekzekutuar. (shih këtu)

Sipas Kusari-Lilës, problemi i mos-ekzekutimit të pagave kishte të bënte me çështje teknike.

Në emisionin Interaktiv të datës 4 dhjetor, në një intervistë të Ibrahim Januzit, kreut të sindikatës së minatorëve të Trepçës, hibrid.info ka verifikuar se ky i fundit ka deklaruar se pagat e muajit tetor për minatorët, janë ekzekutuar më 27 nëntor. (shih këtu)

Bazuar në njoftimet e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës dhe në deklaratën e shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, hibrid.info ka vërtetuar se deklarata e ministres Rizvanolli mbi ekzekutimin e pagave të muajit tetor për minatorët e Trepçës, nuk qëndron.


Përfundimi:

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kishte deklaruar se pagat e minatorëve të Trepçës, në bazë të marrëveshjes se arritur ndërmjet sindikatës së minatorëve dhe disa deputetëve, do të ekzekutohen në datat 6 deri në datën 10 të çdo muaji.

Por pas verifikimit dhe hulumtimit nga hibrid.info, është vërtetuar se pavarësisht deklaratës së ministres, pagat e muajit tetor nuk janë ekzekutuar deri në datën 27 nëntor.

Bazuar në metodologjinë e punës mbi kategorinë e vërtetësisë, hibrid.info e vlerëson deklaratën e ministres Rizvanolli si deklaratë të pavërtetë.


Vlerësimi:

Në kategorinë e vërtetësisë, vlerësohen ato deklarata që përmbajnë thënie që lidhen me fakte objektive, saktësia e të cilave mund të përcaktohet me anë të verifikimit objektiv. Deklaratat e trajtuara në këtë kategori marrin vlerësimin – deklaratë e pavërtetë, gjysmë e vërtetë, apo edhe deklaratë e vërtetë.

Share With Others